Ahmet Jashari
Kosova nuk mund të mbahet as si shtet në vete, as bashkë me Shqipërinë, nëse shkatërrohet bazamenti i lirisë së saj. Nuk mund të ndërtohet e ardhmja duke rrënuar të kaluarën.
Kjo praktikë e ka ndjekur popullin shqiptar pothuajse gjatë gjithë historisë, prandaj aq shpesh i është përsëritur historia.
Ofensiva që ka nisur kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në këtë kohë paqeje është shumë më e rrezikshme sesa ofensivat që kishte përballuar në kohën e luftës. Kjo është ofensivë kundër lirisë së Kosovës, kundër atyre që kanë luftuar dhe kundër atyre që nuk kanë luftuar.
Kjo është ofensive kundër të ardhmes së Kosovës. Prandaj UÇK-ja duhet të mbrohet prej të gjithëve dhe më së shumti prej atyre që nuk kanë qenë pjesë e saj.
Ky është momenti i madh për ne që s’kemi luftuar.
Ndryshe ajo s’ka prej kujt të mbrohet tjetër. Heronjtë e saj na kanë mbrojtur në kohë lufte, ndërsa ne duhet t’i mbrojmë në kohë paqeje. Në kohën e luftës tentohej të zhbëhej fizikisht, ndërsa tash qëllimi është të zhbëhet psikikisht, të mos ekzistojë as si kujtesë, apo të paktën të kujtohet si diçka e keqe, kriminale, etj.
Tash nëse nuk e mbrojmë ne, kush do ta mbrojë atë? Të rënët nuk ngrihen edhe një herë, prej të shpëtuarve disa janë duke luftuar për ekzistencë, disa të tjerë nëpër burgje, disa të tjerë të korruptuar e disa të tjerë të akomoduar. Kushdo qoftë prej këtyre grupeve nuk ka përgjegjësi më të madhe për ta ruajtur UÇK-në sesa ne që s’kemi qenë në UÇK. Nëse atyre nuk u duhet, na duhet neve.
Instrumentet tashmë nuk janë në dorën e ushtarëve, ata e kanë kryer të veten në kohën e luftës.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës duhet të mbrohet jo për hatër të së shkuarës, por për hatër të së ardhmes. Ajo duhet të ndahet nga partitë politike, duhet të ndahet nga rajonet, duhet të ndahet nga emrat e përveçëm. Është e popullit shqiptar qoftë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginë të Preshevës dhe kudo në botë.
Kujt i duhet dhe kujt i shërben shkatërrimi i UÇK-së? Gjatë luftës ka qenë e qartë se ka qenë Serbia ajo që ka dashur ta shkatërrojë, po tash!? Për shkak të disa çlirimtarëve të korruptuar nuk mund të pranohet lufta e udbashëve të rehabilituar.