Në një ndeshje interesante në Therandë, Golden Eagle Ylli ka mundur Vëllaznimin 83:75 (26:21, 18:17, 18:25, 21:12). Sfida u zhvillua në kuadër të javës së 12-të të Superligës së Kosovës në basketboll.
Vendasit e nisën ndeshjen më mirë dhe që në fillim krijuan epërsi prej nëntë pikësh, 15:6, derisa çerekun e parë e fituan 26:21. Ylli ngriti edhe më shumë epërsinë në periudhën e dytë, që shkoi në 12 pikë, 37:25, por mysafirët me gjashtë pikë radhazi në fund të pjesës së parë ngushtuan epërsinë në 44:38, rezultat me të cilin skuadrat shkuan në pushim.
Kuqezinjtë vazhduan me lojë të mirë dhe arritën të përmbysin shifrat në 46:52, me një seri të jashtëzakonshme, por më pas zhvillohet lojë më e barabartë, ku shifrat pas 30 minutash ishin 62:63. Lojë e baraspeshuar u zhvillua deri në dy minutat e fundit, kur therandasit ishin më të vëmendshëm dhe triumfuan 83:75.
Te Ylli u dalluan Jalen Nesbitt me 23 pikë e tetë kërcime dhe Jan Palokaj me 25 pikë e pesë kërcime, kurse te Vëllaznimi më i miri ishte Samuel Sessoms me 24 pikë.
Ylli ka shtatë fitore e pesë humbje, derisa Vëllaznimi gjashtë fitore e gjashtë humbje.