22.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

“Kënga ime”, vazhdojnë reagimet për Çoliqin, ironizon Adrian Hila

Adrian HilaKa disa javë që në Televizionin Klan në Shqipëri ka nisur të transmetohet “Kënga ime”, një festival ky i muzikës tradicionale shqiptare dhe asaj qytetare. Ky festival, çdo të shtunë, bën bashkë emra të njohur, të dëshmuar tashmë në muzikën shqiptare, mirëpo duke mos i anashkaluar as këngëtarët e rinj, të cilët interpretojnë këngët, që cilësohen perla të muzikës shqipe.

E të shtunën që lamë pas, aty ndodhi diçka që mbase askujt nuk i kishte shkuar ndërmend. Producentët e këtij festivali kishin menduar të bënin një surprizë, duke sjellë në skenë një këngëtar nga Serbia, si mysafir special të mbrëmjes.

Ishte këngëtari Zdravko Çoliq ai që interpretoi në një skenë ku promovohet muzika e mirëfilltë shqipe. E kështu, aty u promovua edhe muzika serbe. Çoliq për publikun shqiptar solli këngë premierë.

E euforia e publikut shqiptar nuk mungoi. Çoliq u mirëprit në skenë me duartrokitje e brohoritje të shumta, gjersa gjatë performancës së tij, i gjithë publiku ishte në këmbë.

Një mikpritje të hatashme i bënë edhe nikoqirët e festivalit, e sidomos prezantuesja, e cila ishte shumë e emocionuar, pasi kishte pranë Çoliqin.

Prania e Zdravkos në “Kënga ime” zgjoi reagime dhe debate të shumta te shqiptarët e Kosovës, e sidomos nëpër rrjete sociale. Ishin të menjëhershëm statuset e shumta, ku shfaqeshin pakënaqësi nga më të ndryshmet, pasi cilësohej si joadekuat vendi ku ishte ftuar të performonte ky këngëtar.

Një gjë të tillë nuk e kanë pritur mirë as këngëtarët nga Kosova, të cilët janë pjesë e këtij festivali. Ata ndihen të ofenduar, të zhgënjyer dhe jo të respektuar. Për këtë tashmë disa nga ta kanë konfirmuar mospjesëmarrjen në festivalin “Kënga ime”

Ramadan Krasniqi – Dani, Hysni Klinaku, Yllka Kuqi kanë bërë të ditur për “Express” të KTV-së se nuk do të jenë pjesë të këtij festivali.

Hila: Shumë familje nga Kosova kanë kërkuar të bëjnë fotografi me Zdravko Çoliqin

“Express” ka kontaktuar, nëpërmjet telefonit, njërin nga producentët e festivalit “Kënga ime”, Adrian Hilën.

Duke qenë shumë i shkurtë në përgjigje, fillimisht Hila u shpreh: “Muzika nuk njeh kombësi, prania e Zdravkos te ‘Kënga ime’ nuk paraqet problem për ne. E debatet nëpër rrjete sociale nuk mund t’i ndalim, sepse edhe ne jemi bërë pjesë e këtyre zhvillimeve globale”.

E pyetjes se për çfarë arsye e kanë ftuar një këngëtar serb në një festival, i cili në thelb ka promovimin e muzikës shqipe, Hila kishte këtë përgjigje: “Shumë familje nga Kosova kanë kërkuar të vijnë në spektakël dhe po ashtu të bëjnë fotografi me Zdravko Çoliqin”.

Ndërkaq, lidhur me reagimet e këngëtarëve kosovarë dhe bojkotin e tyre që po i bëjnë festivalit, Adrian Hila i ka quajtur të gjitha të pavlefshme, përderisa, siç u shpreh, nuk e kontaktojnë stafin organizativ. “Ky është problem i këngëtarëve, bisedat e tilla janë të pavlefshme”, përfundoi Hila.

Reagimet nuk kanë munguar as nga këngëtarët, të cilët megjithëse nuk janë pjesë e festivalit “Kënga ime”, pjesëmarrja e Çoliqit i ka penguar.

Mentor Haziri, në ‘Facebook”, ka shkruar: “A thu a kish mujt me këndu ndonjë këngëtar nga Shqipëria në Beograd në ndonjë shoë, së pari nuk do të kishte ndodh, së dyti e kishin gjujt me karrika dhe se treti…Tv klan, marre”.

E për Genc Salihun, ka gjëra më të rëndësishme për t’u diskutuar sesa Zdravko Çoliq.

“Të dashtun, nuk po i ka hije askujt me qenë kaq histerik për Zdravko Colicin në Tiranë. Besoj se ka zhvillime shumë ma substanciale për me u komentu”, është shprehur Genci në “Faceook”.

Më Shumë

Zyrtare: Juventusi e shkarkon Allegrin

Juventus ka shkarkuar Massimiliano Allegri nga pozita e trajnerit. Kjo është e bërë e ditur me anë të një komunikate zyrtare nga klubi i Juventusit. Sipas...

Oleksandr Usyk shpallet kampion i padiskutueshëm i peshave të rënda në boks

Oleksandr Usyk me vendim të ndarë të gjyqtarëve shpallet kampion i padiskutueshëm i peshave të rënda, pasi arriti ta rrahë Tyson Furyn, në të...

Lajmet e Fundit