Varroset punëtori që humbi jetën në Prizren

Shpëtim Gashi nga Peçani i  Suharekë është varrosur sot në vendlindje. Ai  humbi jetën në vendin e punës në një kompani ndërtimi në Prizren. Dyshohet se ka rënë nga lartësia e një objekti në ndërtim e sipër në komunën e Prizrenit.

 

Policia ka njoftuar se lidhur me rastin janë intervistuar tre të dyshuar dhe me vendim të prokurorit kujdestar, njëri prej tyre është dërguar në mbajtje, ndërsa dy të dyshuarit e tjerë janë liruar në procedurë të rregullt. Ndërkohë, familjarë të të ndjerit të cilët kishin hapur të pamen në Suharekë kanë rrëfyer për RTK-në se si e kanë gjetur të ndjerin në vendin e ngjarjes.

Nga kjo ndërtesë e lartë që ishte duke u ndërtuar nga një kompani ndërtuese dyshohet se ka rënë dhe ka humbur jetën 30-vjeçari Shpëtim Gashi nga Peçani i komunës së Suharekës . Daja i viktimës, Zenel Daka, thotë se ka mbërritur i pari në vendin e ngjarjes dhe e ka parë trupin e nipit të tij të vdekur….

“Ka hec nëpër skele, mas dy kateve ka dal në bllok tjetër, përmes asaj fosnje, qysh po flitet, nuk e di unë, por e ka lyp rrugën më të shkurt , por nëse ato skele ishin kanë mbullur, ai nuk ka mundur me dal aty po ka mndur me shkua në rrugë tjetër …Ka pas plagë në krye shumë, kamën e djathtë ekishte të thyme krejt, unë e kam pa, e kemi la me hoxhën”, thotë daja i viktimës, Zenel Daka .

Shpëtimi ishte djalë i vetëm i familjes, ndërsa kishte gjashtë motra. Kushtet ekonomike më parë i kishte të rënda, thotë Daka.

“Ka jetua më herët në shumë kushte të vështira, vetë Shpëtimi u rrit me shumë fukarallëk , i vetmi djalë mas gjashtë çikave, tash me ndihmën e tij që ka nis me punua e u rrit, kanë përparua mirë, ka mbarua një shtëpi , një jetë normale, nuk ishte i martuar, ne e kemi prit një dirsëm prej tij”, thotë Daka.

Telefonat e kompanisë ndërtimore nuk kanë qenë të qasshëm këtë vikend, por policia ka njoftuar se për rastin janë intervistuar tre persona, ndërsa është ndalur në mbajtje njëri prej përfaqësuesve të kompanisë .

“Në vazhdën e hetimeve , sektori i hetimeve rajonale , ka shoqëruar në sektorin e hetimeve rajonale 3 persona , ndërsa njëri nga të dyshuarit është ndalur me urdhër të prokurorit të shtetit , ndërsa tani e tutje hetimet po udhëhiqen në koordinim me prokurorin e shtetit , ndërsa rasti po trajtohet si asgjësim , apo heqje dhe dëmtim i paisjeve të cilat e rrezikojnë jetën në vendin e punës”, thotë zëdhënës i policisë rajonale në Prizren, Vesel Gashi.

Shpëtimi është varrosur në varrezat e fshatit pas obduksionit në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Sipas policisë, vetëm këtë vit, në Prizren dyshohet se kanë humbur jetën dy të rinj që kanë rënë nga lartësia në vendin e punës , ndërsa ka pasur një numër të konsiderueshëm të të lënduarve. Në nivel vendi vetëm në 6 muajt e parë të këtij viti 5 persona kanë vdekur në vendin e punës derisa 176 u lënduan.

Më Shumë

Prizreni pret takimin trepalësh të Avokatëve të Popullit të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

Institucioni i Avokatit të Popullit të Kosovës do të mbajë sot në Prizren takimin trepalësh të Avokatëve të Popullit të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë...

Malisheva përballet sot me Rilski Sportist, pas fitores ndaj Sepsi OSK

Pas një starti pozitiv në fazën përgatitore, FC Malisheva do të zhvillojë sot testin e dytë kontrollues, ku do të përballet me skuadrën bullgare...

Lajmet e Fundit