13.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

“Të vimë nër mentë…”

Të tjerët, sipas Konicës, ndonëse dallohen mes vete më shumë se shqip­tarët, madje kanë edhe karakteristika të tjera gjuhësore dhe fetare, prapëse­prapë janë bashkuar në komunitete të qytetëruara dhe në shtete. Duke e përforcuar vetëdijesimin për pozitën tragjike të kombit, Konica i thërret ata të lidhen mes vete, t’i qasen shoqi-shoqit, të kujtohen se cilët janë dhe të kujtojnë se janë bijë të një kombi dhe stërnipa me stërgjysha të njëjtë. Shembullin që sjell nga kombet evropiane e shoqëron me thirrjen për vëllazërim kombëtar: “Nuk e dimë ne me sa farësh besa (fe) janë ndarë inglizët, ungrët e të tjera kombe? Po fare s’i ka ndaluar besa, që të bëhen si janë sot. Helvetianët, të cilët përveç besave, janë edhe tri farësh kombe dhe gjuhëra, burra me ment e me dëshirim për dhenë e tyre, përpara Helvetisë çdo gjë tjetër e lënë në një anë dhe kur është fjala për atë, të gjithë si vëllezër përpiqen edhe po ta dojë puna hidhen dhe në zjarrë, se nuk kanë gjë më të shtrenjtë e të mençur se më mëdhenë! Po ne shqiptarët, që kemi të gjithë një gjak dhe flasim të gjithë një gjuhë mbetur nga të lumturit stërgjyshërit tanë, përse nuk bëjmë dhe ne kështu? Gjer kur do ta lëmë të mjerën Shqipërinë me këtë ditë të zezë, që gjendet ajo sot?”

Duke e parandier rrezikun për zhdukjen e kombit nga armiqtë, të cilët pandehin se shqiptarët janë pa ndjenja kombëtare, të përçarë, të nënshtruar e të shndërruar në rrogëtarë apo shërbëtorë të huaj, autori i qan hallet me dashamirët e kombit në këtë mënyrë e me këtë ton:

“Është nevojë e madhe, sot më tepër se kurdoherë, të punojmë shumë, se vetëm ne kemi mbetur nga gjithë kombe të Evropës pa dritë, pa shkolla në gjuhën tonë, robër të njerzve të huaj dhe të politikës së tyre të paudhë, të atyre që duan dhe mundohen të na humbasin nga faq’ e dheut. Disa njerëz të politikës kanë zënë të mësojnë dhe kanë shkruar se ne shqiptarët nuk do të mundim më të bëjmë një komb. Përse kaq lehtazi na paskan prerë këta për vdekje? Se navështrojnë të ndarë; pa mendje për Shqipërinë; trima që shërbejnë qëllimet e të huajvet; të dobët për punërat tona”.

Shkaku i kësaj pozite është robëria e gjatë, shtypja, errësira e padijes, përçarjet, propaganda antishqiptare e pushtuesit, iluzioni i rremë për “dovletin”, mungesa e ndërgjegjes kombëtare. Autori jep këtë arsyetim: “Errësirë e padijes na i ka pru të gjitha këto të këqija. E vërteta është se kemi shumë armiq, po m’i madhi e m’i keqi armik i Shqipërisë është vet shqiptari; edhe ne jemi mbajtur gjer më sot e quhemi akoma shqiptarë, na ka mbajtur flaga e trimërisë, e nderit dhe e zakoneve të shenjëtëruara që na kanë mbetur prej stërgjyshërve tanë”.

E duke i përkujtuar me mburrje doket, traditat dhe zakonet e pavdekshme të të parëve të shqiptarëve, me t’i glorifikuar ato, autori nuk i kursen qor­timet, brigimet dhe stigmatizimin e atyre shqiptarëve që kanë rënë në letargjinë e errësirës së paditurisë: “Disa thonë se forcat dhe intrigat e armiqëve që i kemi për rreth na ndalojnë të mos bëjmë gjë të mbarë për ne. Nuk është e vërtetë, nukë; dhe e them me zë të naltë; ne nuk duam, ne po flemë gjumin e vdekjes, ne vetë e kemi fajin i pavdekuri vjershëtar, me shumë të drejtë ka thënë për shqiptarët:

Kur ka pasë lidh besë burri i Shqypnisë

I ka pas shti dridhën gjith Rumelisë”.

I vetëdijshëm për përçarjet e brendshme tragjike dhe për greminën që i kanoset kombit shqiptar, ngaqë historia qe e pamëshirshme ndaj tij, Konica ua përkujton shqipta­rëve fuqinë e tyre të pashfrytëzuar: “Kemi përpara syve kombe më të dobëta, me fuqi dhe më të paka në numër sa neve, të cilët kanë bërë punëra të mëdha duke patur bashkim në mes të tyre dhe dëshirim për mëmëdheun e për të mbarën e vet”. Së këndejmi ai pyet: Ç’presim? Apo presim prej të huajvet gjë të mirë për ne?” S’do mend, Konica e di se asnjë i huaj s’mund t’ia dojë më shumë të mirën shqiptarit se vëllai i tij; se shqip­tarët s’i dhimbsen askujt kështu që, në mos u bashkofshin rreth kombit me besë e dashuri, atëherë armiqtë: “do të na coptojnë dhe do të na shuajnë”.

Marrë nga libri Me Konicën në Evropë, i autorit Abdullah Karjagdiu, ribotim nga shtëpia botuese “Koliqi”, Prishtinë, 2022

Më Shumë

25 vjet nga ndërhyrja historike për paqen në Kosovë

Sot mbushen 25 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve serbe. Aeroplanë të NATO-s bombarduan në territorin e Serbisë, Kosovës dhe Malit...

Në gjendje të dehur sulmoi fizikisht nënën e tij, arrestohet i dyshuari në Suharekë

Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të dhunës në familje. Rasti ka ndodhur në Suharekë, ku një person në gjendje të dehur ka...

Dhimbja

Lajmet e Fundit