9.8 C
Prizren
E mërkurë, 16 Tetor, 2024

“Vdiq e dënuara numër tre!”- Zbardhen dëshmitë e shoqeve të qelisë së bashkëshortes së Mehmet Shehut

AFRIM IMAJ/ E dënuar me procesin e fundgushtit të vitit 1983 me 25 vite heqje lirie, Fiqirete Shehu, gruaja e ish-Kryeministrit Mehmet Shehu, ndërroi jetë në burgun e Zejmenit në shtator të vitit ’88. Si gjithnjë në raste të tilla komanda e burgut merrte masa dhe bënte varrosjen në fshehtësi të plotë.

Fiqirete Shehu helmimi-drogimi-dosja

Në përcjelljen e asaj nate shtatori ka marrë pjesë vetëm gardiani I burgut dhe dy punonjës të komunales që nuk e dinin emrin e të ndjerës. Vonë shumë vonë familjarët e Fiqrtete Shehut do ta zbulonin vendvarrimin e saj në Zejman të Lezhës dhe nuk do reshtnin të mësonin diçka më shumë për rrethanat në të cilat kishte ndërruar jetë.

I pari që vuri në dyshim variantin zyrtar të vdekjes të gruas së ish-Kryeministrit, ishte Duro Shehu, vëllai i këtij të fundit, i dënuar dhe ai disa vite burg, si pjesë e grupit armiqësor antiparti të drejtuar nga Mehmet Shehu. Nga hulumtimet e para dhe kontaktet me bashkëvuajtëset e kunatës, ai përjashtoi vdekjen natyrale dhe deklaroi hapur se Fiqireten e kanë eliminuar, duke e helmuar në qeli. Prej këtej hamëndjet morën dhenë dhe vdekja e gruas së ish kryeministrit komunist mori trajtën e një legjende.

Më herët, në opinion kishte bërë bujë një video e servirur nga ministria e Brendshme, ku e veja e Kryeministrit të vetëvrarë në kushte të dyshimta, pak ditë para gjyqit pohonte me gojën e saj “skenarin” e goditjes që kishte përgatitur grupi i drejtuar nga Mehmet Shehut për të rrëzuar pushtetin popullor”. Të gjithë ata që kishin pasur mundësinë ta njihnin nga afër, habiteshin me dëshminë e bashkëshortes së Mehmet Shehut, (ish-anëtare e Komitetit Qendror të Partisë që nga prilli i vitit 1952, ish-drejtoreshë e Shkollës së Lartë të Partisë “Vladmir Iliç Lenin” në Tiranë), ndërsa pjesa më e madhe e popullit, punëtorë dhe fshatarë kudo ku ishin, e besonin verbërisht, gjithçka thuhej në atë video fantazmë, ku ajo rrëfente me bindje, komplote pas komplotesh, të ideuara nga bashkëshorti i saj dhe të tjerë, me qëllimin e vetëm për të realizuar vrasjen e udhëheqësit kryesor të Partisë, Enver Hoxhën!

Sakaq, ideatorët kryesor të këtij procesi dhe videos që iu server shqiptarëve me dëshmitë e Fiqirete Shehut, mendonin se do të mbylleshin të gjitha dyshimet për vetëvrasjen e ishKryeministrit Mehmet Shehu. Por shpejt, njerëzit do fillonin të flisnin nën zë dhe të vinin në diskutim deklaratat e saj, duke menduar se ajo po përsërite çfarë i diktonin hetuesit dhe njerëzit e Sigurimit. Ndërkohë, lindën hipotezat e para, sipas të cilave, Fiqiretja ishte e detyruar që të bënte gjithçka, me qëllim që të shpëtonte pjesën tjetër të familjes, fëmijët. Dyshimet për vdekjen misterioze të gruas së Mehmet Shehut në shtatorin e vitit ’88, do të godisnin sërish opinionin publik dhe enigma vdiq apo e likuiduan, për vite me radhë nuk do të merrte përgjigje shteruese…

ÇASTET KUR SHUHEJ GRUAJA E MEHMET SHEHUT

Ishte 11 shtator i vitit 1988, kur sapo kishte filluar të ndihej era e liberalizimit, gardiani i burgut të Zejmenit në Lezhë, do të thërriste për herë të fundit gjatë apelit, gruan që prej shtatë vitesh e gjysmë, endej nga njëri burg në tjetrin: “E dënuara numër tre”. Pas kësaj, në rrethana krejt të dyshimta, ajo ndërroi jetë, pasi pak orë më pare, nuk kishte shfaqur asnjë shqetësim. Me tej ushtarët e burgut do ta transportonin natën në fshehtësi, në varrezën e fshatit ku u varros në prani të mjekut të burgut, firma e të cilit konfirmoi vdekjen. Ato pak gra që ishin që qelinë e saj, po atë natë i trasferuan në burgun e Tiranës, duke i porositur që mos të tregonin për vdekjen e Fiqiretes.

Të nesërmen në mëngjes, oficeri i rojës teksa i paraqiste forcën drejtorit të burgut, i raportoi dhe për vdekjen e të burgosurës numër tre, siç njihej ndryshe e veja e ish-Kryeministrit. Vetëm kaq u komunikua zyrtarisht për ikjen e saj. Gjithçka tjetër për mënyrën si ndodhi vdekja nuk u zu në gojë kurrë. Ajo ka mbetur enigmatike ashtu si vetëvrasja e bashkëshortit të Fiqretetes, E ndërsa vdekja e ish-Kryeministrit, vërtitet midis vrasjes dhe vetëvrasjes, vdekja e bashkëshortes së tij, nuk dihet nëse e helmuan apo pati një vdekje natyrale, e stimuluar kjo nga torturat e vazhdueshme dhe jeta e vështirë e qelisë.

E VDEKUR, POR E PA ÇREGJISTRUAR NË GJENDJEN CIVILE

Dokumente arkivore për vdekjen e Fiqirete Shehut, janë të paktë dhe për më tepër të paplotë. “Vdiq e dënuara numër tre”, “u varros e dënuara numër tre” apo, “konfirmojmë vdekjen e të dënuarës numër tre”. Vetëm këto fraza, përmbajnë proces-verbalet e mbajtura nga komanda apo administrata e burgut të Zejmenit në Lezhë. Ndërkohë, në zyrat e Gjendjes Civile, për shumë e shumë vite mbeti e pa çregjistruar. Po kështu, në dosjen e saj, nuk ka asnjë skedë të vdekjes, apo autopsi të saj. Vetëm pasi janë bindur se ka ndërruar jetë, tre ushtarë, që bënin rojë në burg, e kanë transportuar trupin e saj, në periferi të fshatit, aty ku ndodhej një varrezë e vjetër. e në prani të mjekut të burgut kanë hapur gropën dhe pasi kanë nënshkruar procesverbalin e rastit, natyrisht duke e quajtur “e burgosura numër tre”, e kanë mbuluar në varr.

Varri mbeti pa asnjë shenjë dalluese, por pak nën sipërfaqe ishte vendosur një shishe qelqi, siç duket për të mbetur shenjë për më vonë. Më vonë, pas vitit 1990, kur nisën ndryshimet demokratike, në këtë varrezë, u gjetën edhe mjaft kufoma të tjera, ish-të burgosurish që, kishin vdekur gjatë kohës që vuanin dënimin. Siç duket, diktatura komuniste, i druhej faktit, që një ditë të vërtetat do të bëheshin publike, ndaj kujdesej të zhdukte sa më shumë prova. Thuajse të gjithë varret që janë gjetur në varrezën e vjetër, në periferi të fshatit Zejmen, kanë të njëjtën formë dhe të njëjtën mënyrë varrimi, natyrisht, duke iu vendosur një shishe qelqi për shenjë.

DYSHIMET E PARA: E KANË HELMUAR

“Fiqiretja nuk ka vdekur por e kanë helmuar”. Ka qenë Duro Shehu, vëllai i Kryeministrit të vetëvrarë në rrethana të dyshimta, që ka hedhur në opinion dyshimet e para për vdekjen e kunatës së tij. I sapo liruar nga burgu, ku vuante dënimin, ai ka hulumtuar gjatë për të mësuar të vërtetën e vdekjes së kunatës. Argumenti i fundit që e ka bindur për mënyrën si e kanë eliminuar Fiqireten, ka qenë pohimi që i ka bërë një nga shoqet e qelisë së saj, e cila kishte ndarë momentet e fundit me gruan e ish-kryeministrit Shehu. Para se të jepte shpirt, i ka treguar ajo, Fiqireten e thirrën në komandën e burgut.

Ndryshe nga momenti i largimit nga qelia, ajo ishte kthyer e dërmuar dhe me tjetër ngjyrë në fytyrë. Kjo sipas vëllait të ish-kryeministrit, tregon se kunatën e tij, para se ta helmonin e kishin droguar. E dërmuar, siç ishte në momentin e kthimit në qeli, ajo i ka kërkuar shoqes së qelisë, t’i jepte kostumin që kishte në gardërobën e sajuar të qelisë. “Pse, ku do të shkosh”, e kishte pyetur ajo kurioze, ndërsa ia kishte afruar kostumin te shtrati. “Për rrugë të gjatë, për botën tjetër”, i ishte përgjigjur Fiqiretja dhe kishte mbyllur sytë, e cila siç duket ishte informuar për helmimin, ose të paktën e ka kuptuar efektin e tij pasi e ka konsumuar.

Duro Shehu, rezervohet të përmendë emrin e personit nga e ka marrë informacionin. Të vetmet detaje që pohon për të, thotë se, ishte me origjinë nga Vlora dhe vuajtjet nëpër burgjet e komunizmit, e bashkuan me kunatën e tij. Duke vazhduar për momentet e fundit të kunatës, Duro Shehu, thotë se dëshmitarja e vetme e çasteve fatale, i ka thënë në konfidencë se: Fiqireten para se ta helmonin atë ditë e kanë droguar.

Fiqirete Shehu, 25 vite heqje lirie Vendimi i trupit gjykues

Trupi gjykues, gjatë gjykimit të çështjes, dëgjoi shpjegimet e secilit të pandehur, thëniet e shumë dëshmitarëve, administroi drejtpërdrejtë aktekspertizën, dokumente dhe prova të ndryshme materialo-shkencore, si dhe dëgjoi bisedimet e fundit, gjatë të cilave:

Prokurori kërkoi të deklarohen fajtorë të pandehurit për krimet që akuzohen dhe, në bazë të dispozitave ligjore që parashikojnë këto krime, përfundimisht të dënohen:

E pandehura Fiqirete Shehu, me 25 vjet heqje të lirisë;

– I pandehuri Llambi Ziçishti, me vdekje;

– I pandehur Nesti Naste, me 22 vjet heqje të lirisë;

– I pandehuri Skënder Shehu, me 15 vjet heqje të lirisë.

Kurse në fjalën e mbrojtjes, të katërt pranuan fajësinë e tyre për krimet e akuzuara, deklaruan se janë penduar thellë dhe kërkuan dënim më të butë.

Trupi gjykues, duke u bazuar në faktet dhe rrethanat e çështjes:

VËREN:

Nga gjykimi rezultoi plotësisht e provuar akuza në ngarkim të pandehurve, anëtarë të organizatës kundërrevolucionare të kryesuara nga armiku-poliagjenti Mehmet Shehu. Ata në mënyrë të organizuar e të vazhdueshme, për një kohë të gjatë kanë zhvilluar veprimtari kundër RPSSH-së dhe PPSH-së, duke synuar të likuidonin me dhunë diktaturën e proletariatit dhe socializmin, të vendosnin diktaturën fashiste, borgjezo-revizioniste dhe të restauronin një rend kapitalist në Shqipëri.

Të pandehurit Fiqirete Shehu, Llambi Ziçishti dhe Nesti Naste, në bashkëpunim me armiqtë e tjerë dhe nën drejtimin e tradhtarit, terroristit dhe sabotatorit Mehmet Shehu, duke shfrytëzuar edhe postet shtetërore, kanë vepruar për të minuar sigurimin e jashtëm, kanë zhvilluar veprimtari terrori, kanë sabotuar në fusha të ndryshme të veprimtarisë shtetërore, kanë propaganduar kundër Partisë e shtetit shqiptar.

Veprimtaria armiqësore e të gjithë këtyre tradhtarëve të drejtuar nga poli-agjenti Mehmet Shehu, e lidhur ngushtë dhe përbën një të tërë me gjithë veprimtaritë armiqësore, duke filluar nga armiqtë Koci Xoxe, Nako Spiro, Sejfulla Malishova, Liri Belishova, etj., e deri tek grupet armiqësore të kryesuar nga Beqir Balluku, Abdyl Këllezi, Fadi Paçrami etj.

Duke u mbështetur në të gjitha provat e administruara gjatë shqyrtimit të çështjes, gjykata arrin në përfundim se; e gjithë veprimtaria e tyre, paraqet në vetvete veprimtari plotësisht të organizuar, me karakter të qëndrueshëm, e cila udhëhiqej nga pikësynime të caktuara, veprimtari e zhvilluar në bazë të një plani të përbashkët.

Shoqja e qelisë: Ç’më tha Fiqiretja pas përfundimit të gjyqit

Ajo kishte vite që vuante nga një sëmundje e rëndë dhe rrinte tërë kohës në krevat. Asokohe, kishte kapërcyer të 80-at dhe thoshte se do të rrojë gjatë.

I kishte tjetërsuar jetën dënimi disavjeçar, ndërkohë që, çdo gjë e kishte nisur nga e para, në fillimin e viteve ’90. E dënuar dikur për deficit nga gjykata e rrethit të Tropojës, e kishte takuar për herë të parë Fiqireten në qelinë e 313. Prej këtej, u bë bashkëvuajtëse me gruan e ish-Kryeministrit dhe ndau me të, të njëjtën qeli. Kanë folur për orë të tëra bashkë, si dy gra të përvuajtura e pa shpresa.

Ruante kujtime të shumta nga brengat e Fiqirete Shehut dhe mendonte që shumë prej tyre, nuk ka për t’i zbardhur asnjëherë. Ajo pranoi të rrëfejë me kushtin për mos t’u identifikuar, për arsye të forta, siç kumtoi me një aksent verior, vetëm për disa përjetime njerëzore. Gjatë bisedës, i duhej të ndalonte disa herë ,si për të verifikuar çfarë tregonte. Ndjehej e tunduar se mos, spontaniteti e shtynte për të rrëfyer ato që mendonte se janë të panevojshme e delikate, për t’u bërë publike. Gjithsesi, ishte e përmbajtur dhe e saktë për, aq sa risillte nga shoqëria me gruan e kryeministrit, gjatë ditë-netëve të qelisë së errët…

“Mirë puna ime, deficiti, sabotimi, po me ty çfarë ka ndodhur”? Me këtë pyetje, siç thoshte, është përshëndetur për herë të parë me Fiqirete Shehun, teksa i është shfaqur në qeli bashkëvuajtësja nga veriu. “Ku ta di unë e gjora”, kujtonte përgjigjen e saj, ish e dënuara që kishte ndarë qelinë, me të venë e Mehmet Shehut. Ajo thoshte se Fiqiretja, rrinte e tronditur dhe hera-herës bënte veprime të pakontrolluara. Fillimisht, shprehet bashkëvuajtësja e saj, nuk kishte dëshirë të fliste e të rrëfehej dhe dyshonte për çdo gjë që e pyesja. Vonë-vonë, kur u miqësuam pranoi të më hapej, po përsëri shumë e rezervuar, atë e dërmonte dilema e kryqëzimit të papritur të të gjithë familjarëve të Mehmetit. “Kjo paskej qenë një ëndërr e çmendur”, kujtonte shoqja e saj, psherëtimat e Fiqiretes, ndërkohë që i kishte mbetur në kujtesë, habia për akuzën e tmerrshme, sipas së cilës, ata do të vrisnin Enver Hoxhën…

TRASFERIMI NË MESNATË I SHOQEVE TË QELISË

Vjollaca Leka nga rrethi i Elbasanit dhe Sose Demiraj nga Tropoja, dy gratë që ndante qelinë Fiqirete Shehu në çastet kur ndërroi jetë, janë trasferuar po atë natë nga burgu i Zejmenit të Lezhës në burgun “325” në Tiranë. Ato asnjëherë nuk e mësuan të vërtetën e asaj lëvizjeje të beftë dhe u mjaftuan me ato pak fjalë që u tha komandanti për një trasferim rutinë. Ato treguan më vonë se trupin e Fiqiretit e kishin mbajtur në dhomë, për t’iu bërë ekspertiza, ndaj dhe nuk mund të kishte gra të tjera rrotull. Madje, dhe rrobat e trupit të saj ia kishin mbledhur në një qese, por nuk dihet ku përfunduan…

Enveri u vuri emrat djemve të Mehmetit

Drama e familjes së Mehmet Shehut, për Fiqireten ishte pasojë e një tërbimi të papritur të Enverit. Gruaja që ka bashkëjetuar me të në qelinë e ftohtë, kujtonte se, e veja e ish-Kryeministrit, e quante alibi të pakuptimtë, qëndrimin për fejesën e të birit me Silva Turdiun. Madje, ajo i ka treguar se Enveri, bashkë me Nexhmien, kanë qenë nga miqtë e parë që, i kanë uruar për këtë fejesë. Sidoqoftë, pak kohë pas kësaj, Enver Hoxha, miku më i afër i Mehmetit, do të derdhte tërë bateritë mbi të, madje do ta kryqëzonte si, një armik të betuar të Partisë. Siç kujtonte ish-e burgosura, që kishte ndarë qelinë me Fiqreten, asnjëherë ajo dhe familjarët e tjerë, nuk e morën vesh shkakun e vërtetë të armiqësimit të papritur, të Enverit. “Ata ishin më shumë se dy vëllezër, por”, kujtonte bashkëvuajtësja e Fiqiretes, rrëfimin e saj. Ajo ka mësuar në bisedat e atyre ditëve se, Enver Hoxha, në emër të miqësisë me Mehmetin, ka bërë edhe pagëzimin e djemve të tij. Emrat Vladimir, Skënder e Bashkim, djemve të tyre, i ka thënë Fiqiretja, ua ka vënë Enveri…

Më Shumë

Sulmohet një zyrtar policor në Prizren

Një persona dyshohet se ka sulmuar një zyrtar policor në Prizren. Policia ka arrestuar të dyshuarin, dhe të njëjtin e ka dërguar në mbajtje. “Lidhur me...

Tifozët harrojnë ndeshjen, “çmenden” pas polices modele në stadium

Kolumbianja Alexa Narvaez konsiderohet si një nga policet më të bukura në botë. Në moshën 28-vjeçare, ajo shpesh ruan rendin në ndeshjet e futbollit...

Lajmet e Fundit