18.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Vepra e Podrimës vjen në frëngjisht me “Viatique”

AliPodrimja-shkrimtarNë kuadër të Javës së Bibliotekës, poezia e Ali Podrimës ka ardhur në gjuhën frënge, e titulluar “Viatique”. Sali Bashota, profesor në Universitetin e Prishtinës, ka deklaruar para të pranishmëve se Ali Podrimja është poet që e ka krijuar teorinë e krijimit dhe shkrimit të tij, ku në poezinë e shkruar nga ai mbizotëron një shqiptim i zjarrtë i ndjenjave, të cilat synojnë zbërthimin e reales dhe projektimin e imagjinatës.

Poezia e tij thuhet se është epitomë e hermetizmit ku metaforat përbëhen nga disa nivele dhe nën-nivele kuptimore, ndërkohë periudha vendimtare për formimin shpirtëror dhe intelektual të këtij poeti janë vitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar. Rrethanat e vështira politike gjatë viteve ‘60 dhe ato familjare më pas, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në poezitë e poetit të madh shqiptar Ali Podrimja. Vdekja e të birit, Lumit, rezultoi me veprën më të bukur të tij gjer më sot, e cila titullohet “Lum Lumi”.

Vargjet e dhjetëra poezive të shkruara nga dora e poetit Ali Podrimja, që karakterizohen nga thjeshtësia, rima e padukshme dhe simbolet e papritura janë të përkthyera tashmë në gjuhën franceze në një libër me mbi njëqind faqe.

Vepra e përkthyer në frëngjisht e përbërë nga poezitë më të bukura të shkruar nga Podrimja është promovuar të martën pasdite në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, në kryeqytet në kuadër të edicionit të dymbëdhjetë të Javës së Bibliotekës së Kosovës.

Shiu i përzier me borë në mesprillin e këtij viti, nuk ishte bërë pengesë për adhuruesit e flaktë të poezisë shqipe të marrin rrugë për t’i dëgjuar disa vargje të Ali Podrimjës i cili para dy vitesh vdiq në rrethana ende të panjohura.
“A qanë burri”; “Reliktet e fundshekullit”; “Ura e artë”; “Loja e pakryer”(kushtuar Anton Pashkut), ishin këto disa poezi të Podrimjës të cilat janë lexuar me mjeshtëri nga aktori, Sylë Kuqi.

Me lot në sy e ka nisur fjalimin e tij, profesori francez, Alexandre Zotos, teksa kujtonte takimin e parë me poetin e poezisë mahnitëse “Unë biri yt Kosovë”.

“Kanë kaluar plot njëzet e pesë vite që kur isha për herë të fundit në Kosovë dhe atë botë u njoha me Aliun përmes akademikëve Eqrem Basha dhe Rexhep Ismajli”, theksoi Zoto gjersa s’po arrinte t’i ndalte lotët që i rridhnin nëpër faqe.
“Botën e vet poetike poeti e artikulon përmes një sistemi figurativ të konsoliduar veçanërisht me simbolin dhe metaforën, e po ashtu edhe me një shkallë mjaft të lartë ndjeshmërie. Para shumë vitesh, më kujtohet një ditë kur Aliu më tha “dëgjo Aleksandër, idealin tim të shkrimit do ta kuptosh pas shumë vitesh”, ndërkohë unë kam një lutje për ju, lexoni dhe rilexoni sa më shpesh që mundeni poezitë e Ali Podrimjës që është përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare, poeti me emër edhe në shkallë ndërkombëtare”, i tha këto fjalë francezi Zotos, pasi mblodhi vetën nga emocionet e kapluara për poetin e njohur shqiptar Podrimja.

Sali Bashota, profesor në Universitetin e Prishtinës, ka deklaruar para të pranishmëve se Ali Podrimja është poet që e ka krijuar teorinë e krijimit dhe shkrimit të tij, ku në poezinë e shkruar nga ai mbizotëron një shqiptim i zjarrtë i ndjenjave, të cilat synojnë zbërthimin e reales dhe projektimin e imagjinatës.

“Në projektimin e ideve të tij krijuese, Podrimja gjithnjë e kërkon materien, esencën për të funksionalizuar ligjërimin poetik nëpërmjet pamjeve dramatike dhe imazhit tronditës. Shkrimi i tij është aventurë krijuese ndërmjet fatit e realitetit. Vepra e tij “Lum Lumi”, është jetëshkrim i poetit në udhëtimin e tij prometeik përbrenda universit të fjalës. Këtu asgjë nuk lëviz më shumë se dhembja. Ajo shkallë-shkallë bëhet rimarrje emocionale midis jetës e vdekjes, në pozicionin e monologut dhe dialogut”, ka pohuar Bashota duke shtuar më pas se duke e zbërthyer poetikisht kuptimin ekzistencial të jetës, poeti i sipër-cekur gjithnjë i situon shenjat e fatit të qenies njerëzore.

“Duke qenë poet, i cili deri në fund e zbërthen arketipin e legjendës për atdheun edhe me librat e tjerë poetik, e sidomos me “Lum Lumin”, Ali Podrimja ka mbërritur të ngjitet lart në majat e poezisë shqipe, gjithmonë me fuqinë e meditimit të tij lirik, me madhështinë e ideve, me vlerat emblematike të poetikës së tij të përveçme”, ka thënë ish-drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Bashota. Libri që sjell Podrimën në gjuhën frënge është botuar nga shtëpi botuese franceze “Fondencre Colletion”, ndërkaq libri mund të gjendet edhe në Kosovë, përkatësisht në librarinë “Dukagjini”
Ali Podrimja është i lindur më 1942 në Gjakovë ku edhe kaloi atje rininë. Studioi Gjuhë dhe Letërsi shqiptare në Universitetin e Prishtinës, ku dhe jetoi gjatë tërë jetës në kryeqytet. Më 1961, ai botoi përmbledhjen e parë me vargje elegjiake “Thirrje”. Më pas vijnë përmbledhjet “Shamijat e përshëndetjeve”(1963), “Dhimbë e bukur”(1967), “Sampo”(1969), “Torzo”(1971) etj., deri në veprën e tij mjeshtërore “Lum lumi”(1982), që shënoi një kthesë në poezinë bashkëkohore shqiptare. Në vitet ‘80 e ‘90 ai do të vazhdojë të botojë libra poetikë si “Zari”, “Buzëqeshje në kafaz” etj., deri te dy librat në prozë “Burgu i hapur” (1998) dhe “Harakiri” botuar në vitin (1999).
Më datën 18 korrik 2012, Ali Podrimja ishte zhdukur pasi kishte marrë pjesë në një festival prestigjioz për poezi në Francë. Pas kërkimeve të pareshtura të autoriteteve franceze, më 21 korrik 2012, u gjet trupi i pa jetë i shkrimtarit.
Sidoqoftë, aktivitetet e Javës së Bibliotekës së Kosovës do të vazhdojnë me ligjërata dhe ekspozita. Të mërkurën në ora 10:00, në BK “Pjetër Bogdani”, do të hapet një ekspozitë e skulptorit Destan Gashi me titullin “Legjenda e Rozafës dhe histori të tjera”. Ndërkohë, disa aktivitete nën kornizat e programit të kësaj jave do të mbahen nga ora 11:30, do të zhvendosen për t’u mbajtur në Bibliotekën Komunale të Vushtrisë.

/KultPlus.com

Më Shumë

Policia shqipton mbi 2 mijë e 155 gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 2155 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore janë evidentuar...

Interesim i madh për t`u regjistruar në Prizren

Një ditë para përmbylljes së procesit të Regjistrimit të Popullsisë, në Prizren ka interesim shumë të madh të qytetarëve për t`u regjistruar.   Në ndërtesën e...

Lajmet e Fundit