Ray Cooney, autori i njohu britanik, do të hapë këtë vit siparin e aktiviteteve të Teatrit Shëtitës me pjesën “U njohëm në internet”. Në qendër të historisë është historia e një burri, i cili është martuar me dy gra dhe me të dyja ka nga një fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Duke lundruar në internet, fëmijët arrijnë të komunikojnë për faktin e çuditshëm se që të dy kanë të njëjtin emër babai, me të njëjtin mbiemër, të njëjtën moshë dhe të njëjtin profesion. Fëmijët vendosin të takohen, madje tentojnë të hyjnë në kontakt fizik me njëri-tjetrin. Kjo është e tmerrshme për sekretin e personazhit kryesor. Premiera e shfaqjes do të jetë në fund të muajit tetor dhe do të jepet gjatë gjithë vitit në të gjitha skenat e Shqipërisë. Komedia “U njohëm në internet” e Cooney ka ardhur në gjuhën shqipe nga përkthyesja Marelba Fushekati, me regji të Kiço Londos. Regjisor asistent i shfaqjes është Endri Çela, skenografe Xhokonda Dule dhe kostumografe Berina Kokona, e cila punon për të disatën herë me regjisorin Londo. Postproduksioni do të jetë nga Anisa Canaj dhe marrëdhëniet me publikun nga Milena Selimi dhe Ada Ruçi.
Interpretojnë aktorët: Blendi Naska, Roland Saro, Ermira Hysaj, Alesia Xhemalaj, Visjan Ukcama, Xhevahir Zeneli dhe ka ardhur enkas për këtë projekt nga Italia aktorja e preferuar e Londos, Esela Pysqyli. Drejtuesit e këtij teatri mendojnë të rikthejnë adoleshentët te teatri dhe t’i bëjnë ata pjesë të diskutimit që kjo temë mbart. Është një mënyrë për t’u treguar atyre se përveç “Facebook”-ut, edhe teatri është një temë, e cila prodhon debat. Dinamika e këtij teatri do të jetë shumëdimensionale me vepra dhe protagonistë të rinj të teatrit. Ambicia shkon drejt krijimit të një skene ekskluzivisht për adoleshentët. Drejtuesit e Teatrit Shëtitës janë të vendosur të luftojnë për institucionalizimin e teatrit për adoleshentët, në të njëjtën mënyrë që ai funksionon prej vitesh jashtë Shqipërisë.
Sepse, vërtet në Shqipëri ky kapitull po hapet tani, por në vende të tjera europiane, si Holanda, Franca, Britania, teatri për adoleshentët lulëzon prej vitesh. Britanikët janë ndër iniciatorët e teatrit për adoleshentët. Mjaft shkrimtarë të njohur si: Mark Ravenhill, Philip Ridley, Alan Eigburn dhe Ursula Rani Sarma kanë shkruar drama për të rinjtë që trajtojnë problemet e moshës së tyre si, dhuna në familje, sulmet në shkollë, vrasjet apo vetëvrasjet e adoleshentëve etj., duke tërhequr vëmendjen e tyre dhe duke zgjuar fuqinë krijuese. Madje, vitet e fundit është bërë traditë që këto role të interpretohen nga të rinjtë, aktorë amatorë të moshës 13-18 vjeç.