Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ia dorëzoi sot projekt-buxhetin e Komunës për vitin 2025 kryesueses së Kuvendit, Arijeta Skeraj.
Projekt-buxheti komunal përmban Propozim-vendimin për miratimin e Buxhetit të Komunës së Dragashit 2025-2027, Listën e investimeve kapitale 2025-2027 dhe Planin e ndarjes buxhetore sipas drejtorive për periudhën 2025-2027, shkruan PrizrenPress.
“Projekt-buxheti komunal është hartuar pas procesit të mbajtjes së dëgjimeve buxhetore me qytetarë, marrjes së kërkesave dhe propozimeve të tyre dhe propozimeve të këshillave të fshatrave”, thuhet në njoftimin e komunës, duke shtuar se për projekt-buxhetin e Komunës së Dragashit, Komiteti për Politikë dhe Financa do të mbajë dëgjim publik me qytetarë, para kalimit të tij për miratim përfundimtar në Asamblenë Komunale./PrizrenPress.com
Drejtoria Komunale e Arsimit në Komunën e Prizrenit i ka bërë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor.
Sipas drejtuesve të këtij dikasteri më 2 shtator mësimi do të fillojë në të gjitha shkollat e kësaj komune. Ndërkaq si sfidë e vetme është veçuar blerja me kohë e librave për nxënësit.
Drejtoresha e Arsimit, Luljeta Veselaj Gutaj ka pohuar se institucionet e arsimit parauniversitar janë gati për vitin e ri shkollor.
“DKA-ja në bashkëpunim me udhëheqësit e shkollave i ka bërë të gjitha përgatitjet optimale që viti i ri shkollor të fillojë mirë edhe mbarë”, ka thënë ajo për Telegrafin.
Sipas saj, gjatë muajit shtator do të ketë përurime të disa objekte shkollore.
“Në të gjitha shkollat do të fillojë viti i ri shkollor. Kemi shkollën e Vërmicës ku është duke u punuar, mirëpo mësimi vazhdon në paralelen e shkollës. Të gjithë nxënësit me 2 shtator do të jenë në objektet shkollore, dhe kemi bërë përgatitje solide edhe për nxënësit e klasave të para për t’i mirëpritur ata”.
Shkolla e re në fshatin Pllanjanë.
Veselaj Gutaj ka theksuar se brenga kryesore ndërlidhet me librat shkollorë, respektivisht blerjen me kohë të tyre për nxënësit.
“Sfida kryesore ka qenë furnizimi me libra, për arsye se nuk kemi pas informatë se si do të vazhdojë procesi. Informata për plotësimin e katalogëve na ka ardhur me vonesë, pasi që mësimdhënësit i kanë filluar pushimet, dhe ka qenë një sfidë me i plotësu ato për një kohë të shkurtër, brenda dy ditësh. Edhe informata për subvencionim të prindërve për blerjen e librave ka ardhur vonë nga MASHTI”.
Ajo ka shtuar se DKA-ja me vëmendje po e përcjellë rrjedhën e subvencionimit të prindërve, si dhe blerjen e librave për nxënësit, raporton Telegrafi.
“Besoj se java e parë do të jetë më sfiduese për nxënësit dhe mësimdhënësit për këtë arsye”, është shprehur Veselaj Gutaj.
Në këtë aspekt konsideron se më së shumti janë sfiduar familjet nevojtare.
“Shkollat po mundohen që t’i asistojnë të gjitha grupeve, edhe grupeve të margjinalizuara edhe rasteve sociale. Këto grupe përsëri kanë sfida me subvencionim dhe blerjen e librave. Megjithatë presim që pas fillimit të vitit të ri shkollor të marrim informata edhe më të sakta, dhe DKA është në gjendje gatishmërie për ta mbështetur secilin nxënës”.
Luljeta Veselaj Gutaj, drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prizrenit
Lidhur me numrin e nxënësve, ajo ka theksuar se të dhënat ende nuk janë të plota, meqë bazuar në praktikat e mëhershme pritet që të ketë regjistrime edhe në fillim të vitit të ri shkollor.
“Nga informatat e deritanishme prej shkollave nuk ka shumë dallime. Ka rënie, por të lehtë. Megjithatë statistikat e plota do t’i kemi brenda muajit shtator”, ka thënë Veselaj Gutaj.
Në të njëjtën kohë duke i marrë parasysh rezultatet nga Raporti i Performancës Komunale për vitin 2023, drejtuesja e DKA-së është shprehur optimiste për vitin e ri shkollor, raporton Telegrafi.
“Raporti i performancës komunale i publikuar rishtazi nga MAPL tregon se DKA-ja në vitin 2023 ka arritur të përmbush 80.7% të treguesve, që është një rezultat domethënës për Komunën e Prizrenit, marrë parasysh specifikat që i kemi. Dhe ky është një tregues i realizimit të objektivave tona zhvillimore”.
Ajo ka bërë të ditur se edhe në këtë vit ka angazhime për përmirësime të mëtejshme, me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për nxënësit dhe gjithë komunitetin shkollor.
Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, kryeministri së Kosovës, Albin Kurti, të premten ka takuar gratë e Krushës së Vogël, të cilat Qeveria i ka mbështetur me masën për fuqizim ekonomik.
Gjatë kësaj vizite, kryeministri Kurti ka shprehur mirënjohje për mikpritjen dhe takimin me 16 gra ndërmarrëse të këtij fshati, të cilat po vazhdojnë punën për rritjen e mirëqenies familjare.
Kurti, po ashtu ka ritheksuar se familjet e të zhdukurve janë lart mes prioriteteve e përkujdesjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në komunikatë bëhet e ditur edhe se, në vizitën e përbashkët me Zëvendëskryeministren Donika Gërvalla, Nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, Kryetarin e Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti dhe Edi Gusia, u.d. Drejtore Ekzekutive në Agjencinë për Barazi Gjinore, është biseduar për arritjet dhe planet e ardhshme të këtyre nismave të vetëpunësimit.
“Qeveria ka ndarë buxhet prej 500 mijë euro për zbatimin e kësaj mase për familjet që janë aktualisht në listën e pensioneve për personat e zhdukur gjatë luftës. Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, nëpërmjet Agjencisë për Barazi Gjinore, me Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, do të ndajë subvencione me qëllim të fuqizimit dhe pavarësimit ekonomik të grave dhe vajzave. Të drejtë aplikimi kanë personat fizikë, gra apo vajza që gëzojnë pension për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë, apo një anëtare (grua/vajzë) nga familja e ngushtë e personave që gëzojnë pension për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë, të cilat ndërmarrin nisma vetëpunësimi prej të cilave punësohen dhe sigurojnë mirëqenien familjare dhe/apo të të ardhurave për përmbushjen e nevojave bazike. Thirrja e dytë për aplikime është e hapur deri më 4 shtator 2024”, thuhet në kumtesë.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, priti sot në një takim njoftues Udhëheqësin e ri për Bashkëpunim të Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, Daniel Alker, dhe zyrtaren nga departamenti për bashkëpunim dhe zhvillim në këtë ambasadë, Emona Salihi, shkruan PrizrenPress.
Takimi u fokusua në mundësitë e bashkëpunimit në projekte për të rinjtë dhe gratë.
“Me këtë rast diskutuan mundësitë e bashkëpunimit, sidomos në projekte për të rinjtë dhe gratë, duke shqyrtuar mënyrat për ta forcuar mbështetjen në këto segmente të rëndësishme të shoqërisë”, thuhet në njoftimin e komunës./PrizrenPress.com
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka takuar tri nga 196 studentët përfitues të bursës komunale.
“Ky takim më dha mundësinë të diskutoj me tri vajza të reja dhe ambicioze, të cilat po ndjekin studimet e tyre në universitete të ndryshme në Kosovë. Beslinda Himaj, njëra nga përfitueset e bursës, është studente në Fakultetin e Shkencave të Jetës dhe Mjedisit, në drejtimin Agrobiznes, në Universitetin ‘Ukshin Hoti’ në Prizren. Edonita Zeka, gjithashtu përfituese e bursës, studente në Fakultetin e Ekonomisë, në drejtimin e Kontabilitetit në Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’. Genta Morina është studente në Fakultetin e Mjekësisë, në drejtimin Shëndet Publik, në Universitetin ‘Fehmi Agani’ në Gjakovë. Në bisedën tonë, theksova rëndësinë e mbështetjes së studentëve dhe të investimit në arsim, si dhe përkushtimin e Komunës së Rahovecit për të vazhduar këtë mbështetje. U urova studenteve suksese të mëtejshme dhe i inkurajova që të vazhdojnë të përkushtohen në studimet e tyre”, ka thënë Latifi.
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka bërë të ditur se pagat në sektorin publik sot ekzekutohen duke aplikuar shkallët e reja të tatimit në të ardhura personale, ku 250 eurot e para janë të liruara nga tatimi.
Murati në një postim në Facebook shkruan se përfitimi mujor prej 6.8 euro apo vjetor prej 81.6 euro dikujt mund të mos i duket shumë, mirëpo nëse merret në tërësi, janë rreth 2.3 milion euro në muaj apo rreth 27 milionë euro në vit, që nuk do të mblidhen si tatim nga shteti, por do të mbesin në xhepat e qytetarëve.
Postimi i plotë i tij:
Pagat në sektorin publik sot ekzekutohen duke aplikuar shkallët e reja të tatimit në të ardhura personale, ku 250 eurot e para janë të liruara nga tatimi.
Si rezultat i këtij ndryshimi, secili punonjës në Kosovë, nga ky muaj e tutje do të paguajë më pak tatim, e rrjedhimisht do të marrë pak më shumë pagë neto.
Përfitimi mujor prej 6.8 euro apo vjetor prej 81.6 euro dikujt mund të mos i duket shumë, mirëpo nëse e shohim në tërësi, janë rreth 2.3 milion euro në muaj apo rreth 27 milionë euro në vit, që nuk do të mblidhen si tatim nga shteti por do të mbesin në xhepat e qytetarëve.
KRU “Hidroregjioni Jugor” SH. A në Prizren njofton se për shkak të punimeve gjatë instalimit të gjeneratorëve të rinj në stacionin e pompave “Sozi” në Nashec, do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë të pijshëm në disa zona të Prizrenit.
“Ndërprerja e energjisë elektrike do të zgjasë prej orës 13:00 deri në orën 16:00, dhe kjo do të shkaktojë probleme me furnizimin e rregullt me ujë të pijes,” thuhet në njoftim, përcjell PrizrenPress.
Zonat që do të preken përfshijnë fshatrat Planej, Gorozhup, Mile, Mazrek, Gjonaj, Grazhdanik, Nashec, Tupec, Landovicë, Atmaxhë, Kobaj, Vlashnje, Kojush dhe një pjesë të qytetit të rrugës së Nashecit.
“Me përfundimin e punimeve dhe instalimit të gjeneratorëve, do të rikthehet energjia elektrike dhe njëkohësisht, do të rikthehet furnizimi i rregullt me ujë të pijes,” përfundon njoftimi./PrizrenPress.com
Policia e Kosovës ka raportuar për një incident të rëndë të ndodhur në orët e para të mëngjesit në fshatin Topliqan, Komuna Suharekë, ku një person është plagosur me armë zjarri dhe gjashtë të tjerë janë lënduar nga gjësende të forta.
“Me datën 30.08.2024 rreth orës 02:00, Stacioni Policor në Suharekë ka pranuar një informatë për gjuajtje me armë zjarri në një lokal nate në fshatin Topliqan,Komuna Suharekë. Me ta pranuar informatën me urgjencë kanë dalë në vendin e ngjarjes të gjitha njesitët relevante”, thuhet në raportin e policisë, përcjell PrizrenPress.
Nga hetimet e para mësohet se në vendin e ngjarjes në parkingun e një lokalit hotelier janë gjetë dhjetë gëzhoja që dyshohet të jenë shkrepur nga arma automatike AK-47.
“Si pasoj e gjuejtjes me armë zjarri një person dyshohet se është goditur në këmbë, i cili është dërguar me urgjencë në qendrën emergjente në Prizren, edhe gjashtë persona tjerë dyshohet të jenë lënduar nga gjësende të forta, dhe xhamat e thyer të dritareve të lokalit ku ishin duke qëndruar. Sipas raportit të mjekut personat e sjellur kanë lëndime të lehta trupore”, raporton policia.
Policia po vazhdon hetimet për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve, ndërsa Prokurori i Shtetit ka cilësuar rastin si “Vrasje në tentativë”.
“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është bër bastisja e shtëpis dhe lokaleve përcjellëse të njërit nga të dyshimtit ku i njejti nuk është hasur në shtëpi dhe i njejti është në kërkim policor, gjatë bastisjes nuk është gjet diçka e dyshimt. Rasti në bashkpunim të ngushtë me prokurorin e shtetit dhe Sektorin e Hetimeve Rajonale në Prizeren vazhdon te hetoeht deri në arrestimin e të dyshuarve dhe zbardhjen e rrethanave se si ka ardh deri te ky rast i rëndë. Me vendim të prokurorit rasti cilësohet ‘’Vrasje në tentativë””, njofton PK-ja./PrizrenPress.com
Policia ka njoftuar për gjetjen e një mjeti shpërthyes në fshatin Bllacë të Suharekës.
Njësitë për deminim i KFOR-it ka dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë tërhequr mjetin e dyshuar.
“Fsh. Bllacë, Suharekë 29.08.2024-10:30. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se ka hasur në një mjet të dyshuar të pashpërthyer. Njësitë për deminim i KFOR-it ka dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë tërhequr mjetin e dyshuar”, thuhet në njoftim.