11.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Vrasësit serikë

Milaim ShefkiuShkruan: Milaim Shefkiu

Rrugët e Kosovës viteve të fundit janë bërë vrasësit më të rrezikshëm serikë, që për çdo ditë po marrin jetë njerëzish. Brenda çdo viti nëpër rrugët e Kosovës mbesin të vdekur mbi 150 perona, ndërsa disa qindra të tjerë ose mijëra mbesin të lënduar. Ka edhe të tillë që pas aksidenteve, nuk arrin të ngritën më në këmbë, duke i qarë familja për së gjalli.
Sipas statistikave, më shumë njerëz kanë humbur jetën për 15 vjet në liri, sesa që kanë rënë dëshmorë në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kjo tregon se diçka me këtë popull nuk është në rregull.

Nuk janë këtu rrugët e Kosovës sikurse ato të Hondurasit, Kilit apo të Kinës, që njerëzit të bien në greminë, por janë qytetarët e pandërgjegjshëm që shkaktojnë aksidente nga ngasja e pakontrolluar e makinave. Nga vdekjet në komunikacion gati gjysma janë këmbësorë të pafajshëm që bien preh e shoferëve arrogantë.

Një javë më parë, preh e këtyre ngasësve ka rënë një djalë 20 vjeçar, Valon Asllani. Jeta e këtij të riu u shua nga një vagabond ordiner, i cili e shkeli me veturë para Kuvendit të Kosovës, aty ku burrat dhe gratë e zgjedhur nga vota e popullit, bëjnë plane për të ardhmen e vendit. Valoni gjeti vdekjen në vendkalim të këmbësorëve nga një veturë, siç është deklaruar në media, që kaloi si era.

Por, nuk është vetëm ky rast, ka edhe raste të tilla gjithandej Kosovës që këmbësorët e gjejnë vdekjen nga veturat e shoferëve palaço.

Në rastin e fundit, dëgjova familjarët e viktimës, të cilët e përjetonin dyfish vdekjen e djalit të tyre, sidomos pasi që Policia e Kosovës nuk ka arritur ta identifikojë kriminelin.

Pra, “ra ky mort e u pamë”- kështu mund ta përdorin njerëzit vdekjen e Valon Asllanit për të parë efikasitetin e Policisë së Kosovës, e cila u tregua tepër e ngathët për ta zënë një kriminel që u kaloi nëpër hundë.

Pyetja është se si është e mundur që në një zonë të mbushur plot me kamera të mos identifikohet ky ngasësi i marrë. Kjo është për keqardhje, sepse e vë në dyshim efikasitetin e Policisë, segmentit më të ndjeshëm që garanton rendin dhe ligjin në vend. Në rast se kjo bëhet rutinë, dhe Policia nuk ka kapacitet për t’i zënë këta shoferë që bëjnë aksidente fatale, atëherë qytetarët marrin zemër dhe asnjëherë më nuk ndalen në raste të të njëjtës natyrë.

Nëpër të gjitha kafenetë e restorantet e vendit ky hyn, ka plot kosovarëduke bërë qejf në kohë të punës, ndërsa në rast aksidenti duhet për të pritur një orë derisa të vijë patrulla rrugore.

Është e logjikshme që në secilin rast nuk qëllon polici, por kërkohet nga institucionet që t’i menaxhojnë më mirë operacionet e policisë së trafikut. Madje në rastet e caktuara edhe t’i ndëshkojnë dyfish më shumë shoferët që nuk i përmbahen rregullave të trafikut, sidomos nëpër zonat urbane ku shpejtësia është e kufizuar.

Vdekja e Valonit, por edhe një djali tjetër 16 vjeçar në Gërmi, kërkon një fushatë sensibilizimi, një debat urgjent në Kuvendin e Kosovës, por edhe një strategji qeveritare për mbrojtjen nga vrasësit serikë.

Po i përmend këtu vetëm disa statistika. Në vitin 2002 nga aksidentet në trafik kanë vdekur 132 persona, në vitin 2006 – 178 perona, në vitin 2010 – 175, ndërsa që nga paslufta deri më tani kanë humbur jetën më shumë se 2 mijë kosovarë. Nëse edhe këto të dhëna nuk iu bëjnë përshtypje institucioneve për mobilizim, atëherë edhe këta janë bashkëpjesëmarrës në vrasjet e përditshëm.

Më Shumë

Parashtrohet kërkesa për paraburgim ndaj të dyshuarës për aksidentin në Suharekë

Prokuroria Themelore në Prizren ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarës për aksidentin në Shirokë të Suharekës, ku vdiqën...

Ylli shpallet kampion i Ligës U14 te meshkujt

Golden Eagle Ylli është shpallur kampion i Ligës U14 te meshkujt. Në finale ka mundur Grapeland me rezultat 77:60 dhe në edicionin e ardhshëm do...

Gabimi i Noes

Lajmet e Fundit