17.5 C
Prizren
E martë, 3 Qershor, 2025

Veseli: Ukshin Hoti frymëzoi lëvizjen kombëtare

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, mori pjesë në ceremoninë e vënies së gurthemelit të shtatores së prof. dr. Ukshin Hotit, në oborrin e Universitetit “Ukshin Hoti”, në Prizren.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryetari Veseli e konsideroi Ukshin Hotin njërin prej personaliteteve më të shquara të luftës sonë për liri dhe pavarësi, i cili mbeti deri në fund veprimtar i pakompromis i lëvizjes kombëtare.

“Ukshin Hoti ishte ideologu që frymëzonte këtë lëvizje me guximin e tij politik dhe mendimin e thellë intelektual. Ai ishte në kuptimin e plotë të fjalës filozofi i çështjes sonë kombëtare”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Duke bërë një elaborim të aktivitetit politik atdhetar të Ukshin Hotit dhe të qëndresës së tij intelektuale e kombëtare, kryetari i Kuvendit tha se në fillim të viteve ’80-ta, kur terrori i regjimit jugosllav po përgjakte rininë e Kosovës, ai kishte ngritur zërin e protestës e të kundërshtimit dhe nuk ishte joshur nga postet.

Kryeparlamentari Veseli shtoi se burgosja e Ukshin Hotit nga regjimi jugosllav dhe shpallja e tij ‘i burgosur i ndërgjegjes’ nga Amnesty International, më 1983, bënë që zëri i Kosovës së shtypur të dëgjohej në qendrat vendimmarrëse të botës.

“Ukshin Hoti nuk hoqi dorë kurrë nga parimet e tij, sepse gjithë jetën kishte vetëm një interes: interesin kombëtar, lirinë e popullit të tij. Në vitet ’90-ta, regjimi përsëri e burgosi Ukshin Hotin, sepse e dinte shumë mirë se filozofi i çështjes shqiptare do të bëhej filozofi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por përsëri dështuan, sepse tanimë Ukshin Hoti ishte kthyer në ikonë të lëvizjes sonë kombëtare”, tha në vazhdim kryetari Veseli.

Thënia e tij legjendare se ‘për atdheun mund të luftohet vetëm në emër të njerëzores dhe kurrsesi ndryshe’, shtoi kryetari Veseli, qëndron në themele të vetë platformës së UÇK-së, parim ky i cili bëri botën demokratike të mbështeste kauzën për çlirim në vitin 1999.

Kryetari Veseli e quajti cinizëm faktin se Serbia sot pretendon të bëhet pjesë e BE-së, ndërsa ende nuk jep përgjigje për fatin e mijëra qytetarëve të pagjetur Kosovës, në mesin e të cilëve edhe të profesor Ukshin Hotit, dhe mban në territorin e saj varreza sekrete të viktimave të pafajshme.

“Si mund të jetë pjesë e Evropës dikush që mban sekret fatin e intelektualëve të kalibrit evropian, sikurse është Ukshin Hoti? Është koha t’i jepet fund këtij cinizmi. Kosova ka të drejtë të dijë për fatin e qytetarëve të saj, ta ketë drejtësinë për ta, sepse vetëm drejtësia shëron plagët e së shkuarës, mundëson paqen dhe të ardhmen”, theksoi kryetari Veseli.

Ai shtoi se Prizreni duhet të jetë krenar që ka fatin të ketë i pari në gjirin e vet shtatoren e këtij ideologu dhe intelektuali të madh, ndërsa paralajmëroi se së shpejti një shtatore e përmasave edhe më të mëdha, do të ngrihet në mes të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës dhe Bibliotekës Kombëtare, afër vendit ku Ukshin Hoti derdhi djersën dhe shkriu mundin e tij atdhetar, intelektual e shkencor. /PrizrenPress.com/

Veseli per Ukshin Hotin

Veseli: S’do të ndalemi derisa të marrin vesh për fatin e Ukshin Hotit

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka thënë se institucionet e Kosovës nuk do të ndalen derisa të marrin vesh se çfarë ka ndodhur me fatin e Ukshin Hotit.

Ai këto komente i bëri gjatë ceremonisë së vënies së gurthemelit të shtatores së veprimtarit të çështjes kombëtare në Universitetin e Prizrenit.

“Studentë ju duhet të jeni krenar që jeni student në këtë universitet emri i të cilit tregon heroizëm mbarëkombëtar”.

“Ukshin Hoti është njeriu i mendimeve të mëdha. Ideolog i guximshëm e pioner i mendimit politik”, tha Veseli.

Ai njëherit ka bërë me dije se tek Biblioetaka Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë do të vendoset edhe një shtatore e Ukshin Hotit.

Më Shumë

63 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

Policia e Kosovës ka publikuar raportin ditor me të dhënat e përgjithshme për 24 orët e fundit, duke përfshirë statistikat e aksidenteve në trafik,...

Aksident i rëndë trafiku në Grazhdanik të Prizrenit

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të shtunën rreth orës 18:15 në rrugën “Besim Shala”, në fshatin Grazhdanik të Prizrenit, ku janë përfshirë...

Lajmet e Fundit