CHARLES BUKOWSKI
Margie donte të dilte me njëfarë tipi, por ky tipi rrugës takoi një tjetër tip me pallto lëkure dhe tipi me pallto lëkure hapi pallton e lëkurës dhe ia tregoi atij tipit tjetër cicat dhe pastaj ky tipi shkoi te Margie dhe i tha se nuk mund të dilte me të ngaqë tipi me pallto të lëkurës ia kishte treguar cicat e veta dhe ky donte të shkonte ta qinte këtë tipin. Kështu që Margi shkoi ta takonte Carlin. Carli ishte aty dhe ajo u ul dhe i tha Carlit: “Njëfarë tipi donte të më çonte në një kafe që kishte tavolinat jashtë në kopsht dhe ne do të pinim verë dhe do të bisedonim, sall të pinim verë dhe të bisedonim, asgjë tjetër, ama ky tipi rrugës për tek unë takoi një tip tjetër me pallto lëkure, dhe ky tipi me pallto lëkure ia kishte treguar cicat e veta dhe tash ky tipi do ta qi tipin me pallto lëkure, ndërsa unë humba tavolinën time, verën dhe bisedën”.
“S’mund të shkruaj” – tha Carli. “E pat kjo punë”.
Ai u çua shkoi në banjë, mbylli derën dhe dhjeu. Carli dhjente katër apo pesë herë në ditë. Nuk kishte ndonjë punë tjetër. Gjatë ditës bënte dush pesë a gjashtë herë. Nuk kishte ndonjë punë tjetër. Për të njëjtën arsye edhe dehej.
Margie dëgjoi ujin teksa shkarkohej në nevojtore. Pastaj doli Carli.
“Njeriu, thjesht, nuk mund të shkruajë tetë orë në ditë. Bile ai as nuk mund të shkruajë për çdo ditë dhe as për çdo javë. Është punë e karrabythtë. Gjë s’mund të bësh, sall të presësh”.
Carli shkoi deri te frigoriferi dhe nxori një arkë prej gjashtë birrash Michelob. E çeli një shishe.
“Unë jam shkrimtari më i madh në botë” – tha. “A e di se sa vështirë është kjo?”
Margi nuk u përgjigj.
“E ndiej dhembjen si zvarritet nëpër gjithë trupin tim. Është sikur lëkurë e dytë. Do të doja të mundja ta zhvishja sikur gjarpër”.
“Epo, pse nuk shtrihesh në qilim e të provosh?”
“Dëgjo” – tha ai – “ku të pata takuar?’
“Te Barney’s Beanery”.
“Paj, kjo i shpjegon do gjëra. Merre një birrë”.
Carl e çeli shishen dhe ia dha.
“Epo” – tha Margie – “e di. Ty të duhet vetmia. Ti ke nevojë të jesh i vetëm. Përveç kur duhet të qish ndonjë, ose kur ndahemi, atëherë i sulesh telefonit. Ti thua se ke nevojë për mua. Ti thua se po jep shpirt nga mahmurllëku. Shpejt ligështohesh”.
“Ligështohem shpejt”.
“Aq i plogët je kur je me mua, për asnjë send nuk kallesh. Ju shkrimtarët jeni aq… tepër të ndjeshëm… nuk i duroni njerëzit. Njerëzimi kutërbon, a e kam mirë?”
“Mirë e ke”.
“Ama sa herë ndahemi ti organizon ndeja të hata-shme katërditëshe. Dhe papritmas bëhesh mendje-mprehtë dhe ia nis e flet. Papritmas je plot jetë, flet, kërcen, këndon. Kërcen në tavolinë, gjuan shishe nga dritarja, i reciton do pjesë nga Shakespeare. Papritmas je i gjallë kur nuk më ke pranë. Kam dëgjuar për to”.
“Mua nuk më pëlqejnë ndejat. Posaçërisht i urrej njerëzit në ndeja”.
“Për një tip që nuk i do ndejat sigurisht se i ke orga-nizuar goxha do ndeja”.
“Dëgjo, Margie, ti nuk po kupton. Nuk mund të shkruaj më. E pat puna ime. Diku kam marr kthesë të gabuar. Diku kam vdekur natën”.
“Ty ka me të mbytë një nga ato mahmurllëqet e padurueshme trugërryese”.
“Jeffers ka thënë se edhe njerëzit më të fuqishëm bien në kurth”.
“Kush ka qenë Jeffers?”
“Ai ishte tipi që e ka shndërruar Big Surin në kurth”.
“Ç’ke planifikuar të bësh sonte?”
“Doja ta dëgjoja veprën e Rachmaninoffit”.
“Kush është ai?”
“Një rus i vdekur”.
“Pa shikoje veten. Vetëm rri aty”.
“Po pres. Disa tipa presin nga dy vjet. Ngandonjë-herë ndodhë që kurrë të mos kthehet”.
“E çka nëse kurrë nuk kthehet?”
“Sall do t’i mbath këpucët e do t’ia mësy Main Streetit”.
“Pse nuk e gjen një punë të përshtatshme?”
“Nuk ka punë të përshtatshme. Nëse shkrimtari nuk ia del mbanë përmes krijimit, ai ka vdekur”.
“Mos ha mut, Carl! Ekzistojnë miliarda njerëz në botë që nuk ia dalin mbanë përmes krijimit. A do të më thuash se të gjithë ata janë të vdekur?”
“Po”.
“E ti ke shpirt? Ti je një nga ata të paktët që ke shpirt?”
“Kështu po duket”.
“Kështu po duket! Ti dhe makina jote e vogël e shkrimit! Ti dhe çeqet tua të vocërra! Gjyshja ime fiton më shumë para se ti!”
Carli e çeli edhe një shishe birrë.
“Birrë! Birrë! Ti dhe birra jote e hamamtë! Bile edhe në tregime e ke. ‘Marty e çoi birrën. Derisa e shikonte lart, njëfarë biondine e madhe u fut në bar dhe u ul pranë tij…’ Mirë e ke. E pat puna jote. Materiali yt është i kufizuar, goxha i kufizuar. Ti nuk mund të shkruash tregim dashurie, nuk mund të shkruash tregim të denjë dashurie”.
“Mirë e ke, Margie”.
“Nëse njeriu nuk mund të shkruajë tregim dashurie, atëherë nuk vlen gjë”.
“Sa i ke shkruar ti?”
“Unë nuk pretendoj të jem shkrimtare”.
“Ama” – tha Carli, “duket se ti po shtiresh si kritik i hamamtë letrar”.
Pas kësaj Margie iku shumë shpejt. Carli rrinte dhe i pinte birrat e mbetura. Ishte e vërtetë, shkrimi e kishte braktisur. Kjo do t’i bënte të lumtur disa dushmanë nga bota e nëntokës letrare. Do të ngriten për një gisht më lart. Vdekja i kënaqte, nën dhe apo mbi dhe. Iu kujtua Endicott. Endicott rrinte aty e thoshte: “Boll mirë, Hemingway ka ikur, Dos Pasos ka ikur, Patchen ka ikur, Pound ka ikur, Berryman kërceu nga ura… gjërat po duken më mirë, më mirë e më mirë”.
Telefoni cingëroi. Carli e kapi: “Zoti Gantling?”
“Po?” – u përgjigj ai.
“Deshëm t’ju pyesim nëse do të lexonit në Fairmount College?”
“Bën, pse jo. Me çfarë date?”
“Me 30 të muajit të ardhshëm”.
“S’ma merr mendja të jem i zënë në atë kohë”.
“Zakonisht paguajmë njëqind dollarë”.
“Zakonisht i marr nga njëqind e pesëdhjetë. Ginsberg merr nga një mijë”.
“Ama ai është Ginsberg. Ne mund t’ju ofrojmë sall njëqind”.
“Në rregull”.
“Bukur, zoti Gantling. Do t’jua dërgojmë hollësitë”.
“Ç’do të bëjmë për udhëtim? Ka shumë për të vozi-tur”.
“Mirë, njëzet e pesë dollarë për udhëtim”.
“Në rregull”.
“Doni të bisedonit me ndonjë student në kolegj?”
“Jo”.
“Dreka jepet falas”.
“Do ta pranoj”.
“Shumë mirë, zoti Gantling, shpresojmë t’ju shohim në kompleks”.
“Mirupafshim!”
Carli shëtiti nëpër dhomë. E shikoi makinën e shkri-mit, e futi një fletë, pastaj shikoi një vajzë veshur me minifund jashtëzakonisht të shkurtër si kalonte pranë dritares. Atëherë zuri të shtypë:
“Margie donte të dilte me njëfarë tipi, por ky tipi rrugës takoi një tjetër tip me pallto lëkure dhe tipi me pallto lëkure hapi pallton e lëkurës dhe ia tregoi atij tipit tjetër cicat dhe pastaj ky tipi shkoi te Margie dhe i tha se nuk mund të dilte me të ngaqë tipi me pallto të lëkurës ia kishte treguar sisët”.
Carli e çoi birrën. Ishte ndjenjë e mirë të shkruaje sërish.
(Marrë nga libri i sapobotuar “Emancipimi i gruas”. Përktheu: Fadil Bajraj)