32.8 C
Prizren
E diel, 7 Korrik, 2024

Vdiq gjeniu, por jeton gjenialiteti i veprave të tij

Shkruan: Hajdar Mallaku

Më dridhet dora kur shkruaj për vdekjen e Ismail Kadaresë. Do të doja dhe unë si të tjerët që të jetonte më gjatë. Ishte vdekje me moshë dhe me rend, por e dhimbshme për mbarë kombin shqiptar. Jemi mësuar të na gëzojë vazhdimisht me krijime të reja, me fjalën e artë e me këshillat e urta. Jemi rritur me të, ai duke shkruar e ne duke lexuar. Por vdekja është mizore.

Vdiç gjeniu i letrave shqipe, por do të jetojë gjenialiteti i veprave të tij. Ishim të panjohur dhe na bëri të na njohë bota. Ishim të vegjël e na bëri të mëdhenj. Ishim të humbur në shtresat e nëntokës e ai me durimin e një arkeologu, hoqi kokërr për kokërr dheun e harresës dhe me durim, me guxim e dije, zbërtheu mite, legjenda, balada, gojëdhëna, fakte të fshehura të historisë që nga lashtësia e deri në ditët e sotit, ligje kanunore e vlera të tjera të arta të etnitetit tonë kombëtar dhe ia prezentoi botës.

Proza, poezia (që sipas tij ishte stacioni i fundit), eseja, kritika, intervistat, bisedat, mendimet filozofike, komentet e çdo krijim tjetër (me përjashtime të vogla që i ka pranuar dhe vetë) ishin krijime dinjitoze që i jetojnë kohës.

Hamendeshim ne si foshnje kah të ecim: kah Lindja a kah Perendimi. Na mori për dore të na drejtojë kah Perendimi (sado që bëmë naze dhe u përlotën disa), se “Dielli lind andej kah perëndon”. Kështu thoshin Rilindasit, kështu thoshte dhe ai.

E kishim në ballë kur flisnim me botën, prandaj dhe bota e pranoi në gjirin e saj. E pranuan Akademi prestigjioze, mori çmime e mirënjohje, e vlerësuan lartë mendjet më të ndritura të botës, madje dhe armiqtë e kombit tonë dhe të tij.

E fajësuan se ishte shkrimtar i oborrit. Po oborri kishte bërllok ideologjik dhe duhej pastruar nga brenda. Nga jashtë duhej t’i bije me kokë murit. E koka duhej ruajtur. E haje burgun, ose e prekje majen e plimbit. Duhej lavduar disa herë pushtetin për ta goditur një herë e mirë dhe atë në mënyrë alegorike, me tema të largëta dhe figuracion adekuat.
E fajësuan se ishte jokamunikues, se fliste pak. Ai foli me ne shqip 88 vjet dhe me botën në 45 gjuhë. Nuk i mjaftuan fjalët që kishte fjalori, por krijoi fjalë të reja kuptimin e të cilave nuk e kontestoi askush.

E fajësuan se ishte mendjemadh dhe elitar. Po sikur të ishte mendjevogël!? Me siguri edhe ne do të ishim më të vegjël… Çka do të bënim ne si komb i vogël dhe i pazë. Atë nuk e dehu madhështia.

E fajësuan se kërkoi azil në Francë. Proceset demokratike duheshin shpejtuar se edhe një ditë në ferrin komunist ishte i tepërt. Ai shkoi në vendin e demokracisë, të kulturës dhe artit për të treguar se është qytetar i botës, si Gëte, Mojsiu, Shën nënë Tereza. Lumi i vogël nuk e rrit peshkun e madh. Prej atje kontriboi edhe për Shqipërinë edhe për Kosovën.
Sot, kur po shkunden vlerësimet për të, atë nuk mund ta ulim në piadestalin e kurdisur të secilit. Ai qëndron fort si Ante në piadestalin që e ndërtoi vetë.

E ata që folën keq, me tendencë, që shpifën, që gjelozuan e hëngshin gjuhën e tyre! Iu thaftë fjala në gojë! Dielli shkëlqen e nuk përlyhet.Kadare kombin shqiptar e la më mirë se kurrë. Jo në nivelin e pritur, por duhet të punojmë.

Urojmë që mësuesin e madh ta trashëgojnë nxënës të mëdhenj, se letërsia e tij do të jetë bazë që të riprodhojë letërsi të re si veprat e shkrimtarëve të mëdhenj: Homerit, Dantes, Shekspirit etj.

Ngushllime familjes, ngushllime kombit shqiptar. Pushoftë me madhështi në Panteonin shqiptar…

 

Më Shumë

Lajmet e Fundit