Zyrtarja ligjore në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Hadije Kasumi, është deklaruar e pafajshme për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Në seancën fillestare të mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Prizren, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Metush Biraj, e akuzuara Kasumi, ka thënë se nuk e ndien veten fajtor për akuzën me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pasi që e akuzuara e ka mohuar fajësinë, gjykatësja Ajser Skenderi, e ka njoftuar atë se brenda afatit ligjor ka të drejtë të paraqes kundërshtimet si dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës.
Kurse, shqyrtimi i dytë gjyqësor është ka caktuar më 27 janar 2020, në ora 10:00.
Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 4 dhjetor 2019, Hadije Kasumi akuzohet se gjatë vitit 2018, në cilësinë e personit zyrtar, si zyrtare ligjore në MMPH, në Prishtinë, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të saj me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.
Në aktakuzë thuhet se e akuzuara më 29 mars 2018, merr vendim me të cilin shfuqizon aktvendimin e datës 21 mars 2018 të Drejtorisë për Inspeksion të Ndërtimtarisë në Komunën e Prizrenit, me ç’rast gjatë vendosjes në shkallë të dytë, me ankesë të palës nga Drejtoria e Inspeksionit dhe Urbanizmit të Komunës së Prizrenit, nuk kërkon shkresat dhe dokumentacionin e vendosjes në shkallë të parë lidhur me mosdhënie të lejes për ndërtim qytetarit Luan Morina, me ç’rast kishte për të ardhur në përfundim se në çështjen konkrete nuk ka pasur heshtje administrative rreth kërkesës për leje-ndërtim siç pretendon Morina, në padinë e kompensimit të dëmit lidhur me rrënimin e objektit.
Sipas aktakuzës, pasi Komuna e Prizrenit -Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, më 30 gusht 2017, ka hudhur kërkesën për leje ndërtimore, e pandehura me marrjen e një vendimi në shkallë të dytë e aprovon ankesën e Luan Morinës dhe e kthen çështjen në rishqyrtim, duke u bazuar vetëm në shkresat e palës, e cila ka parashtruar ankesë, dhe kështu i mundëson Morinës, në kontestin civil të kërkojë kompensimin e dëmit në shumë prej 70.000 euro për rrënim të objektit, duke dëmtuar për këtë shumë Komunën e Prizrenit. /BetimipërDrejtësi