18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Violina hesht… Shuhet patriarku

Ndahet nga jeta “Mjeshtri i Madh”, violinisti Hetem Qerimaj.

Qerimaj, i konsideruar si themeluesi i dinastisë së muzikë, është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare. Lajmin e ka bërë të ditur i biri, muzikanti i njohur, Fatos Qerimaj.

Tre vjet më parë, në një intervistë në medie, Hetem Qerimaj do të shprehej se me violinën interpretonte prej 4 dekadash.

Me rastin e 85-vjetorit të mjeshtrit, u mbajt dhe koncerti me titullin “Harku i Triumfit të Qerimajve”, që isolli përvojën e gjatë të patriarkut të familjes, pasuar deri te muzikanti më i ri i saj.

Kompozitori dhe klarinetisti Fatos Qerimaj, i biri i violinistit të madh, do të shprehej se ky koncert nuk ishte vetëm festimi i një ditëlindjeje, por edhe promovimi i artistëve të një familjeje të madhe muzikantësh.

“Tanimë, familja Qerimaj numëron 9 artistë shumë të mirë, që janë në një aktivitet gjatë gjithë kohës. Janë tre breza që e kanë trashëguar instrumentin e violinës”, – ka deklaruar ai më 2019.

Para se ai të lindte, në shtëpinë e tij kishin kumbuar tingujt e violinës, mandolinës dhe kitarës. Ndërsa gjyshi dhe babai i tij, ishin zanatçinj me emër në gjithë trevën e Përmetit, jo për vegla muzikore, por në ndërtimin e mullinjve me ujë.

Hetemi luajti fillimisht, në mandolinë. Më vonë, djaloshi nisi të shoqëronte babanë nëpër dasma. Një dyshe muzikantësh tanimë, që prenotoheshin nga bashkëfshatarët e tyre. Koha ikte dhe djali pëlqehej më shumë sesa i ati… Filarmonia Shqiptare e vuri djaloshin 15-vjeçar, në krah të muzikantëve që kishin studiuar në konservatorët më të dëgjuar të kontinentit.

Tre vjet, me pjesë operistike dhe interpretuar në koncerte të ndryshme klasike. Mbrojtja e Atdheut e thërret ushtar në një nga fshatrat e Vlorës. Nuk kalon viti dhe mjeshtri i madh Gaqo Avrazi, duke shfrytëzuar momentin që ishte në sinorin ushtarak, e sjell në Tiranë, duke i dhënë violinën e parë të Ansamblit të Ushtrisë. Dhe kur shokët e tij kryenin shërbimin ushtarak, Hetemi me violinën e tij, i binte Azisë cep më cep. Gjashtë muaj nëpër Bashkimin Sovjetik, Kinë, Kore, Mongoli etj. Ky turne i Ansamblit të Ushtrisë e “gradon” Hetemin gjeneral, menjëherë sapo kthehet në Tiranë. Teatri i Operas dhe Baletit e bën violinist të parë.

Pasardhësit, sot shkelin në shtegun që çeli mjeshtri…

Më Shumë

Dokumentari për Bekim Fehmiun, në Sarajevo Film Festival

  Filmi dokumentar “Bekim Fehmiu”, me regji nga Valmir Tertini dhe produksion të shtëpisë kinematografike “Cinemania”, financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, mban premierën boshnjake...

Osmani ia jep Medaljen Presidenciale të Meritave rock grupit ‘Oda’

Presidentja Vjosa Osmani, në një ceremoni të mbajtur dje në Presidencë, ia ka dorëzuar Medaljen Presidenciale të Meritave rock grupit “Oda” për promovimin e...

Lajmet e Fundit