16.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Vetëvendosje shpalos masat antikrim e antikorrupsion nën qeverisjen e tyre

VV2014Vetëvendosje është e bindur se korrupsioni e ka pamundësuar në masë të madhe zhvillimin shoqëror e ekonomik.

Sipas kësaj partie, krimet kundër qytetarëve të Kosovës nuk vjetrohen kurrë. Nëse ata do të vinin në pushtet, qeverisja do të punonte dhe do të ndihmonte që të gjithë ata që kanë uzurpuar, vjedhur, keqmenaxhuar me vetëdije pronën dhe paranë publike, dhe prej të cilës kanë përfituar vetë, do të përgjigjen para drejtësisë.

Kështu është thënë sot në një konferencë për media ku janë prezantuar masat në planin qeverisës e ligjvënës për forcimin e rolit të Prokurorisë, Policisë, agjencive dhe institucioneve mbështesë të ligjit e rendit. Për to kanë folur lideri I lëvizjes, Albin Kurti, ish deputetja Albulena Haxhiu, I sapo ardhuri në këtë parti Avni Zogiani, si dhe Merita Mustafa e Ylli Hoxha.

“Ne angazhohemi që qytetarëve të Kosovës t’u kthehet pasuria e zhvatur nga të gjithë personat për të cilët drejtësia do të dëshmonte që e kanë bërë këtë. Policia e shtetit dhe Prokuroria kanë rol kyç në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë. Ne do ta kemi prioritet sigurimin e kushteve adekuate të punës së prokurorëve dhe të punonjësve në agjenci të antikorrupsionit, si dhe të personave kyç që janë pjesë aktive e zbatimit të ligjit”, thuhet në një komunikatë për shtyp të lëshuar nga Vetëvendosje.

Vetevëvendosje ka thënë se qeverisja e tyre do të zbatojë masat antimafia, antikorrupsion dhe për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme. Disa nga hapat kryesorë që do të ndërmarrim janë:
1. Ligji për Prokurim Publik: do të zbatohet në tërësi. Do të punohet që të thjeshtësohet në mënyrë që të jetë sa më transparent dhe lehtë i implementueshëm për zbatuesit e ligjit në Kosovë;
2. Ligji për shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së pajustifikueshme: Vetëvendosje e ka bërë gati dhe tashmë e ka dorëzuar në Kuvend “Ligjin për konfiskim e pasurisë së justifikuar dhe aplikimin e tij, pa kufizime për kohën, vendin dhe mënyrën e përfitimit.
3. Ligji Antikorrupsion: Ne do ta realizojmë hartimin e vënien në zbatim të këtij ligji i cili krijon mekanizmat për hetimin e cilitdo proces të prokurimit, dhe të zyrtarëve të administratës. Me të do t’i jepet fuqi instrumenteve për hetimet nga drejtoritë e krimit ekonomik në Polici.
4. Në qeverisjen tonë të gjitha kontratat që e kalojnë një shumë të caktuar do të kenë dy nënshkrime. Nënshkrimi i dytë do të bëhet nga Sekretari i Përhershëm i çdo autoriteti kontraktues.

Sipas VV-së, duke marrë parasysh rolin kyç që e kanë institucionet policore dhe gjyqësore në luftimin e korrupsionit në Kosovë, prioritet i Ministrisë së Drejtësisë, Financave dhe Kryeministrit do të jenë sigurimi i kushteve adekuate të punës së prokurorëve dhe të punonjësve në agjenci të antikorrupsionit, si dhe të personave kyç që janë pjesë aktive e luftimit të kësaj dukurie.

“Ne do të marrim menjëhërë inisiativa institucionale për rritjen e numrit të prokurorëve e gjyqtarëve dhe ngritjen e një programi efikas të mbrojtjes së dëshmitarëve”.

“Do të sigurohemi që t’i forcojmë mekanizmat mbikëqyrës dhe kontrollues. E po ashtu, do të kërkojmë përgjegjësi nga Zyra e Prokurorit Special, në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, për progresin në secilin rast të dorëzuar nga Agjensia kundër korrupsionit tek ky institucion”.

“Ne do të implementojmë Rregulloren për rekrutimin dhe trajnimin adekuat të zyrtarëve të prokurimit publik, të cilët duhet të kenë diplomë universitare dhe ta vijojnë trajnimin e organizuar nga Instituti Kosovar për Administratë Publike për t’u certifikuar”.

“Qeverisja jonë do të krijojë programin për specializimin e Prokurorëve dhe Hetuesve për krime specifike”.

“Policia në qeverisjen tonë konceptohet si një institucion në funksion të mbrojtjes e në shërbim të secilit qytetar, në zbatim të ligjit, e jo në shërbim të pushtetit. Policia do të garantojë zbatimin e ligjit dhe ruajtjen e garantimin e jetës dhe të gjitha të drejtave qytetare, njerëzore e politike të qytetarëve tanë. Si dhe të drejtën demokratike për protestë e për organizim politik”.

Në këtë drejtim transformimi i Policisë, sipas VV-së, është i domosdoshëm. Forcat policore të Kosovës duhet të organizohen sipas territorit me ndarjet administrative por edhe sipas fushëveprimeve të caktuara, prej atyre që luftojnë krimin e organizuar dhe terrorizmin e deri te policia pyjore dhe ajo e trafikut.

“Ne do të themelohet Akademia Policore, me cikël shkollimi 3 vjeçar (bachelor) për hyrje në shërbimin policor, me qëllim të rritjes së profesionalizmit në polici dhe marrjes së gradës”.

“Për qeverisjen tonë prioritete bazë janë sigurimi i kushteve më të mira të punës për policët, zhdëmtim adekuat në rast të lëndimeve dhe mbrojtje institucionale (ekonomike e sociale) për familjet e policëve të cilët humbin jetën në detyrë. Falë zbatimit të ligjit dhe etikës nga qeverisja jonë, Sindikata e Policisë e Kosovës do ta ketë hapësirën që të forcohet për të mbrojtur të drejtat e policëve kundrejt Qeverisë dhe partizimit. Në këtë drejtim masat afatgjatë që do të marrim për garantimin e Policisë është hartimi dhe aplikimi me përpikmëri i Statusit të Oficerit të Policisë”. /PrizrenPress.com/

Më Shumë

Data, vendi dhe ora: Gjithçka gati për duelin e parë më të madh të këtij shekulli, Tyson Fury – Oleksandr Usyk

Historia e boksit do të shkruhet më 19 maj (sipas kohës tonë lokale) kur Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk do të përplasen për titullin...

Në 11 komuna u shty afati i regjistrimit të popullsisë edhe për një javë, ASK pritet të njoftojë për planin e veprimit

Në 11 komuna të Kosovës është shtyrë afati i regjistrimit të popullsisë me kërkesë të tyre. Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur...

Lajmet e Fundit