8.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Fushata zbrazë Kuvendin

KuvendiKosoves5-27Dështimi i vazhdueshëm i seancave parlamentare, për mungesë kuorumi, ka shtyrë kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi, që të thërrasë të martën në mbledhje shefat e grupeve parlamentare, nga të cilët do të kërkojë mendimin nëse do të vazhdohet me seanca gjatë fushatës apo do të ketë pauzë. Analistët thonë se partitë politike interesat personale po i vënë para interesave të qytetarëve.

Driton Selmanaj, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka theksuar për Telegrafin se fushata elektorale është njëra nga arsyet se pse Kuvendi i Kosovës nuk po arrin t’i realizojë agjendat parlamentare. Megjithatë, sipas tij, tani është edhe një problem tjetër politik: subjektet politike që qeverisin me vendin, përmes sabotimit apo ikjes nga seancat plenare, po tentojnë ta vënë jashtë funksionit Kuvendin e Kosovës.

Ai ka vlerësuar se ikja nga seancat parlamentare, e deputetëve të koalicionit qeverisës, po bëhet me qëllim që të pengohen iniciativat e opozitës (siç është rasti i komisionit hetimor për PTK-në). Sipas tij, kjo bëhet edhe nga frika se shumica parlamentare nuk i ka numrat e nevojshëm për ruajtjen e stabilitetit qeverisës.

“Subjektet politike në qeverisje, po kërkojnë kohë për t’i përcaktuar veprimet e mëtutjeshme. Ato si duket po presin rezultatet e zgjedhjeve lokale, për të vendosur se si të veprojnë: qoftë në kuadër të Kuvendit apo edhe në institucionet tjera qeverisëse. Kjo qasje dëshmon që interesat e qytetarëve janë vënë në rendin e dytë apo tretë, kurse primare janë interesat e ngushta të individëve dhe grupeve politike, për ta kuptuar se cili është vendi i tyre sipas votave të qytetarëve. Mendoj se qytetarët nuk po arrijnë t’i njohin kandidatët për kryetarë të komunave, sepse liderët e subjekteve të tyre politike, si dhe përfaqësuesit tjerë, po i lënë ata nën hije. Duket se këta të fundit po i masin forcat në mes veti dhe po e testojnë përkrahjen potenciale të publikut për zgjedhjet e ardhshme nacionale”, ka thënë Selmanaj.

Kenan Tora, nga Lëvizja FOL, mendon se deputetët e Kuvendit të Kosovës janë përfaqësues të zgjedhur nga populli, për të përfaqësuar interesin e tyre në Kuvendin e Kosovës. Ndaj, në këtë rast, ky do të duhej të ishte “misioni i tyre primar në aktivitetin që ata zhvillojnë”.

Tora ka vlerësuar se në kohën e proceseve zgjedhore, pjesa më e madhe e vëmendjes së opinionit publik po përqendrohet tek fushata elektorale dhe zgjedhjet.

”Kjo po ndikon që temat apo proceset e tjera të mbesin nën hije dhe rrjedhimisht të kenë më pak vëmendje. Institucionet e Kosovës do të duhej të krijonin potenciale që edhe në kohë të proceseve të rëndësishme, siç janë zgjedhjet, temat dhe proceset e tjera të gëzojnë të njëjtën vëmendje, për arsye se vendi ynë gjendet në mes të proceseve shumë të rëndësishme për të ardhmen, siç është ai i integrimit evropian”, ka thënë Tora për Telegrafin.

Sipas tij, qëllimi primar i partive politike është të fitojnë pushtet apo të mbajnë pushtetin e fituar, duke shtuar se qytetarët e Kosovës do të duhej që vëmendjen më të madhe t’ia kushtojnë zgjedhjes së ofertës për pushtetin lokal, për të cilën ata mendojnë se do të ishte në shërbim të nevojave dhe një të ardhmeje më të mirë të tyre. (B.D) /Telegrafi/

Më Shumë

Nektari i luginës së harruar

Enver Sulaj Unë nuk mund të hyj në vetminë tënde As në trishtimin tim në ditën e kryqëzimit Kur turma ulërinte drejt qiellit skëterrë. Unë nuk mund ta...

Muhamed Thaçi: Besoj se Ylli fiton në fund, e mposht në finale Trepçën

Trepça dhe Golden Eagle Ylli janë me një këmbë në finalen e basketbollit kosovar pasi kanë krijuar avantazh prej 2-0 në ndeshjet gjysmëfinale ndaj...

Lajmet e Fundit