13.8 C
Prizren
E diel, 6 Tetor, 2024

Tre djem, një histori

paci-320x209Anri Sala dhe Edi Muka, dy artistë të njohur të artit bashkëkohor, kanë qenë të pranishëm dje në një bisedë të hapur me publikun italian me temën “Kur gjuhët dështojnë”, në kuadër të ekspozitës së Adrian Pacit, e cila prej dy javësh qëndron e hapur në Pavijonin e Artit Bashkëkohor në Milano. Ekspozita e Pacit përmbledh një koleksion punësh të realizuara nga vitet ‘90 e deri në punët e fundit të autorit, nën titullin “Jetë në tranzit”. Kjo ekspozitë mund të quhet dhe një lloj autobiografie artistike e një artisti si Paci, i cili zgjodhi ta linte shumë shpejt vendin e tij, për t’u shpërngulur në një tjetër terren siç është Italia, e për të ekspozuar dhe përtej saj. Titulli që Paci ka zgjedhur për punët e tij nuk ndryshon shumë nga një titull që Sala apo Muka mund të vendosnin nëse realizonin një koleksion të tillë punësh. Të shkolluar në Akademinë e Arteve në Tiranë, ata kanë zgjedhur të zhvillojnë krijimtarinë e tyre në një tjetër vend. Nga Parisi, tashmë Anri Sala është vendosur për të jetuar në Berlin, ndërsa Edi Muka jeton midis Tiranës dhe Malmos. Shqipëria në një tranzicion të vazhdueshëm që pas rënies së komunizmit, por edhe e shkuara kanë qenë pjesë e hulumtimeve të tyre artistike. Shumë punë të Anrit kanë marrë shkas nga fëmijëria e tij në Shqipërinë komuniste. Para auditorit të zgjedhur italian, ata kanë sjellë përjetimet e tyre, për një botë ku gjuhët mund të tejkalohen nga dëshirat. Por në muret e galerisë PAC, ku u realizua dhe biseda, imazhet e Adrian Pacit e bëjnë më realë rrëfimin e tyre.

paci“Vajtocat”, një punë e realizuar në vitin 2002, duket sikur të fut në një situatë surreale. Por, në fakt, është një situatë e cila përsëritej në çdo rast morti në veriun shqiptar. Për Pacin, “Vajtocat” paraqet dialogun me vdekjen, me vdekjen tënde përmes një riti vajtimi funebër. Zhvillimi i këtij riti i takon kështu momentit më dramatik të ekzistencës sonë, atij të vdekjes. Nuk mungojnë as vepra të panjohura të krijimtarisë së Pacit, por që risjellin stilin e tij për të depërtuar në të gjitha hapësirat e fshehta.

“Vizitorët”, një video-instalacion me të cilin ka konkurruar për çmimin “Italia Arte Contemporanea” risjell imazhet e një arkivi mbi të cilin artisti ka punuar prej kohësh. “Skenat, që përbëjnë ‘The Visitors’ vijnë nga një arkiv me të cilin merrem prej vitesh dhe përmban video dasmash të filmuara në Shqipëri, në fillim të viteve nëntëdhjetë. Materiali origjinal është përpunuar dhe referimi ndaj ritit të dasmës është bërë dytësor, për të nxjerrë në plan të parë forcën vizive të shumë sekuencave që e dokumentojnë. Përmes gjesteve, sjellja rituale e njerëzve prodhon një lloj vënieje në skenë të saj. Nuk më intereson të transformoj në art skena të jetës reale, por dua të zbuloj në to çaste që, bashkë me natyrshmërinë, të kenë një fuqi sugjestionuese që të shtyjnë të reflektosh”, thotë Paci. Emigracioni, identiteti janë pjesë e punëve të artistit, i cili thotë që s’mund ta shmangë realitetin. “Unë mundohem të mos jem retorik, por i ndjeshëm. Nuk prodhoj ‘akte sensibilizimi’, por nuk shmang të tregoj ndjeshmërinë time ndaj disa tematikave të caktuara. Nuk besoj tek artisti që ‘di’ dhe u tregon atyre që ‘nuk dinë’ diturinë e vet. E konceptoj aksionin e artistit si të ishte ndarje me të tjerë të një pyetjeje, të një habie e të një ndjeshmërie të veçantë, që merr formë”, thotë ai. Ashtu si vepra e cila flet për ritin e njohur të shqiptarëve “shtrëngimi i duarve”. Një gjest që me thjeshtësinë e tij të magjeps. “Është një gjest i jetës së përditshme i pranishëm në shumë rituale: nga dasmat deri në ceremoni nga më të ndryshmet, duke përfshirë edhe varrimin. Shtrëngimi i dorës kapërcen shekuj për të arritur deri në ditët tona”, thotë ai.

Edi Muka

Edi Muka bashkë me artisten Stina Edblom ka kuruar Bienalen Ndërkombëtare të Arteve në Gothenburg. Ai është bashkëthemelues i Bienales së Tiranës dhe kurator në Tica (Instituti i Arteve Bashkëkohore në Tiranë). Muka ka qenë kurator në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe profesor në Akademinë e Arteve.

Anri Sala

Anri Sala është një prej emrave më të njohur në artin bashkëkohor sot në botë. I lindur në Tiranë në vitin 1974 ai tashmë jeton në Berlin. Këtë vit, Sala prezantoi Francën në edicionin e 55 të Bienales së Venecias. Sala ka ekspozuar në qendrat më të rëndësishme të artit bashkëkohor sot.

Më Shumë

Mbyllet studimi i fizibilitetit për teleferikun e Kalasë së Prizrenit, diskutohen hapat e mëtejshëm

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka zhvilluar sot një takim me përfaqësuesit e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), agjencisë zvicerane Swiss-Contact...

Gjendet pa shenja jete në hotel ish-ylli i Serie A

Ish-ylli i Serie-s A, Andrea Capone, ka vdekur në moshën 43-vjeçare. Trupi i tij u gjet të dielën në mëngjes në hotelin me 5...

Lajmet e Fundit