7.1 C
Prizren
E shtunë, 11 Prill, 2026

Handke – non grata në Kosovë, hero për serbët

Nobelisti nga Austria, Peter Handke, do ta ketë të pamundur rikthimin e paralajmëruar në fshatin Hoçë të Madhe. Ka mjaftuar një vendim i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës që nobelisti 77-vjeçar të shpallet “persona non grata”.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, pasditen e së mërkurës ka njoftuar për vendimin që ia ndalon hyrjen në territorin e Kosovës shkrimtarit austriak, Peter Handke.

Pavarësisht kritikave të shumta, ku ishin përfshirë institucione akademike, qarqe letrare e emra të njohur shkrimtarësh ndërkombëtarë, në Graçanicë të martën në Shtëpinë e Kulturës ishte mbajtur një akademi solemne, në të cilën shkrimtari, mohues i gjenocidit, ishte vlerësuar si alamet krijuesi e “apostull i së vërtetës”.

E burime të “Kohës Ditore” kanë bërë të ditur se Kisha Ortodokse Serbe veç i ka bërë Handkes ftesë për të vizituar Kosovën.

Në vitin 2013, komuniteti artistik i Kosovës kishte kërkuar shpalljen “non grata” edhe të regjisorit serb, Emir Kusturica, i njohur për qëndrimet e tij nacionaliste në projektet e tij filmike. Si shkas ishte bërë paralajmërimi i tij se do të xhironte një film me temë mbi trafikimin e organeve njerëzore që ua atribuonte shqiptarëve të Kosovës. I menjëhershëm kishte qenë reagimi i kryetarit të asokohshëm të Unionit të Artistëve të Kosovës, Lirak Çelaj, i cili kishte kërkuar që Kusturicës t’i ndalohej hyrja në Kosovë.

“Është e vërtetë se kam kërkuar publikisht në atë kohë që Kusturica të shpallej ‘persona non grata’, për shkak të qëndrimeve të tij publike pro luftës dhe gjenocidit që bëri Serbia ndaj shqiptarëve, boshnjakëve e të tjerëve. Por, me sa di unë, institucionet nuk kanë ndërmarrë diçka në këtë drejtim”, ka thënë Çelaj për gazetën.

Ai ka vlerësuar vendimin e MPJ-së kundrejt Handkes, duke thënë se ky parim duhet të mbahet ndaj secilit përkrahës të Milosheviqit.

Sado që nuk është bërë e ditur, dhjetëra persona tashmë janë të përfshirë në listën e të padëshiruarve në territorin e Kosovës. Kjo listë e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës përfshin kryesisht emra zyrtarësh, politikanësh e ushtarakësh serbë. Në krye të listës së të padëshiruarve është emri i politikanit ultranacionalist serb, Vojislav Sheshel, ish-gjeneralit të Armatës serbe, Lubisha Dikoviq, ministri i Brendshëm, Aleksandar Vulin dhe ai i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq. Në maj të këtij viti, lista ishte përditësuar edhe me emrat e kryeministres aktuale serbe, Ana Brnabiq dhe shtetasit rus, Mikhail Krasnoshchenkov, punonjës i UNMIK-ut që ishte arrestuar nga Policia e Kosovës gjatë aksionit kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar në veri të vendit.

Më Shumë

Hedh mbeturina në hapësirë publike, gjobitet me 200 euro dhe detyrohet t’i pastrojë në Suharekë

Një qytetar është gjobitur me 200 euro pasi ka ndotur hapësirën publike duke hedhur mbeturina, ndërsa është detyruar edhe që t’i largojë ato. Lajmin e...

Trepça e pandalshme, 19 fitore radhazi me triumfin në Rahovec

Trepça ka vazhduar formën e jashtëzakonshme në Superliga e Kosovës në basketboll, duke regjistruar fitoren e 19-të radhazi. Mitrovicasit triumfuan në udhëtim ndaj Rahovecit 029...

Lajmet e Fundit