16.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Kuvendi dhe shoqëria civile me Deklarata Partneriteti

Kuvendi dhe shoqëria civilePërfaqësues të Kuvendit të Kosovës, të shoqërisë civile e të OSBE-së, si dhe ekspertë nga Letonia dhe Mali i Zi këmbyen pikëpamje dhe përvoja për institucionalizimin dhe kodifikimin e bashkëpunimit ndërmjet shoqërisë civile dhe institucioneve të vendit. Në këtë takim, u prezantua Deklarata për Partneritet në mes të Kuvendit të Kosovës dhe shoqërisë civile.

Në këtë konferencë mbi Partneritetin ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe shoqërisë civile, kryesuesi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberge, ka theksuar rëndësinë që ka për demokracinë e një vendi bashkëpunimi ndërmjet institucioneve qendrore, sidomos Parlamentit dhe shoqërisë civile.

Ai ka përmendur, jo vetëm ekspertizën solide që kanë një numër i OJQ-ve, por edhe rolin tepër të rëndësishëm që ka për demokracinë e një vendi transparenca, zbatimi i ligjit dhe llogaridhënia. Ambasadori ka lavdëruar punën që ka bërë grupi punues tripartid për hartimin e Deklaratës për Partneritet në mes të Kuvendit të Kosovës dhe shoqërisë civile, për të cilën është shprehur optimist se do ta miratojnë deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, duke u shprehur i bindur se demokracia është e pamundshme dhe e paimagjinueshme pa sektorin aktiv të shoqërisë civile, ka konstatuar se nuk është e rastësishme që, në ato vende ku ka pushtete autoritare dhe diktatura totalitare, shoqëria civile është pothuajse inekzistente, apo në rastin më të mirë, një instrument më shumë në duart e partisë-shtet.

“Në vendet me demokraci të zhvilluar, shoqëria civile luan një rol të pazëvendësueshëm për mbikëqyrjen e punës së institucioneve, garantimin e transparencës, si dhe funksionimin ligjor të institucioneve publike”, ka thënë Konjufca.

Ai tutje ka shtuar se sfidat me të cilat ndeshet demokracia në Kosovë i korrespondojnë problemeve me të cilat përballet shoqëria civile, si: funksionimi ligjor i shtetit, pavarësia e gjyqësorit, korrupsioni në çdo nivel institucional, shërbimet publike, etj.

Nënkryetari i Kuvendit ka shprehur keqardhjen e tij për faktin që bashkëpunimi ndërmjet këtyre dy domeneve të shoqërisë nuk mbështetet mbi rregulla të qarta, por vetëm mbi vullnetin subjektiv arbitrar.

“Fatkeqësisht, kjo marrëdhënie funksionon në formë të mëshirës. Por demokracitë e zhvilluara nuk janë shoqëri të mëshirës, por shoqëri të së drejtës. E kjo na çon në përfundimin se bashkëpunimi mes shoqërisë civile dhe institucioneve politike duhet të kodifikohet”, ka thënë Konjufca.

Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, ka folur për transparencën gjithnjë në rritje të legjislativit të vendit. Ai ka përmendur publikimin e shpejtë të votimit elektronik të deputetëve, regjistrimin e OJQ-ve në ueb-faqen e Kuvendit për pjesëmarrje në mbledhje të komisioneve parlamentare, përgjigjet e rregullta dhe me kohë në pyetjet e shoqërisë civile dhe të qytetarëve për punën e Kuvendit, si dhe punësimin në zyrën e tij të një zyrtareje për bashkëpunim me shoqërinë civile dhe me donatorë.

Anëtari i grupit punues për bashkëpunim ndërmjet Kuvendit dhe shoqërisë civile, deputeti Zenun Pajaziti, ka theksuar se përvojat e tij flasin se ligjet më të mira kanë qenë ato që për hartimin apo amendamentimin e tyre kanë dhënë kontribut ekspertë nga radhët e shoqërisë civile.

Në këtë konference fjalë rasti kanë mbajtur edhe përfaqësues të ndryshëm të OJQ-ve, si: Driton Selmanaj, Burim Ejupi, Arton Demhasa dhe Taulant Hoxha.

Për përvojat e mira nga Mali i Zi dhe Letonia të bashkëpunimit të parlamenteve të vendeve të tyre me shoqërinë civile kanë referuar Ana Novaskoviq dhe Karina Petersone.

Në përfundim të sesionit plenar të paradites është prezantuar Deklarata për partneritet në mes të Kuvendit të Kosovës dhe shoqërisë civile e cila është mirëpritur nga pjesëmarrësit.

Më Shumë

Zyrtare: Cannavaro, trajneri i ri i Udinese

Fabio Cannavaro është trajneri më i ri i skuadrës së Udinese. Klubi bardhezi ka kënaqësinë të mirëpresë kampionin e botës dhe fituesin e Toipt të...

Alarmojnë shkencëtarët: Moti në Evropë më i paqëndrueshmi, pritet krizë klimatike

Shkencëtarët për ndryshime klimatike kanë paralajmëruar se një krizë klimatike pritet të përfshijë Evropën në vazhdim. Ata thonë se temperaturat po rriten në mënyrë drastike,...

Lajmet e Fundit