18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Ymer Doda, vatrani që e respektonin edhe kundërshtarët

Gjekë GjonlekajGjekë Gjonlekaj/New York

Në mesin e viteve ’70, në kuvendin vjetor të Organizatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra” në Boston, takova për herë të parë Ymer Dodën. Ky burrë shqiptar nga Dibra e Vogël më la disa përshtypje që nuk i harrova kurrë. Për Ymer Dodën dhe aktivitetet e tij kisha lexuar vazhdimisht në gazetën “Dielli”, ku ishte botuar edhe korrespondenca e tij e vazhdueshme. Ai mbante lidhje të rregullta me Bostonin dhe njoftonte për aktivitetet e New Yorkut me rrethe. Në vitet ’70 Ymer Doda ishte mbase vatrani më aktiv i New Yorkut. Ai punonte natë e ditë për të mirën e “Vatrës”. Shkonte shtëpi më shtëpi dhe kërkonte anëtarë për këtë Organizatë dhe pajtimtarë për gazetën “Dielli”. Kryesia e “Vatrës” në Boston e nderonte shumë Ymer Dodën për aktivitetet e tij serioze. Në atë kohë shumica e kuvendeve të “Vatrës” mbaheshin në Boston, por ndonjëherë edhe në qytetet e tjera ku jetojnë shqiptarët me shumicë. Deri në vitin 1959, kur “Vatra” kremtoi 50-vjetorin e “Diellit”, mërgimtarët shqiptarë të pas Luftës së Dytë Botërore nuk ishin të mirëpritur në këtë Organizatë. Kjo gjendje ndryshoi me rastin e këtij përvjetori të madh, sepse për këtë ceremoni ishin ftuar shumica e personaliteteve politike antikomuniste të Shqipërisë së pas Luftës së Dytë Botërore. Fjalimin kryesor në këtë përvjetor historik të “Diellit” e kishte mbajtur Imzot Noli, i cili ishte treguar shumë i matur kundrejt atyre që mbanin pushtetin komunist në Shqipëri, duke mos lënduar ndjenjat politike të mërgatës antikomuniste, që ishin ulur pranë tij në tryezën e nderit. S’ka dyshim se disa personalitete politike antikomuniste, midis tyre Ali Këlcyra, kishin mbetur të pakënaqur me fjalimin e tij.

Atë natë të gjithë u përmbajtën dhe u treguan tolerantë. Në këtë solemnitet ndryshuan përgjithmonë qëndrimet e “Vatrës” ndaj mërgimtarëve shqiptarë antikomunistë dhe antifashistë. Pas kësaj ceremonie u hapen dyert e “Vatrës” për të gjithë shqiptarët, pa dallim bindjesh politike. Shqiptarët e disa partive politike, sidomos ata të Lëvizjes së Legalitetit, u futën me shumicë në këtë Organizatë dhe pjesëmarrja e tyre ishte shumë e dukshme. Edhe disa anëtarë të “Bllokut Kombëtar Indipendent” ishin aktivë në punët e “Vatrës”. Por “zogistët” ishin më këmbëngulës se të tjerët për shumë çështje dhe ata kundërshtonin miratimin e rezolutave që ishin në kundërshtim me “Lëvizjen e Legalitetit”. Legalistët ishin shumicë dhe shumë të organizuar. Vatranët e Bostonit ishin tepër të qetë dhe, në shumicën e rasteve, kërkonin kompromis. Ata nuk kishin njohuri të verteta për gjendjen politike në Shqipëri, bile Kosova për ata ishte një shprehje gjeografike. Ndërsa mërgimtarët e pas Luftës së Dytë ishin të ashpër kundër regjimit komunist të Shqipërisë dhe pushtimit jugosllav të Kosovës.

Ymer Doda, si vatran serioz, ishte midis këtyre dy krahëve, por kishte më shumë frikë nga zogistët dhe politika e tyre dominuese në këtë Organizatë. Shumicën e kohës i kundërshtonte kërkesat e tyre. Debatet e tij me zogistët ishin të gjata, bile disa herë delegatët kërkonin nga Ymeri që të lëshonte pe, përndryshe nuk kishte zgjidhje. Por ai kishte një formulë në lidhje me lëshimin e perit. Ai thoshte: “Po lëshojmë pe, por kur të marohet lamshi çka kem për të lshuar”?

Sot e kësaj dite flitet për ”lamshin e Ymer Dodës”. Pavarësisht sjelljeve të ashpra, zogistët e nderonin. Ai kishte marrë pjesë në shumë kuvende të kësaj partie dhe ata ia kishin dhënë fjalën, pavarësisht se i fyente rëndë gjatë fjalimeve. Në një prej kongreseve të Legalitetit në New York, Ymer Doda u tha legalistëve: “Ju dhe shumë udhëheqës të partive të tjera politike nuk ishit seriozë në luftën antifashiste dhe antikomuniste. Për qëllimet tuaja të mbrapshta ju e keni lënë Shqipërinë nën diktaturë. Familjet tuaja dhe të gjithë Shqipërisë vuajnë sot nëpër burgje dhe kampe përqendrimi, sepse ju nuk u pajtuat asnjë ditë për të mirën e çështjes kombëtare. Kështu po veproni edhe në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë, të përçarë e të copëtuar si fise të prapambetura.”\

Në një moment në Kongresin 4-vjeçar të Legalitetit, Ymer Doda në fjalimin e tij tha: “Ju “trimat” e Legalitetit dhe ata të partive të tjera politike në Perëndim keni ikur me furka në brez”. Disa pjesëmarrës u zemëruan aq shumë sa kërkuan t’i fikej mikrofoni. Megjithatë, legalistët nuk ia prenë fjalën. Zogistët ishin më tolerantë se asnjë parti tjetër politike shqiptare në Perëndim. Shumica ishin njerëz të ndershëm dhe kongreset e tyre ishin të hapura për të gjithë shqiptarët.

Ymer Doda, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, kishte themeluar në Dibër një parti politike, siç e quante ai “social-demokrate” dhe bënte fushatë për fitore, por një komunist i fisit të tij, që kishte lidhje të ngushta me pushtetin komunist, e kishte paralajmëruar për çfarë mund t’i ndodhte në qoftë se nuk arratisej ato ditë. Duke parë rrezikun, Ymeri u largua menjëherë nga Shipëria dhe u vendos në Greqi, ku bashkëpunoi me shumë përsonalitete shqiptare. Pas disa vjetësh, emigroi në Shtetet e Bashkuara dhe, si të gjithë shqiptarët e tjerë, iu nënshtrua punës për ekzistencë.

Kohë pas kohe shkonte në Evropë, sidomos në Bruksel, për t’u parë me miqtë dhe shokët e tij. Kundërshtarët e akuzonin se kishte shkuar atje për t’u takuar me diplomatët komunistë të Shqipërisë. Njëherë e pyeta për ato takime. Ai tha “kurrë në jetën time nuk jam takuar me asnjë diplomat komunist shqiptar, por këto janë thash e themet e legalistëve”. Ai ishte kryelartë se në Bruksel ishte takuar disa herë me Muharem Bajraktarin. Bile, disa ditë më pare, bisedova në telefon me legalistin e orëve të para Ndrec Gjergjin në lidhje me udhëtimet e Ymer Dodës në Europë. Ndrecë Gjergji tha; “Është e vërtetë, Ymer Doda ishte takuar disa herë me Muharem Bajraktarin. Në ato takime isha edhe unë”.

Ymer Doda kishte lindur në vitin 1914 në Reç të Dibrës, në një familje të mirënjohur. Nëna e Ymerit ishte bijë nga Luma e besimit katolik. Ymeri tregonte për vizitat e nënës në Lurë. Kur kthehej nga gjinia, tregonte Ymeri, nëna sillte mish derri dhe, gjatë drekës ose darkës, ulej në sofër me ne dhe hante mish derri. Babai i thoshte: “Grua s’ka kuptim kështu, ulu diku tjetër e jo në sofrën tonë. Ti e di që ne nuk e hamë mishin e derrit”. Babai i tij ishte shumë tolerant.

Ymeri tregonte shumë për Dibrën dhe traditën e kësaj krahine legjendare. Ishte atdhetar dhe aktivist i dalluar. Merrte pjesë në të gjitha aktivitetet kombëtare dhe shoqërore. Kulmin e atdhedashurisë e tregoi pas ngjarjeve tragjike të Kosovës në vitin 1981. Tragjedia e Kosovës e kishte prekur thellë në zemër. Mbante fjalime në çdo protestë. Në perurimin e Kishës “Shën Pali” në Detroit, në qershor të vitit 1981, ku kishin marrë pjesë përsonalitetet më të shquara shqiptaro-amerikane, Ymer Doda kishte mbajtur një fjalim të fuqishëm në mbrojtje të Kosovës. Fjalimi i tij ishte frymëzim për lëvizjen e re të shqiptarëve të Amerikës për shpëtimin e popullit shqiptar në Jugosllavi. Ymer Doda i respektonte shumë shqiptarët e trojeve etnike të pushtuara. Nuk kishte paragjykime fisnore ose fetare. Ishte trim dhe shumë i vendosur, por edhe i ashpër në kundërshtime.

Në fund të viteve ’80, ishim së bashku në festën e Pavarësisë së Shqipërisë. Pranë tij, në krahun tjetër, ishte ulur editori i “Diellit” Xhevat Kallajxhi. Ymeri ishte shumë i afërt me editorin e kësaj gazete. Të nesërmen shtypi i New Yorkut shkoi për një incident të Ymer Dodës me disa hajdutë latino-amerikanë në lagjen ku jetonte. Gjatë sulmit kishte lënduar rëndë njërin nga

hajdutët, por nuk u dënua për këtë incident, sepse kishte reaguar në vetëmbrojtje. Në pallatin ku jetonte Ymeri kishte një banesë shumë komode. Kishte të gjitha pajisjet për raste urgjente. Të gjithë dashamirët e këshillonim që të largohej nga ajo lagje, sepse mund të kishte pasoja për arsye të atij incidenti. Por ai ishte këmbëngulës dhe nuk u largua. Miku i tij më besnik dhe më i dashur shqiptar në Amerikë ishte Abdyllah Kaloshi. Ky pinjoll i familjes fisnike të Dibrës i qendroi besnik deri në fund, bile edhe në ditën e vdekjes në tetor të vitit 1981.

Vdekja tragjike e Ymer Dodës më 21 tetor të vitit 1981 e tronditi shumë Komunitetin Shqiptar të Amerikës. Atë ditë Dibra dhe Kosova humbën njërin prej besnikëve më të dashur në Amerikë. Organizata Pan-Shqiptare e Amerikës ”Vatra” humbi vatranin e vërtetë, i cili për më shumë se një çerek shekulli punoi për të mirën dhe rimëkëmbjen e saj, pa kërkuar asnjë titull dhe asnjë lloj shpërblimi. Shqipëria dhe shqiptarët humbën një patriot të madh. Më 21 tetor 1981 u shua ai zë kumbues për lirinë e Kosovës. Sot, me rastin e 32 vjetorit të vdekjes, e kujtoj me respekt këtë patriot e vatran të vërtetë.

 

(Autori është ish-gazetar i “Zërit të Amerikës”, aktualisht botues e biznesmen në New York)

Më Shumë

Hapet Panairi i Librit në Prizren

Sot në qytetin e Prizrenit u hap Panairi i Librit, i cili do të zgjas deri më 28 korrik. Në këtë edicion të panairit...

Seanca e Kuvendit të Prizrenit dështon për shkak të mungesës së kourumit, pikat shtyhen për shtator

Seanca e Kuvendit të Prizrenit ka dështuar për shkak të mungesës së kourumit. Kryesuesja e Kuvendit, Antigona Bytyqi, konstatoi se vetëm 12 kuvendarë iu përgjigjën...

Lajmet e Fundit