11.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Unë i besoj Ajnishahes!

Shkruan: Imer Mushkolaj

Me punën e saj, Ajnishahe Halimi ka treguar se është një grua me integritet dhe me vlera që nuk mund t’ia mohojë askush. Andaj unë, ndërmjet asaj e Vetëvendosjes, i besoj Ajnishahes. Iu besoj punës dhe argumenteve të saj. I besoj fuqisë së një gruaje si ajo, që iu ka bërë ballë sfidave shumë më të mëdha, e lëre më ca diktatorëve të vegjël

Ajnishahe Halimin nuk e njoh personalisht, por kam njohuri për veprimtarinë e saj. Sidomos që nga viti 2010, kur me iniciativën e saj u organizua nënshkrimi i peticionit nga më se gjashtë mijë qytetarë, për largimin e hoxhës Kastriot Duka nga xhamia e fshatit Marinë të Skënderajt. Hoxha po vepronte jashtë juridiksionit të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe po manipulonte në emër të fesë, duke i mbuluar me shami vajzat 6-7 vjeçare. Ajo qysh atëherë alarmonte për rrezikun që vendit po i kanosej nga radikalizmi fetar.

Të ndërmarrësh para pesë vjetësh një iniciativë të tillë, që përfundoi me dëbimin e hoxhës në Shqipëri, nuk ka qenë hiç e lehtë për Halimin. Siç nuk ka qenë e lehtë për të as inkuadrimi në Lëvizjen Vetëvendosje dhe aktiviteti i saj brenda këtij subjekti politik, në një mjedis si Skënderaj ku të gjitha partitë tjera nga PDK’ja dominuese janë parë jo si rivalë, por si armiq.

Vetëm një “e krisur” si Halimi ka mundur të marrë një vendim të tillë, që të punojë për VV’në dhe ta udhëheq atë në zemrën e PDK’së. E sharë dhe e fyer nga militantë partiakë rivalë, por e respektuar nga banorë të Drenicës, ajo ia ka dalë që Lëvizjen Vetëvendosje ta fuqizojë atje, ndërkohë që me me aktivitetin e saj prej asambleisteje komunale ajo vetëm sa ka konfirmuar të qenit simbol i gruas së fortë dhe të guximshme, e cila nuk kishte frikë të përballej me të keqen. Simbol i gruas që lufton pandërprerë për të mirën e komunitetit, të mirën e shtetit.

Por, të gjitha këto nuk mjaftuan për “ideologët” e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët nisën betejën kundër Halimit vetëm pse ajo pati guximin të kritikojë, vetëm pse pati guximin të shpreh mendimin e saj të lirë ndryshe nga mendimi bllok i Vetëvendosjes.

* * *

Të enjten ajo u përjashtua nga partia. Shefat e saj ia gjetën “vegëzën” në statut, komisione, dispozita, paragrafë e pika dhe Halimi u flak nga VV’ja. Paraprakisht u akuzua për shpifje e keqpërdorime financiare. Ia përmendën vendosjen e selisë së VV’së në Skënderaj, në pronën e një të afërmi të saj, ndërkohë që fort mirë dihet se është e vështirë të gjesh tjetër vend për zyrë të VV’së atje. I thanë se po shpifte edhe për pagesat kesh, ndërkohë që ajo ofroi fakte që dëshmonin të kundërtën. Nga një grua e rëndësishme dhe aset fort i çmuar për partinë, ajo u shndërrua në shpifëse, rrenacake e keqpërdoruese.

Halimi nuk pranoi t’iu nënshtrohet metodave speciale, me të cilat ballafaqohen të gjithë ata që guxojnë të mendojnë ndryshe nga kryesia e partisë. Ajo refuzoi t’i nënshtrohet diktatit. Ajo nuk pranoi as të bëjë autokritikë, një metodë që mendohej të ketë perënduar bashkë me sistemin komunist. Kur e panë se nuk dorëzohej, “ideologët” ia shpikën keqpërdorimet, e sulmuan shumë ulët, fëlliqtë. Por, ajo vazhdoi e vendosur të thotë se, pavarësisht vendimeve që ishin ndërmarrë ndaj saj, do të vazhdonte të punonte për Vetëvendosjen.

Të përpiqesh ta denigrosh dhe ta përjashtosh nga partia një grua të guximshme si Ajnishahe Halimi, vetëm pse ka shprehur mendimin e saj të lirë, është më shumë se mjerim, është poshtërsi e llojit të vet. Ajo nuk e ka merituar të “shpërblehet” kështu për gjithë punën e bërë në rrethana aspak të lehta.

* * *

Lëvizja Vetëvendosje mund të gjejë arsyetime e arsyetime, se pse e ka përjashtuar Halimin nga radhët e veta. Por, ky vendim do të mbetet një njollë e zezë në historikun e partisë. Me përjashtimin e saj, VV vetëm ka treguar se sa pak e çmon angazhimin e aktivistëve si ajo dhe se si nuk e duron kritikën dhe mendimin ndryshe të anëtarësisë, pavarësisht se mund të jenë të dobishme për subjektin politik. Me këtë veprim, VV ka treguar se vetëm deklarativisht promovon debatin, ndërkohë që praktikisht zbaton diktatin.

Me përjashtimin nga Lëvizja Vetëvendosje, ajo nuk ka humbur asgjë, por VV ka humbur shumë. Gjatë aktivitetit të saj prej politikaneje, ajo ka treguar se është shumë më e fortë dhe shumë më e dinjitetshme se disa aktivistë të tjerë vendës e të importuar që shfaqen si “ideologë”, por që s’janë gjë tjetër veç të frustruar e që nuk durojnë të tjerë që mendojnë ndryshe nga ata, nuk durojnë të tjerë që mendojnë me kokën e vet.

Me punën e saj, Ajnishahe Halimi ka treguar se është shumë më e fortë se konjukturat partiake që flasin për demokraci, e veprojnë si në diktaturë. Ajo ka treguar se është shumë më e guximshme se ata që forcën zgjedhin ta provojnë mbi një grua që nuk pranon t’iu nënshtrohet metodave të tejkaluara që ata i përdorin për disiplinim.

Me punën e saj, Ajnishahe Halimi ka treguar se është një grua me integritet dhe me vlera që nuk mund t’ia mohojë askush. Andaj unë, ndërmjet Ajnishahe Halimit e Vetëvendosjes, i besoj Ajnishahes. Iu besoj punës dhe argumenteve të saj. I besoj fuqisë së një gruaje si ajo, që iu ka bërë ballë sfidave shumë më të mëdha, e lëre më disa diktatorëve të vegjël.

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/oped/une-i-besoj-ajnishahes-91263/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Më Shumë

Dërgohet në mbajtje shoferi i veturës së përfshirë në aksidentin ku mbetën të vdekur dy persona në Suharekë

Një aksident mes një motoçiklete dhe një veture ka ndodhur në Shirokë të Suharekës ku si pasojë kanë vdekur dy persona, të dielën. Lajmin për...

Ballkani fiton dhe ruan kreun e tabelës

Fitore e rëndësishme e Ballkanit në udhëtim te Gjilani sot. Skuadra suharekase takimin e sotëm e fitoi 0-2 (Nazmi Gripshi 49’, Lumbardh Dellova 81’), për ta ruajtur kështu kreun e...

Lajmet e Fundit