16.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Vlerësohet i kundërligjshëm vendimi i Kuvendit të Rahovecit për shpalljen me interes të përgjithshëm

Ministria e Pushtetit Lokal e ka vlerësuar si të kundërligjshëm vendimin e Kuvendit të Komunës së Rahovecit, për shpalljen me interes të përgjithshëm të një pjese të një parcele në fshatin Pastasel, dhe ka kërkuar nga autoritetet komunale që këtë akt ta harmonizojë me legjislacionin në fuqi.

Në shkresën e MPL-së dërguar në adresë të kryetarit të Komunës, Smajl Latifi dhe kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Rahovecit, Afrim Dina, theksohet se kjo ministri ka pranuar për shqyrtim të detyrueshëm të ligjshmërisë së Vendimit 01-Nr.165/21 për shpalljen me interes të përgjithshëm publik pjesën e parcelës 71510066-00386-1 në zonën kadastrale Pastasel, të miratuar më datë 29 janar 2021.

“Ministria e Pushtetit Lokal, pas shqyrtimit të përmbajtjes së aktit të komunës si më sipër, vlerëson se akti i komunës është në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi”, thuhet në shkresën e MPL-së.

Tutje, ministria ka sqaruar se vendimi në fjalë është në kundërshtim me nenin 19, pika 5 e Ligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, “i cili nen parasheh që e drejta e shfrytëzimit të pronës së paluajtshme nuk mund të bartet në shfrytëzim te personat e tretë.

“Bazuar në certifikatën e pronës, parcela e cila planifikohet të shpallet me interes të përgjithshëm është në shfrytëzim të Agjencionit Pyjor të Kosovës dhe si e tillë nuk mund të bartet tek personat e tretë”, thuhet në këtë shkresë. MPL gjithashtu ka shpjeguar se edhe në rastet kur prona është në pronësi të Komunës, nuk është e nevojshme të shpallet me interes të përgjithshëm, pasi që shpallja e interesit të përgjithshëm vlen vetëm për rastet kur prona në bazë të fletave poseduese nuk është në pronësi të Komunës.

“Bazuar në të cekurat më lartë, MPL kërkon nga Kuvendi i Komunës/Kryetari i Komunës që të ndërmarrin veprime konkrete që aktin e komunës ta harmonizojnë me dispozitat ligjore në fuqi, brenda 30 ditësh nga data e pranimit të kërkesës për rishqyrtim të aktit”, thuhet në shkresën e ministrisë.

Këshilli i fshatit Pastasel, në korrik të vitit të shkuar, kishte dorëzuar një kërkesë me disa pika në organet komunale të Rahovecit, në kuadër të cilës kërkohej edhe “lejimi i një hapësire për ndërtimin e një objekti për nevoja të fshatit”.

Bazuar në këtë kërkesë, kryetari i Komunës, Smajl Latifi me 11 janar 2021 i ka propozuar Komitetit për Politikë dhe Financa dhe Kuvendit të Komunës së Rahovecit “inicimin procedurës për shpalljen me interes të përgjithshëm publik pjesën e parcelës P-71510066-00386-1 në Pastasel, në sipërfaqe prej 1000 metra katror nga sipërfaqja e përgjithshme prej 22005 metra katror në vendin e quajtur Seishte, e evidentuar sipas certifikatës së pronësisë në posedim të P.Sh.E. Kosovës, KK Rahovec, Shfrytëzues Ekonomia e Pyjeve Rahovec”.

Ndërsa në seancën e KK-së së Rahovecit të mbajtur me 29 janar 2021, drejtori për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Afrim Oruqi para kuvendarëve ka bërë të ditur se këshilli i fshatit ka kërkuar sipërfaqen prej 10 ari për ndërtimin e objektit për nevojat e komunitetit përkatësisht zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme. “Kjo është pronë shtetërore e Kosovës, që është në menaxhim të Agjencionit Pyjor të Kosovës. Këshilli i fshatit ka kërkuar prej neve të ndajmë një parcelë në sipërfaqe prej 10 ari, ku po planifikohet të ndërtohet një objekt, i cili do t’i shërbejë komunitetit të fshatit për aktivitete të ndryshme. Ftoj anëtarët që pas shqyrtimit të votojnë propozim vendimin për shpalljen e interesit të përgjithshëm”, pat thënë ai.

Pas këtij prezantimi të shkurtër anëtarët e KK-së unanimisht patën aprovuar vendimin, në të cilin pos tjerash thuhet se qëllimi i shpalljes së interesit të përgjithshëm publik të pjesës së parcelës së lartcekur do të jetë “caktimi i lokacioni për ndërtimin e objektit për nevojat e komunitetit të fshatit Pastasel”, derisa theksohej se i njëjti akt do të dërgohet për shqyrtim edhe në MPL.

https://www.koha.net/kosove/259814/vleresohet-i-kunderligjshem-vendimi-i-kuvendit-te-rahovecit-per-shpalljen-me-interes-te-pergjithshem/

Më Shumë

Bashkimi i shkon Trepçës, dy rivalët e vjetër pritet të sjellin basketboll cilësor

Sot zhvillohen dy përballje interesante në Superligën e Basketbollit kosovar. Ndeshjet janë të vlefshme për javën e 27-të të PrinceCaffe Superligës. Dita nis me derbin mes...

Rohde: Masakrat si kjo në Krushë të Madhe treguan se kishte ardhur koha për ndërhyrjen e NATO-s

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde tha se masakrat si kjo në Krushë të Madhe të Rahocecit, 25 vjet më parë ka treguar se...

Lajmet e Fundit