Lëvizja Vetëvendosje vazhdon ta ketë prioritet vetingun në sistemin e drejtësisë dhe këtë premton se do të nis ta realizojë posa ta marrë mandatin qeverisës. Mirëpo, kjo parti politike nuk do të merr parasysh katër opsionet për veting që janë hartuar nga grupi punues gjatë qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti.
Ndërkohë, përfaqësues të grupit punues për hartimin e modaliteteve të llogaridhënies me përfshirjen e vetingut në sistemin e drejtësisë, thonë se nuk ka asnjë arsye që ato propozime të mos merren parasysh, duke potencuar se grupi ka bërë një punë të mirë për të adresuar çështjen e vetingut.
Pas disa muajsh pune, grupi punues kishte propozuar katër opsione për veting, ku opsioni i parë është vazhdimi i status quo-s apo gjendjes ekzistuese, opsioni i dytë adreson problemet përmes ndryshimeve ligjore që kanë të bëjnë me llogaridhënien. Opsioni i tretë parasheh mundësinë e adresimit të të metave në llogaridhënie përmes masave të kombinuara, përkatësisht, vetingut në njërën anë dhe përmirësimit të performancës dhe disiplinimit përmes ndryshimeve ligjore në anën tjetër, ndërkaq opsioni i katërt sheh si zgjidhje zhvillimin e vetingut për gjyqtarë dhe prokurorë.
Albulena Haxhiu, që ka qenë ministre e Drejtësisë në qeverinë Kurti 1, thotë se vetingun e kanë prioritet dhe se e shohin si qelës për ta kthyer sistemin e drejtësisë në shërbim të qytetarëve.
Megjithatë, ajo thotë se katër opsionet e grupit punues nuk do të jenë si pikë reference për vetingun në sistemin e drejtësisë, pasi që deklaron se në planin e tyre qeverisës parashohin diçka tjetër se si në Kosovë duhet të bëhet vetingu.
Haxhiu thotë se procesit të verifikimit përveç prokurorëve dhe gjyqtarëve do t’i nënshtrohen edhe Policia, Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës.
“Nuk do të jenë si pikë reference, jo pse dua ta neglizhojë punën e tyre, por se në programin tonë qeverisës, ne si me thënë parashohim diçka tjetër në raport se si në Kosovë duhet të bëhet vetingu. Po them edhe një herë, raporti në fjalë nuk është si me thënë dokument i mjaftueshëm për të pasur një pasqyrë të qartë se si në Kosovë duhet të bëhet vetingu, prandaj edhe personat të cilët kanë punuar në këtë grup padyshim që do të ftohen në grupet punuese, sepse Ministria e Drejtësisë nuk ka interes të punojë me një mungesë transparence, pra do të jetë transparente sepse kështu e obligon edhe rregullorja e punës së qeverisë. Do të ftohen grupet e interesit, do të ftohet pra shoqëria civile, do të ftohen përfaqësuesit e prokurorisë, gjykatave, policisë dhe të tjerë, por edhe ekspertë të tjerë pa të cilët padyshim se do të jetë e vështirë që të adresohet”, thotë ajo.
Haxhiu thotë se nuk do të ketë një grup të ri të ekspertëve, siç e kishin formuar gjatë kohës sa kanë qeverisur me vendin, por që e gjithë puna për vetingun do të nis në kuadër të grupeve punuese brenda ministrisë.
“Pa dyshim që ne do të bashkëpunojmë me të gjithë ata të cilët janë të interesuar të japin kontributin e tyre në këtë drejtim, por që kjo do të niset në kuadër të grupeve punuese brenda ministrisë ku do të ftohen të gjithë që janë të interesuar që të punojnë në mënyrë që të bëjmë më të mirën e mundshme”, thotë ajo.
Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që kanë qenë pjesë e grupit punues gjatë qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti, thonë se nuk ka asnjë arsye që raporti i punuar nga ata të mos merret parasysh.
Florent Spahija, që ka qenë kryesues i grupit punues për hartimin e modaliteteve dhe skenarëve për veting, thotë se qeveria e re duhet të merr shumë seriozisht raportin që ata e kanë përgatitur.
Ai thotë se rekomandimet që i kanë dhënë si grup punues, janë pranuar edhe nga Këshilli Gjyqësor, Këshilli Prokurorial, po edhe nga shoqëria civile.