13 C
Prizren
E shtunë, 10 Maj, 2025

Vdekja e tre vjeçares nga shembja e shtëpisë, nëna e saj e bënë përgjegjëse Komunën e Prizrenit

Të enjten, në Gjykatën Themelore në Prizren, ka vazhduar gjykimi ndaj ish-drejtorit për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prizrenit, Bedrija Ejupagiq, i cili po akuzohet për veprat penale, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe mos evitim i rrezikut.

Ai akuzohet se nuk i ka ndërmarr masat e duhura për sigurimin e shtëpive të vjetra në qendër të qytetit, e ku si rezultat i shembjes së njërës prej shtëpive, në qershorin e vitit 2016, kishte humbur jetën vajza tre vjeçare, Xh.G, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së enjtes, në cilësinë e dëshmitares, është dëgjuar e dëmtuara Lirie Gashi, nëna e tani të ndjerës.

Ashtu si në seancën e kaluar që ishte mbajtur më 5 shkurt 2019, edhe në këtë seancë, gjatë dëshmisë së saj, e dëmtuara Gashi ka rrëfyer për ditën kritike dhe për ankesat që sipas saj, ajo i kishte drejtuar në Komunën e Prizrenit, për gjendjen në të cilën gjendeshin shtëpitë e vjetra, ku në njërën prej tyre, për shkak të kushteve të vështira ekonomike, jetonte ajo së bashku me vajzën e saj tre vjeçare, tani të ndjerën.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit të rastit Mehdi Sefa, lidhur për ditën kritike, e dëmtuara Gashi, ka thënë se kjo ngjarje është si pasojë e pakujdesisë së organeve komunale në Prizren, pasi që siç ka thënë ajo, disa herë para se të ndodhte rasti ka qenë për tu ankuar në komunë, mirëpo sipas saj, nuk ishte bërë zgjidhje.

“Unë mendoj se komuna është fajtor në rastin tim, pasi që ata kanë qenë të informuar për kushtet e banimit, kanë qenë në vendin e ngjarjes dhe kanë ditur për rrezikun e shembjes së shtëpisë e cila ishte përball shtëpisë ku unë kam banuar. Prandaj sipas qëndrimit tim këta janë përgjegjës për vdekjen e vajzës sime, pasi që të njëjtit i kanë hequr pengesat që unë së bashku me kunatën time i kishim vendosur tek muri i shtëpisë e cila shembej”, ka thënë nëna e tani të ndjerës, Gashi.

Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit Sefa, se objekti ku e dëmtuara ka banuar, a ka pasur rrezik të shembjes, ajo ka thënë se shtëpia që kanë banuar, sipas saj, nuk ka qenë e rrezikuar, por një shtëpi tjetër, e cila ka qenë afër tyre.

Prokurori Sefa, e ka pyetur të dëmtuarën Gashi, se a e kanë premtuar zyrtarët komunalë atë se do t’iu gjejnë ndonjë strehim.

“Zyrtarët komunal nga ne kanë kërkuar që të largohemi nga shtëpia ku banonim me premtimin se do të gjejnë zgjidhje për ti vendosur në një vend tjetër, mirëpo duke u bazuar në udhëzimet e komunës nga ky objekt jemi tërhequr dhe kemi qëndruar tek njo komshi tjetër, mirëpo pasi që pamë se nuk kanë ofruar kurrfarë zgjidhje ne përsëri jemi kthyer në shtëpinë ku ishim”, ka thënë e dëmtuara Gashi.

Ajo ka deklaruar se pas lajmërimit të rastit, kanë shkuar për inspektim zyrtarët komunalë, të cilët sipas saj, i kanë larguar të gjitha pengesat e vendosura përreth shtëpisë që rrezikonte shembjen.

“Fillimisht kanë ardhur zyrtarët të cilët kanë inspektuar vendin, me ç’rast ne jemi larguar për tre ditë siç e thash edhe më lartë, mirëpo pas një kohe për afërsisht 10 dite, në shtëpinë në të cilën banonim kanë ardhur inspektorët e komunës dhe kanë larguar gjësendet të cilat i kishim vendosur më herët në shtëpinë e cila ishte në rrënim e sipër. Pra kanë hequr të gjitha pengesat që i kam vendosur unë dhe kunata ime”, ka thënë nëna e tani të ndjerës.

Duke iu përgjigjur prokurorit Sefa, lidhur me atë se pas rastit të ndodhur, në atë vend janë vendosur gypa të betonit, si pengesa mbrojtëse për mos shembjen e mëtejme të shtëpisë.

Për këtë e dëmtuara ka thënë se nuk ka njohuri se kush i ka vendosur ato, pas që siç tha ajo, pas atij rasti tragjik, ajo është shpërngulur nga aty dhe së bashku me djalin e saj ka shkuar në shtëpinë e saj në fshatin Leshan, Komuna e Suharekës, të cilën shtëpi sipas saj, e ka riparuar përmes mirëbërësve.

Në pyetjen e përfaqësuesit të saj, avokatit Gentian Krasniqi, lidhur me atë se pas largimit të pengesave nga zyrtarët komunalë, që sipas avokatit i kishte vendosur e dëmtuara Gashi me kunatën e saj, të njëjtit a kishin vendosur ndonjë barrikadë apo shirit për sigurimin e vendit të ngjarjes.

E dëmtuara Gashi, tha se pas largimit të atyre pengesave, më në atë vend nuk kanë vendosur ndonjë mjet për sigurinë e asaj shtëpie.

Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Ejupagiq, avokatit Fatmir Jëlliqi, drejt të dëmtuarës, ka thënë se shtëpia në të cilën ka banuar ajo me familje, e njëjta në mars 2015 ka qenë e djegur, dhe po ashtu sipas avokatit, edhe shtëpitë përreth kanë qenë të djegura dhe aty ka qenë rrezik për të banuar.

“Në shtëpinë në të cilën jemi vendosur ne nuk ka qenë e djegur, të paktën unë nuk e di sepse një gjë të tillë nuk e kam vërejtur, shtëpia përball e cila është shembur as ajo nuk ka qenë e djegur, por ka qenë e djegur një shtëpi tjetër e cila ka qenë fqinje me shtëpinë e cila ishte në rrezik për shembje”, ka thënë e dëmtuara Gashi.

Avokati Jëlliqi, e ka pyetur të dëmtuarën se a është e vërtetë që ajo ishte vendosur me lejen e policisë në atë objekt, dhe nëse po, a ka pasur ndonjë leje me shkrim.

E dëmtuara Gashi, tha se është e vërtetë që aty ishin vendosur me lejen e zyrtarëve policorë, pasi që siç ka thënë ajo, ata më herët kishin banuar në një shtëpi tjetër në Prizren, por nga shitja e saj ata janë detyruar të shpërngulen në këtë vend. Sa i përket lejes, ajo ka thënë se aty janë vendosur me leje verbale nga ana e policisë.

Duke vazhduar këtë, ajo tha se policia bashkë me ta kanë shkuar në shtëpinë në të cilën janë vendosur, pasi që sipas saj, ajo ka qenë e vetmja shtëpi e lirë për atë kohë.

Në pyetjen e gjykatëses Teuta Krusha, se a ka marr ndonjë kompensim e dëmtuara për rastin e ndodhur në ditën kritike, si dhe a parashtron ajo kërkesë pasurore juridike, ajo tha se komuna nuk i ka ofruar asgjë pas rastit të ndodhur, po ashtu ajo tha se si palë e dëmtuar, e parashtron kërkesën pasurore juridike.

Seancën e radhës gjykatësja Krusha, e ka caktuar më 20 dhe 21 mars 2019, prej orës 9:30, për të cilën seancë sipas gjykatëses së kësaj çështje, do të ftohen dëshmitarët e radhës për të dhënë sqarimet e tyre lidhur me rastin përkatës.

Prokuroria Themelore e Prizrenit, për këtë rast ka ngritur aktakuzë më 13 korrik 2017, ku të pandehurin Bedrija Ejupagiq, e akuzon se gjatë periudhës së janarit e deri më 6 korrik 2016, si person përgjegjës në Komunën e Prizrenit, drejtor i Emergjencave dhe Sigurisë, nuk ndërmerr masa të duhura për sigurimin e shtëpive që ishin para shembjes dhe vendosjen e pajisjeve mbrojtëse përreth tyre, me të cilën do të evitohej rrezikshmëria si dhe mbrojtja e banorëve që jetonin aty.

Në aktakuzë thuhet se si rezultat i mosveprimit dhe sigurimit të atyre shtëpive të vjetra, më 6 qershor 2016, në rrugën “Marin Barleti”, në qendër të qytetit të Prizrenit, derisa tashmë fëmija i ndjerë, ishte duke lozur rreth asaj shtëpie, e cila ishte e pasiguruar, më pas si pasojë e shembjes së saj, nga plagët e marra, humb jetën.

Me këtë, i njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 365 paragrafi 9 e lidhur me paragrafin 6 dhe 2, si dhe veprën penale “mos evitimi i rrezikut”, nga neni 370 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Krimi i rëndë në Prizren, nga QKUK-ja flasin për gjendjen shëndetësore të 11-vjeçares

Një vrasje e rëndë ka ndodhur sot në Prizren. M. Gorenc, dyshohet se e ka vrarë me thikë vajzën e tij 15 vjeçare S.Gorenc. Plagë nga...

I moshuari që u gjet i djegur në veturë është babai i prokurorit Gashi në Prizren

Gjatë ditës së sotme, një 82 vjeçar është gjetur i vdekur në veturën e tij e cila ishte përfshirë nga flakët në fshatin Leshan...

Lajmet e Fundit