Lëvizja Vetëvendosje në Malishevë, vlerëson se Komuna është duke u qeverisur me shkelje të shumta.
“Raporti i Auditimit për vitin 2014 për Komunën e Malishevës ka gjetur shumë parregullsi që kanë të bëjnë me shkelje procedurale dhe ligjore që lidhen me punësime të parregullta, dhënie të subvencioneve pa kritere, pa monitorimi të realizimit të tyre, lidhje kontratash pa proces tenderimi,pagesa dhe transaksione të parregullta dhe sistem shumë të dobët të menaxhimit administrativë dhe financiarë”, thuhet në komunikatën e VV-së në Malishevë.
“ Të gjitha këto shkelje dhe shumë të tjera të konstatuara nga Auditori i përgjithshëm kanë dëshmuar se është dëmtuar interesi publik i qytetarëve të Malishevës dhe është shpërdoruar paraja publike e cila në bazë të këtij raporti po keqmenaxhohet nga Qeverisja Begaj dhe partneri i saj në koalicion LDK-ja”.
“Pra edhe formalisht po vërtetohet zhytja e thellë në keqqeverisje dhe keqmenaxhim e këtij pushteti lokal e cila qytetarëve të Malishevës dhe gjeneratave të ardhshme po ju kushton dhe do të ju kushton rëndë, gjë të cilën ata nuk ua kishin për borxh, sidomos kur ky pushtet erdhi me flamurin e luftimit të krimit dhe korrupsionit nga Qeverisja e kaluar e PDK- së të cilës ç’do ditë e më shumë po i ngjan sa që tashmë është bërë e pa dallueshme”.
Në vijim po i paraqesim këto shkelje e gjetura nga Auditori i përgjithshëm:
1. Komuna ka dështuar të adresojë mbi 50% të rekomandimeve të auditorit nga viti 2013.
2. Gjatë tre muajve (gusht,nëntor dhe dhjetor 2014) Komuna e Malishevës ka shpenzuar 12,238 euro për karburante apo 10,114 litra naftë për veturat private të zyrtarëve, pa evidenca të besueshme mbi sasinë e derivateve të shpenzuara, pa raport mbi aktivitetet që kanë kryer, pa procedurat që i specifikon ligji dhe pa kontroll.
3. Komuna e Malishevës nga kategoria e investimeve kapitale ka bërë pagesa për mallra dhe shërbime në vlerën prej 193,998 euro pa marrë miratimin nga Kuvendin Komunal gjë e cila përben shkelje të rëndë ligjore.
4. Komuna e Malishevës ka bërë pagesa të pa rregullta në llogari të donatorëve, pa pasur ndonjë kontratë apo faturë për punën dhe shërbimin e kryer.
5. Paraja e imtë është shpenzuar pa kontroll dhe pa procedurat e nevojshme. Sipas raportit të auditorit një shumë 9,900€ nga fondi i parasë së imtë është shpenzuar në mënyrë të parregullt si në vijim: Për shërbime të ndryshme 5,050€; Shpenzimet për informim publik 500€; Shërbime teknike 4,000€; Furnizim për zyre 283€; dhe dreka zyrtare në shumë prej 67€. “Shpenzimi i parasë së imtë për mallra dhe shërbime mbi 100€ është në kundërshtim me rregullat financiare”.
6. Komuna e Malishevës përmes procedurave të kuotimit të çmimeve, ka lidhur tri kontrata për furnizim me zhavorr me të njëjtë kompani në shuma 9,770 euro, 9,790 euro dhe 9,750 euro, duke ju shmangur qëllimisht procedurave të tenderimit të hapur duke dëmtuar buxhetin e komunës dhe konkurrencën.
7. Komuna e Malishevës i ka paguar kompanitë kontraktuese qindra mijëra euro për punët të cilat nuk janë vërtetuar që janë kryer sipas kontratës. Siç është rasti për projektin “Ndërtimi i rrugëve lokale” ku 65,520 euro janë paguar kompanisë duke u bazuar në një situacion që nuk përmbante sasinë e punëve të kryera dhe koston financiare të punimeve, rast të ngjashme ka ndodhur edhe në pagesat e situacioneve në Shkollës në fshatin Shkoze dhe Shkollës në fshatin Carrallukë si dhe në projektet tjera infrastrukturore.
8. Komuna qëllimisht nuk ka krijuar komitet të auditimit të brendshëm duke e lënë në anarki sistemin e prokurimit dhe të shpenzimit të parave publike.
9. Komuna edhe pse ka inspektoriat të ndërtimit ajo ka dështuar në implementimin e ligjit për parandalimin e ndërtimeve pa leje ku vetëm nga auditori janë evidentuar 36 ndërtime pa leje ndaj të cilave inspektorati nuk ka ndërmarr asnjë masë.
10. Shumica e drejtorive dhe sektorëve të tyre që gjenerojnë të hyra nuk posedojnë regjistra për të hyrat vetanake si dhe informatat për këto të hyra mbahen të mbyllura për publikun.
11. Komuna nuk ka një libër të protokollit për faturat dhe situcionet e pranuara para procedimit për pagesë.
12. Komuna ka bërë ndërrim destinim të mjeteve buxhetore në kundërshtim me ligjin, duke i shpenzuar ato për qëllime tjera pa marr miratimin nga Kuvendi Komunal siç është rasti i mjeteve të planifikuar për mirëmbajtjen dimërore te rrugëve të cilat janë shpenzuar në qëllime tjera pa aprovim nga kuvendi.
13. Kryetari i Komunës ka lidhur marrëveshje për bashkëfinancim të disa projekteve me donatorë “Caritas Kosova” dhe “IRD” të vilave u ka transferuar rreth Bazuar në këtë marrëveshje Komuna kishte transferuar në llogari të Caritas Kosova 200 mijë euro për të cilat nuk ekziston asnjë raport për punët e kryera nga këto organizata.
14. Komuna ka paguar 950 euro për mbulimin e shpenzimeve të ekskursionit për Qendrën e Kompetencës në Malishevë, mirëpo sipas raportit të auditorit nuk është gjetur asnjë dëshmi për këtë ekskursion madje as një kërkesë nga Drejtoria apo shkolla për këtë shumë.
15. Komuna ka paguar 13 punëtor me kontratë për shërbime të veçanta nga buxheti për investime kapitale (si transfere kapitale) për 8 muaj në shumë prej 27,526€ në kundërshtim me rregullat dhe procedurat financiare.
16. Komuna nuk posedon informata për pasurin e saj të paluajtshme dhe të paluajtshme përfshirë këtu edhe mungesën e informacioneve për numrin e automjeteve që komuna i posedon.
17. Komuna e ka përfunduar vitin 2014 me borxhe ndaj furnitorëve në vlerë prej 166,625€, që sipas auditorit kjo papërgjegjësi ka ndodhur për shkak të mungesës së kontrolleve efektive buxhetore që ka rezultuar me tejkalim të afateve kohore (30 ditë) për pagesë te shumica e faturave të pranuara.
Në bazë të këtyre shkeljeve që i adreson raporti i auditorit del në sipërfaqe kriza e rendë e qeverisjes lokale ne Malishevë e cila karakterizohet me: Jo profesionalizëm dhe papërgjegjësi, keqpërdorim dhe keqmenaxhim, korrupsion dhe nepotizëm.
Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Malishevë kërkon nga Kuvendi i Komunës që sa më parë të mbaj Seancë të jashtëzakonshme në të cilën do të trajtohen shkeljet e evidentuara nga raporti i auditorit për të cilat përgjegjësia politike është e pa shmangshme. Po ashtu ftojmë organet kompetente të drejtësisë që sipas detyrës zyrtare të trajtojnë raportin e auditorit dhe shkeljet e evidentuara nga ai.