Ekzekutivi i Rahovecit është vetëlavdëruar për punën që ka bërë në realizimin e projekteve. Kryetari Smajl Latifi dhe drejtorët e tij, kanë vlerësuar pozitivisht të arrituart e tyre. Ata kanë raportuar edhe për punët që janë aktualisht duke u realizuar dhe për sfidat me të cilat po ballafaqohen.
Drejtori i Drejtorisë për Inspektorat Shemsi Ibrahimi, tregoi se një shtëpi banimi në rrugën “Gëzim Hamza-Piktori”, paraqet pengesë për lëvizjen e lirë të automjeteve.Ai kërkoi që pjesa e nxjerrë në pronën publike të largohet.
“Mirëpo, për shkak të mungesës së mjeteve financiare për të riaftësuar shtëpinë e banimit, pronari i shtëpisë ka kërkuar mbështetje materiale nga ne. Nëse arrijmë të sigurojmë materialin e nevojshëm ndërtimor për përshtatjen e shtëpisë, atëherë ky problem i kahershëm mund të zgjidhet. Ibrahimi po ashtu foli edhe rreth kërkesave të qytetarëve për vendosjen e pengesave në rrugë, me qëllim të rritjes së sigurisë së njerëzve në disa zona urbane”,tha Ibrahimi.
Drejtoreshë e Arsimit Besa Hoxha-Beqiri,në këtë mbledhje ka paraqitur problemin që kanë shtatë shkolla me kulme.“Gjendja nuk është aspak e mirë në këto shkolla”, tha ajo.
Sipas saj, shqetësimi më i mëdha për DKA-në është mungesa e hapësirës shkollore në shkollën e mesme “Xhelal Hajda-Toni”.“Nëse nuk është e gatshme shkolla e mesme teknike deri në shtator, atëherë do të ketë vështirësi të mëdha në këtë drejtim”, theksoi Hoxha-Beqiri. Ajo po ashtu kërkoi që të gjendet një zgjidhje për pagesën e dy pagave të mësimdhënësve që pensionohen.
Drejtori për Ekonomi dhe Zhvillim, Musa Cena, informoi se projekti përkujtimor “Maja e Shkodranit” ka ngecur dhe “nëse kompania fituese nuk arrin të përfundojë në afat punën, atëherë do të jemi të detyruar të kërkojmë ndërprerjen e kontratës”. Ai tregoi se nga kompania disa herë është kërkuar që punimet të fillojnë. “Por si duket kompania ka vështirësi serioze financiare, prandaj nuk është shprehur e gatshme të fillojë punimet”.
Drejtori i Drejtorisë për Administratë të Përgjithshme Samir Mustafa,ndërkaq informoi Latifin se nga sot nis të operojë kompania e higjienës.“Ne duhet të konsultohemi me Drejtorinë e Financave për heqjen e punëtorëve të mirëmbajtjes nga lista e pagave”.
Kryetari Smajl Latifi, kërkoi angazhim më të madh të drejtorëve për përmbylljen me sukses të disa projekteve, siç janë; “Maja e Shkodranit” , Lumi “Rimnik” , parku në Palluzhë, si dhe në të gjitha projektet të tjera kapitale. “Tenderët që ende nuk janë shpallur, duhet të publikohen sa më parë të jetë e mundur, sepse nuk mund të lejojmë që të hyjmë në sezonin e vjeshtës me projekte të papërfunduara, pasi që mund të dëmtohet cilësia e punimeve. Krahas kësaj duhet të forcohet sistemi i mbikëqyrjes, sepse nga kjo varet i tërë suksesi i projekteve”, tha Latifi.
Ai kërkoi përkushtim edhe për përgatitjen e buxhetit 2014-2016. “Pushimet e verës mund të kenë ndikimin e vet në këtë drejtim. Ne duhet të bëjmë përgatitjen e materialeve për diskutim publik, e më pas edhe në Kuvend. Kësaj çështjeje i ndihmon shumë edhe procesi i debateve me qytetarë që ne po e zhvillojmë tani e sa kohë. Ndërsa, sektori i higjienës dhe i sigurimit duhet të planifikohet në shpenzimet buxhetore për periudhën në vazhdim”, tha Latifi./PrizrenPress.com/