10.7 C
Prizren
E mërkurë, 29 Prill, 2026
Home Blog Page 8879

Rahoveci bastion i PDK-së

0

Rahoveci5-22Zgjedhjet lokale të tre nëntorit dhe balotazhi i 1 dhjetorit edhe një herë e konfirmuan se Rahoveci është bastion i PDK-së. Që nga paslufta me themelimin e PDK-së për dallim nga fshatrat e kësaj komune që votat ishin të shpërndara në disa subjekte politike, qyteti i Rahovecit pothuajse gjithmonë ka qenë në përkrahje të fuqishme të PDK-së. PDK-ja në Rahovec ka qenë fituese bindëse edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare .

Zgjedhjet e këtij viti ku PDK-ja triumfoi me kandidatin e saj prof. dr. Idriz Vehapin treguan më së miri se Rahoveci i beson vizionit të PDK –së dhe kryetarit të saj Hashim Thaçit, të cilin e quajnë edhe mik të Rahovecit

Më tre nëntor kandidati PDK – së në qytet pa rrethinë ka marrë rreth 52 % të votive pasuar nga ai i LDK –së me mbi 27 % dhe kandidati i AAK-së mbi 15 % të votave e i LV 1.40 %

Ndërsa në zgjedhjet e balotazhit që u mbajtën më 1 dhjetor në mes PDK-së dhe koalicionit AAK-LDD-LDK kandidati i PDK-së në qytet ka marrë 75.3 % të votave ose 5135 dhe gjithsej në tërë komunën, mbi 11 e 200 ose mbi 52 % vota,ndërsa ai i koalicionit të gjerë në qytet ka marrë 27.7 % ose 1686 vota dhe komplet mbi 10 mijë vota ose 47.5 %.

PDK-ja ka fituar edhe numrin më të madhë të ulësve në asamble me gjithsej 11 sosh një më tepër se në mandatin e kaluar pasuar nga AAK-LDD 8 ulëse,LDK 7 ulëse , LV 2 ulëse ,LB 1 ulëse,AKR 1 ulëse dhe PD 1 ulëse. /YMER FAZLIU,PrizrenPress.com/

 

Pajtohen për bashkëpunim

0

shemsedini dhe ambasadorja turekAmbasadorja e Turqisë në Prishtinë, Songul Ozan, ka vizituar të premrten Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren. Ajo uroi u.d. rektorin prof.dr. Zahadin Shemsedinin për marrjen e drejtimit të UPZ-së,  Ozan dhe Shemsedini janë pajtuar për vazhdimin e bashkëpunimit mes UPZ-së dhe Ambasadës së Turqisë në Prishtinë.

“Për Universitetin e Prizrenit është shumë e rëndësishme që të vazhdojë dhe të konkretizojë edhe më tutje bashkëpunimin me universitetet turke me të cilat është lidhur marrëveshje dhe që të angazhohen për lidhjen e marrëveshjeve të bashkëpunimit edhe me universitete tjera nga ky shtet”, tha Shemsedini.

“Mund të shkëmbehen studentët, stafet akademike dhe përvojat në mes të UPZ-së dhe universiteteve të Turqisë”.

Sipas Shemsedinit, roli i Ambasadës është shumë i rëndësishëm, pasi që mund të ketë rol lehtësues për vendosjen e kontakteve.

Ambasadorja turke Songul Ozan, u shpreh e gatshme, që të mbështes UPZ-në. Ozan është edhe anëtare e Bordit të këtij Universitetit./PrizrenPress.com/

A ja tregoi vendin Isa Mustafa Eqrem Kryeziut?

0

Kryezia e LDKTakimi i së enjtes i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës në selinë e këtij subjekti në kryeqytet, duket se ka nxjerrë në pah disponimin ndaj kandidatëve humbës të zgjedhjeve lokale.

Kështu, për Eqrem Kryeziu duket se tashmë nuk ka vend afër kryetarit të LDK’së Isa Mustafa,i cili po ashtu është humbës, por megjithatë është ende udhëheqës i kësaj partie, shkruan Express.

Pra, në LDK janë kujdesur që kandidatin e LDK’së për Prizren që është edhe anëtar kryesie ta lënë në qoshe të tavolinës afër Kryetarit të Forumit Rinor të LDK’së, për dallim nga fituesit e zgjedhjeve që janë më afë.

Mbi katërdhjet raste të dhunës familjare në Prizren

0

Dhuna-fizikeKatërdhjet e nëntë raste të dhunës familjare janë raportuar deri në nëntor të këtij viti në komunën e Prizrenit. Nga këto raste janë: 1 lëndim i rëndë, 1 vrasje, 17 kanosje dhe sulm fizik dhe 29 raste të tjera të dhunës më të lehtë. Raste të dhunës në familje janë 30 femra dhe 20 meshkuj.

Persona të dyshuar për shkaktimin e kësaj dhune janë 51 meshkuj dhe dy femra. Këto të dhëna i ka bërë publike sot reshterja Shesije Jonuzaj, zyrtare e Policisë, në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga Zyra për çështje gjinore e Kuvendit Komunal në Prizren,transmeton TVO.

Ky aktivitet është organziuar në kuadër të fushatës java për të drejtat e viktimave të krimit. Mybegjele Zhuri, koordinatore e Zyrës për Çështje Gjinore tha se në kuadër të kësaj fushate tashmë tradicionale janë mbajtur disa ligjerata me nxënës dhe gra.

Zhuri tregoi se është punuar mjaft në vetëdijesimin e popullatës, “por problematika kërkon trajtim të përhershëm nga shumë hallka të shoqërisë sonë”.

Kuvendi Komunal i ka ndihmuar dhe vazhdon t’i ndihmojë jo vetëm fushatën, por edhe organizatat joqeveritare që merren me këtë problematikë. Në tryezën e rrumbullakët të dhënat e tyre për këtë fenomen dhe punën që e bëjnë i kanë paraqitur zyrtarë të institucioneve dhe organizatave joqeveritare./PrizrenPress.com/

MPB: Të hënën fillon lëshimi i letërnjoftimeve biometrikë

0

LeternjoftimiMinistria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se të hënën (9 nëntor) do të ndahen letërnjoftimet e para biometrike për qytetarë të Kosovës, duke e arritur kështu edhe një standard tjetër që e përafron Kosovën ne vendet e Bashkimit Evropian.

“Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, të hënën, më 9 dhjetor, në ora 11:00, do të mbahet ceremonia e lëshimit të letërnjoftimeve të para biometrike. Në këtë ceremoni do të marrin pjesë, Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, dr. Peter Blomeyer dhe ministri i Administratës, Publike, Mahir Yagcilar.

Lëshimi i letërnjoftimeve biometrik, përveç se e rrumbullakon procesin e dhënies së dokumenteve “të besueshme”, dhe bënë që Kosova ta ketë plotësuar edhe një standard, gjithashtu do t’i mundësojë kosovarëve që të lëvizin në shtetin fqinjë, Maqedoni, vetëm me letërnjoftim, dhe jo me pasaportë siç bëhet tash për tash.

Siç dihet, institucionet maqedonase kaherë kanë paralajmëruar se në raport me kosovarët nuk do t’i kërkojnë pasaportat në pikat kufitare vetëm atëherë kur ata do të kenë letërnjoftime biometrike”, thuhet në komunikatën e kësaj ministrie.

Aktualisht me të gjitha vendet tjera fqinje, përfshirë edhe Serbinë, kosovarët udhëtojnë vetëm me letërnjoftime.

Hoxhaj në Samitin Franko-Afrikan, priten njohje të reja

0

Hoxhaj-Samitin Franko-AfrikanMinistri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj po merr pjesë në Samitin vjetor Franko-Afrikan që po zhvillohet në Paris. Në margjina të Samitit, ministri Hoxhaj ka zhvilluar një sërë takimesh lobuese me zyrtarë të lartë dhe delegacione të shteteve afrikane që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Hoxhaj ka takuar një delegacion të gjerë të Zambias, të udhëhequr nga ministri i Brendshëm dhe zëvendësministri i Jashtëm, me të cilët ka biseduar për njohjen e Kosovës dhe ecurinë e marrëdhënieve të tjera ndërmjet dy vendeve që do të pasonin pas njohjes së Kosovës.

“Njohja ndërkombëtare e Kosovës është proces i pakthyeshëm. Kjo u dëshmua edhe nga ky takim dhe biseda të tjera me delegacione të shteteve afrikane në këtë Samit, të cilët e kanë kuptuar që Kosova si shtet i pavarur dhe sovran po e rrit nga dita në ditë numrin e njohjeve dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar. Dhe unë pres që në një të ardhme të afërt këto vende të lëvizin drejt njohjes”, ka thënë Hoxhaj.

Nga ana e tij, ministri i Zambias, Edgar Lungu, ka siguruar kryediplomatin kosovar se Qeveria e tij është shumë mirë e informuar për aspiratat dhe kërkesat e Kosovës, duke premtuar njëherësh që njohja të jetë prioriteti kryesor.

Në fushatën lobuese, ministri Hoxhaj ka zhvilluar një takim miqësor dhe shumë produktiv me ministrin e Jashtëm të Lesotos, Mohlabi Tsekoa, ku kanë diskutuar për zhvillimet në fundit në Kosovë dhe për Kosovën.

Në frymën e qasjes së re të vendeve afrikane ndaj Kosovës, edhe ministri i Jashtëm i Lesotos ka përgëzuar ministrin Hoxhaj për të arriturat e Kosovës duke respektuar të drejtën për të qenë shtet i pavarur dhe i njohur nga të gjitha vendet e botës.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka shfrytëzuar takimet për t’i shprehur ngushëllimet dhe solidarizimin e tij, të Qeverisë dhe popullit të Kosovës, për vdekjen e liderit Nelson Mandela./PrizrenPress.com/

OSBE: Komunat, problem me nenet dhe komisionet

0

OSCE-kosoveZyrtarë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), kanë publikuar të premten raportin mbi vlerësimin e sigurimit të banimit social nga Komunat e Kosovës.

Në raportin e tyre janë nënvizuar disa shqetësime që ndodhin nëpër komunat e Kosovës, siç janë përbërja e komisioneve përzgjedhëse për ndarjen e objekteve për banim social, përbërja e anëtareve të komisionit vetëm nga shumica shqiptare, si dhe një fakt shqetësuese sipas OSBE-së, është edhe pjesëmarrja e anëtarëve të OVL UÇK-së në komisionet vlerësuese.

Hjortur Bragi Sverrisson, drejtor i Departamentit të OSBE-së për të Drejta të Njeriut dhe Komunitete ka thënë se institucionet e nivelit qendror kanë marrë disa hapa të rëndësishëm drejt realizimit të së drejtës për banim adekuat në Kosovë, siç janë hartimi i kornizës ligjore që riafirmon obligimin e institucioneve, që të sigurojnë banim adekuat, në baza jo diskriminuese.

Sverrisson ka thënë se komunat gjithashtu kanë marrë disa masa për të realizuar banimin adekuat, por OSBE ka parë që zbatimi i së drejtës për banim në nivel komunal, vazhdon të jetë një shqetësim apo brengë serioze.

Sipas tij ka një mospërputhshmëri ndërmjet legjislacionit të nivelit qendror me nenet dhe rregulloret e nivelit lokal, këtë rast komunave.

Ai ka thënë se jo gjithmonë komisioni vlerësues, me rastin e përzgjedhjes për personat që kanë nevojë për banim adekuat, në disa komuna, ka bërë përzgjedhjen e tyre sipas ligjeve dhe kushteve të përcaktuara.

Ky zyrtar i OSBE-së thotë se është e dukshme se shumë prej komisioneve përzgjedhëse dominohen nga anëtarë të kuvendeve komunale dhe nuk përfshihen përfaqësuesit e komuniteteve pakicë.

Shqetësim tjetër sipas tij janë edhe përfshirja në komisione e përfaqësuesve të shoqatave të dala nga lufta.

Ai ka konstatuar se një përbërje e tillë e këtyre komisioneve mund të favorizojnë disa persona në vend të atyre që domosdoshmërisht kanë nevojë për një banim social.

Në raport janë nxjerr edhe tri rekomandime për komunat e Kosovës, në mënyrë që të jenë më efikase në sigurimin e banimit social për persona që kanë nevojë për një gjë të tillë.

“Komunat duhen në mënyrë të shpejtë të ndryshojnë nenet jopërputhëse të rregulloreve komunale, e dyta Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe komunat duhet të shtojnë përpjekjet për të monitoruar dhe adresuar çështjet e banimit social, duke kryer vlerësime për nevojat për banim sociale dhe duke vlerësuar dhe zhvilluar kudo në komunat e Kosovës një strategji për këtë çështje. Komunat gjithashtu duhet t`i reformojnë komisionet përzgjedhëse për të siguruar pjesëmarrjen me të madhe për komunitetet jo shqiptare dhe stafit relevant përkatës komunal, që janë të trajnuar për t`u marrë më çështje sociale. Dhe ndoshta e fundit që dua të them në grupin e rekomandimeve, është që procedurat ankimore apo të apelit të përshkruara në ligj, duhet të respektohen në plotësi dhe kjo është themelore për të siguruar të qenit fer dhe të drejt në procesin e përzgjedhjes dhe për t`ju siguruar aplikuesëve një mjet efektiv për këtë çështje”, ka thënë ai.

Olva Crowe nga OSBE ka thënë se institucionet e vendit duhet të angazhohen menjëherë për të garantuar të drejtën për banim adekuat në përputhje me parimin e mos diskriminimit e pranuar dhe njohur botërisht, i cili ndalon diskriminim në çfarëdo forme që e vë në pyetje gëzimin e barabartë të të drejtave të njeriut.

Sipas saj korniza ligjore në Kosovë i riafirmon obligimet e institucioneve për të realizuar të drejtën për banim adekuat. Si hap i rëndësishëm në drejtimin e realizimit të këtyre obligimeve. Ligji për financimin e projekteve të veçanta të banimit është miratuar në vitin 2010 me qëllim të rregullimit të qasjes në banim adekuat për ata që nuk mund t`ia lejojnë vetës apo përballojnë një gjë të tillë.

“Kemi parë disa zhvillime pozitive nga institucionet e Kosovës lidhur me të drejtën për banim adekuat, është ofruar financim për projektet e banimit social dhe Minsitria e Mjedisit me mbështetjen e OSBE, ka mbajtur një numër të punëtorive, gjatë gjithë vitit 2011 dhe 2012 për të paraqitur këtë kornizë ligjore, për komunat dhe për të diskutuar obligimet që i kanë komunat”, ka thënë ajo.

Në raportin e OSBE gjithashtu janë nxjerr disa rekomandime për Ministrinë e Mjedisit, për komunat si dhe për bashkësinë ndërkombëtare, për këtë të fundit rekomandohet që t`i ndihmojë institucionet e Kosovës për të realizuar të drejtën e personave dhe familjeve në nevojë për banim edukuat si dhe që të kushtëzoj financimin për projekte banimi, me zbatim në përputhje me kornizën ligjore dhe standardet e zbatueshme të të drejtave të njeriut./KP/

Nurkollari në ndarjen e çmimeve evropiane të filmit

0

Veton NurkollariDrejtori Artistik i DokuFest, Veton Nurkollari do të marr pjesë në natën e ndarjes së Çmimeve Evropiane të Filmit (European Film Awards) të shtunën më 7 dhjetor në Berlin të Gjermanisë.

European Film Awards prezantohet çdo vit që nga viti 1988 nga Akademia e Filmit Evropian dhe ka si qëllim të vlerësojë arritjet kinematografike evropiane. Çmimet ndahen në dhjetë kategori dhe janë të kufizuara në kinemanë evropiane si dhe producentët, regjisorët dhe aktorët evropian. Fituesit e këtij viti do të përzgjedhen nga më se 2 500 pjesëtarët e Akademisë Evropiane të Filmit.

Në qershor të këtij viti, Nurkollari u bë pjesëtar i Akademisë Evropiane të Filmit. Si pjesëtar, Nurkollari prezantoi programin e filmave SHORT MATTERS! në Dokufestin e këtij viti. Programi përfshiu filmat e shkurtër të nominuar për European Film Awards dhe poashtu u shfaqe në shumë festivale të tjera në botë. Ndër aktivitetet e tjera, Nurkollari votoj për filma për Çmimet Evropiane të Filmit,transmeton rtk.

I formuar në vitin 1988, Akademia Evropiane e Filmit tani bashkon profesionistë evropian të filmit me qëllimin e përbashkët të promovimit të kulturës filmike të Evropës. Gjatë vitit, EFA inicon dhe dhe merr pjesë në shumë aktivitete lidhur me politikën e filmit si dhe me aspektet e ekonomisë, artit dhe trajnimit.

Programi përfshin konferenca, seminare dhe punëtori, si dhe një qëllim të përbashkët për të ndërtuar një urë në mes të kreativitetit dhe industrisë. Këto aktivitete kulminojnë në prezantimin vjetor të Çmimeve Evropiane të Filmit, ku nderohen arritjet më të mëdha në kinemanë evropiane.

“Mickey Boy”, mes traditës shqiptare dhe jetës amerikane

0

f1_06miki1386317920Filmi i metrazhit të gjatë “Mikey Boy”, që është realizuar nga aktori me prejardhje shqiptare, Mike Dusi së bashku me regjisorin Chris Berkenkamp, është shfaqur premierë të enjten mbrëma në Kinemanë “ABC”. Ky film i zhanrit komedi që është i gjatë një orë e tridhjetë minuta, fillimisht ka pasur premierën në New York, më pas është shfaqur në Tiranë dhe ai tashmë po shfaqet edhe në Prishtinë.Personazhi kryesor i këtij filmi, Mikey Boy është një shqiptaro-amerikan nga qytetit i Nju-Jorkut në Amerikë, jeta e të cilit kthehet me kokë poshtë, pasi që ai mëson se duhet të udhëtojë për në Shqipëri për një martesë me tradita patriarkale shqiptare të propozuar nga prindërit e tij.

Picameni Mikey Boy bën çmos që të mos udhëtojë në Shqipëri vetëm për ta rikthyer të dashurën e tij, pasi që e humbi atë kur ajo e kuptoi se prindërit e Mikit nuk e donin atë për nuse në shtëpinë e tyre, përshkruan kultplus përmbajtjen e këtij filmi me pak fjalë.

“Mikey Boy”, është i cilësuar si filmi më i mirë i aktorit me origjinë shqiptare nga Gjakova, Mikel Dushi.

Në këtë film në rolet tjera përpos Mike Dusi janë paraqitur aktorët: Chris Wilde, Kristen Mallete, Robin Charters, Kresh Novakovic, Ed Gale dhe John Lewis.

Filmi “Mikey Boy” shpjegon një tregim shqiptar, ku paraqet fëmijërinë e aktorit me origjinë shqiptare nga Gjakova, Mike Dusi, i cili është rritur me traditën dhe kulturën shqiptare.

Pas përfundimit të filmit, Mikel Dusi, iu ka drejtuar audiencës duke thënë se shqiptarët të cilët jetojnë në Amerikë, gjithnjë mendojnë dhe flasin për atdheun e tyre.

“Ky film është pritur në mënyrën më të mirë të mundshme kudo që është shfaqur. Ne shqiptarët e Amerikës, nuk e di se si jemi rritur, por e di që gjithnjë kemi menduar dhe folur për Shqipërinë dhe shqiptarët”, është shprehur Mikey.

“Mund ta ndryshosh aksentin apo mënyrën e të folurit, mirëpo asnjëherë nuk mund ta ndryshosh gjakun dhe origjinën. Për shtatë vite kam punuar nga Los Angelos dhe tashmë kam njohuri sesi ta bëjë një film. Qëllimisht e kam “prekur” këtë temë në filmin “Mikey Boy”. Faleminderit që ishit prezent në premierë, ju lutem tregojuni gjithkujt përmes rrjeteve sociale si Facebook, Twitter, që të vinë dhe ta shohin këtë film”, ka qenë porosia e Mikel Dusit apo të ashtuquajturit Mikey Boy.

Ai kur ka ardhur ditë më parë në Prishtinë, në një konferencë për media pat deklaruar se e ka realizuar këtë film me synim për të shfaqur traditat e popullit shqiptar.

“E kam realizuar filmin “Mickey Boy”, një film që tregon histori shqiptare. Edhe pse jam i rritur në Amerikë, prapë se prapë jam rritur me një histori dhe me një kulturë shqiptare, si një djalë shumë i vyeshëm në një pjesë të Nju Jorkut ku kam qenë pizzaman. Jam rritur gjithmonë me traditën dhe kulturën shqiptare”, ka thënë ai.

Filmi “Mikey Boy” do të shfaqet çdo ditë në dy termine, në ora 18:00 dhe 20:00, në Kinemanë “ABC” në Prishtinë.

Qendra historike pa mjete të nevojshme finaciare

0

v.xhOrganizata Joqeveritare “EC Ma Ndryshe”  ka kërkuar  nga qeveria lokale e Prizrenit, që ta bëjë publike shumën e mjeteve financiare që Komuna i ka pranuar për kompetencat shtesë lidhur me mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe fetare, sipas Ligjit për Qendrën Historike, sikurse edhe informatën në lidhje me sigurimin e fondeve sistematike për restaurim dhe mirëmbajtje të kësaj Qendre, duke përfshirë të gjitha elementet përbërëse të saj.

Valon Xhabali, Koordinator i Programit të Trashëgimisë Kulturore, tha se përgjigje e vetme që ka marrë ka qenë ajo nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, në të cilën shkresë figuron se Komuna e Prizrenit kryesisht i ka harxhuar mjetet nga buxheti i saj për projekte të ndryshme në këtë zonë, ndërkohë që nuk ka arritur që të siguroj fonde serioze nga burimet qeveritare dhe donatorët e jashtëm për intervenim në ruajtjen dhe zhvillimin e kësaj hapësire të veçantë, por as për funksionimin e Zyrës së Qendrës Historike dhe të Këshillit për Trashëgimi Kulturore të Qendrës Historike të Prizrenit. Ndërsa
“Drejtoria e Ekonomisë dhe Financave fare nuk është përgjigjur brenda afatit ligjor, duke shkelur kështu dispozitat e Ligjit për Qasje në Dokumentet Publike”.
Në përgjigjen e DUPH-së, thuhet se Komuna ka ndarë 20 mijë euro për strategjinë e zbatimit të Planit të Konservimit, 30 mijë euro për trajtimin e objekteve me vlera dhe 50 mijë euro për restaurimin e shtëpisë së Ymer Prizrenit, si dhe participimin në tri projekte tjera.

DUPH ka bërë të ditur se nuk ka kompetenca e as njohuri në lidhje me shumat e ndara për Zyrën e Qendrës Historike të Prizrenit dhe Këshillin për Trashëgimi Kulturore të Qendrës Historike të Prizrenit.

Ndërsa përfaqësues të KTK-së kanë njoftuar se MMPH-ja për vitin 2013 ka ndarë rreth 4 mijë e 400 euro për nevojat administrative të këtij trupi, derisa kanë thënë se nuk kanë pranuar ende asnjë njoftim për vitin 2014.
“Bazuar në këto të gjetura “EC Ma Ndryshe” konstaton se institucionet e nivelit lokal dhe ato qendrore nuk i kanë përmbushur obligimet që kanë ndaj Qendrës Historike të Prizrenit të përshkruara në Ligjin përkatës, që ka hyrë në fuqi para afër një viti e gjysmë. Për më shumë institucionet nuk i janë përmbajtur as premtimeve e zotimeve të prezantuara para opinionit publik në periudhën para miratimit të ligjit”.
“Prandaj, ‘EC Ma Ndryshe’ vlerëson se institucionet kanë dështuar në përmbushjen e qëllimit të këtij ligji që “është përcaktimi i rregullave për mbrojtjen, administrimin dhe zhvillimin bashkëkohorë të qëndrueshëm të Qendrës Historike të Prizrenit si pronë e trashëgimisë kulturore dhe historike në mbrojtje të përhershme dhe të klasifikuar si Zonë e veçantë e mbrojtur me vlera të interesit lokal, shtetëror dhe ndërkombëtar”.

Argumenti i shoqërisë civile të Prizrenit se nuk ka nevojë për ligje të reja para se të zbatohen ligjet në fuqi edhe një herë po vërtetohet si i saktë, ngase në gjendjen aktuale në Qendrën Historike të Prizrenit vetëm janë shtuar mekanizmat dhe nuk ka veprime konkrete për mbrojtjen e as për zhvillimin e duhur të kësaj zone, që do të mund të shfrytëzohej si një potencial për fuqizimin e ekonomisë lokale.

“Në mbështetje të kësaj, “EC Ma Ndryshe” përkujton se neni 21 i Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, parasheh që Komuna e Prizrenit, të themeloj një Zyrë për Qendrën Historike të Prizrenit, me qëllim të  “koordinimit të veprimeve që lidhen me mbrojtjen, zhvillimin dhe promovimin e Qendrës Historike të Prizrenit, përfshirë asistencën ndërkombëtare” si dhe “promovimit dhe zhvillimit të Qendrës Historike të Prizrenit si destinim turistik me një trashëgimi kulturore të pasur”, që po ashtu mbeten vetëm në nivelin deklarativ, tash e një vit e gjysmë, ngase Komuna e as institucionet tjera nuk kanë prodhuar rezultate konkrete në këtë drejtim.”

Edhe neni 22 parasheh që Komuna të “pranon mjete të nevojshme financiare për kompetencat shtesë lidhur me mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe fetare te kërkuara nga ky ligj”. Por në bazë të shkresës së DUPH-së dhe informatave të KTK-së del se nuk ka pas veprime përkatëse në këtë drejtim.
Bazuar në këto të gjetura “EC Ma Ndryshe” rekomandon institucionet lokale dhe qendrore që në vend të deklaratave të angazhohen për veprime konkrete dhe me zbatim të ligjeve të sigurojnë mbrojtjen e duhur të vlerave të Qendrës Historike dhe ta zhvillojnë atë si destinim turistik të mirëfilltë.

“Ne i bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të shqyrtojnë mundësinë për nisjen e procesit të rishikimit dhe ndryshimit të Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, në mënyrë që mekanizmat e shumta që janë shtresuar mbi njëra-tjetrën të eliminohen dhe të përcaktohen masa më të rrepta ndëshkuese ndaj shkelësve privat dhe institucional”.

“EC Ma Ndryshe” në korrik ka nisur zbatimin e projektit “Urbanizmi i Prizrenit nën vëzhgim të përhershëm”, përkrahur financiarisht nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS). Nevoja për mbikëqyrjen e zhvillimeve në sektorin e urbanizimit ka rrjedhë si pasojë e zhvillimeve të shumta negative gjatë periudhës së pasluftës dhe tranzicionit që janë manifestuar me degradimin urban dhe planifikimin e pa-balancuar hapësinor. Projekti do të vazhdoj me monitorimin dhe publikimin e të gjeturave në sektorin e urbanizimit dhe planifikimit hapësinor, sikurse edhe me adresimin e përgjegjësisë institucionale.  /PrizrenPress.com/