Zëvendëskomandanti i Policisë në Dragash: Nuk pendohem !

Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për Komunën e Dragashit, Eljam Seferi, i cili akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, pasi ka lejuar t’i ikë arrestimit një i kërkuar, të mërkurën, gjatë fjalës së tij përfundimtare, ka thënë se nuk pendohet për veprimet e bëra dhe se do të vepronte sërish njëjtë.

Seferi ka thënë se sikur të gjendej sërish në një situatë të tillë ku rrezikohej jeta e njerëzve të pafajshëm, sërish do të mundohej të negocionte para se të përdorej çfarëdo mase e rrezikshme policore ku mund te kishte viktima.

Po ashtu edhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Hajrip Krasniqi, ka thënë se nga dëgjimi i dëshmitarëve gjatë shqyrtimit gjyqësor, nuk është vërtetuar pretendimi i organit të akuzës se klienti i tij ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare për t’i mundësuar përfitim personit tjetër.

Krasniqi ka thënë se nga dëgjimi i kolegëve të të akuzuarit, të arratisurit dhe bashkëshortes së tij, me padyshim është vërtetuar se i mbrojturi i tij ka vepruar në bazë të përgjegjësive që i kanë takuar si udhëheqës i aksionit. Ai ka shtuar se i mbrojturi i tij ka negociuar me të kërkuarin Mexhait Qerimin për dorëzim dhe jo për t’i mundësuar që të ikë.

Avokati tuje ka thënë se nuk qëndron pretendimi i prokurorisë se i mbrojturi i tij nuk ka kontrolluar vendin prej nga ka ikur i kërkuari pasi që sipas tij vetë policët, i kërkuari dhe bashkëshortja e tij kanë dëshmuar se ai ka bërë kontroll në objektin e lopëve prej nga është arratisur Qerimi.

Ai ka thënë se në këtë rast nuk ka pasur përfitim i ikuri pasi që i njëjti është gjetur nga policia dhe ka vuajtur dënimin dhe se duke pasur parasysh që i kërkuari vazhdimisht i është shmangur arrestimit dhe ka pasur armë në dorë në ditën kritike, veprimet e klientit të tij kanë qenë vendimtare që të mos ketë viktima.

Në anën tjetër, prokurori i rastit, Metush Biraj, ka kërkuar nga trupi gjykues që të akuzuarin Seferi ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit. Biraj ka deklaruar se nga dëgjimi i dëshmitarëve është vërtetuar pretendimi i prokurorisë se i akuzuari ka keqpërdorur detyrën e  tij zyrtare duke lejuar me dashje që të ikë i kërkuari Mexhait Qerimi nga arrestimi.

Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, ka shpallë të përfunduar këtë shqyrtim gjyqësor, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për 26 janar 2018, në ora 13:30.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren e akuzon Eljami Seferin se gjatë zbatimit të një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që t’i shkaktoj dobi personit tjetër.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Seferi, më 1 qershor 2017, së bashku me zyrtarë tjerë policor, ka shkuar në shtëpinë e Mexhait Qerimit në fshatin Bresanë të Komunës së Dragashit, për ta arrestuar sipas urdhëresës së gjykatës, por ka lejuar që i njëjti të arratiset.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Seferi pasi ka biseduar me Mexhait Qerimin rreth çështjes së arrestimit të tij, ka lejuar që i njëjti të futet në shtëpi, me pretekst që të përgatitet dhe më pas ai është arratisur.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Seferi nuk ka urdhëruar bastisjen e shtëpisë, objekteve përcjellëse dhe kërkimin e tij, por pa lënë patrullë policore për të vëzhguar shtëpinë, e urdhëron ekipin policor që të largohet nga vendi i ngjarjes./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Detaje nga rrahja në Prizren: Tre të lënduar, dy nga thika

Katër persona janë përfshirë në një rrahje që ka ndodhur sot në Prizren. Tre prej tyre kanë pësuar lëndime, dy nga thika dhe një tjetër...

Festivali i MiniBasketbollit grumbullon mbi 100 fëmijë

Për nder të 1 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) organizoi Festivalin e MiniBasketbollit, ku morën pjesë klube...

Lajmet e Fundit