Sot 1 vit më parë, Memli Krasniqi u zgjodh kryetar i ri i Partisë Demokratike të Kosovës ku në Konventën e dhjetë zgjedhore ai pa asnjë kundërkandidat mori votat e shumicës së anëtarëve për ta drejtuar partinë.
Në njëvjetorin e zgjedhjes, lideri i partisë më të madhe opozitare ka falënderuar nëpërmjet një statusi në facebook të gjithë anëtarët e PDK-së për besimin e dhënë ndaj tij.
“Më 3 korrik të vitit 2021, saktësisht 1 vit më parë, mora besimin e delegatëve të Konventës së Dhjetë për të udhëhequr Partinë Demokratike të Kosovës. Si një anëtar e aktivist i hershëm i partisë, pa dyshim që ky ishte nderi më i madh i jetës dhe, natyrisht, përgjegjësia më e lartë”, tha Krasniqi.
Ai tha se gjatë këtij viti në krye të PDK-së, kanë punuar shumë bashkë me secilin anëtar e aktivist, përbrenda çdo niveli të organizimit, që gjithandej Kosovës ta shtrijnë përsëri vizionin e tyre – për Kosovën e qytetarëve, të zhvilluar, të integruar e me perspektivë për të gjithë.
“E nisëm me fitoren në zgjedhjet lokale, duke fituar në 8 komuna e duke dalë partia e parë ne 10 komuna. Rikthyem besimin qytetar në Prizren, Mitrovicë, Skënderaj, Vushtrri e Han të Elezit dhe e rinkonfirmuam atë në Ferizaj, Drenas e Kaçanik. Në Kuvendin e Kosovës, si lidere e opozitës, PDK ishte zëri i arsyes, përmes angazhimit parlamentar aktiv, duke ngritur e mbrojtur çështje e kauza konkrete, në dobi të qytetarëve dhe të kategorive shoqërore të injoruara nga pushteti aktual”, tha ai.
“Si një platformë e ofrimit të alternativës qeverisëse, iniciuam Kabinetin për Qeverisje të Mirë. Ekspertë të fushave të ndryshme po i bashkohen kësaj platforme tonë për një Kosovë më të mirë, me qeverisje kompetente e efikase. Kemi hapur dyert për më shumë gra, të rinj dhe profesionistë, të cilët angazhimin e tyre në të mirë të shoqërisë dhe vendit e shohin përmes politikës. Sot, jam shumë krenar të them se janë me qindra prej tyre që na janë bashkuar gjatë kësaj periudhe, e shumë të tjerë do të na bashkohen në vazhdimin e këtij rrugëtimi të përbashkët”, tha Krasniqi.
Siç thotë ai, puna dhe angazhimi do të vazhdojë në çdo nivel të organizimit strukturor, në Kuvend, në Komuna e në Kabinetin për Qeverisje të Mirë.
“Misioni im si Kryetar është ringritja, fuqizimi dhe rikthimi i PDK-së në qeverisje, si parti e fitoreve, për zhvillimin e vendit tonë. Faleminderit të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të PDK-së për mbështetjen e parezervë deri sot”, tha Krasniqi.