13.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Testamenti i poetit Frederik Rreshpja

Intervistë me shkrimtarin Petrit Palushi, autorin e librit “Frederik Rreshpja, që s’e kuptuam kurrë”

Frederik Rreshpja, jeta e këtij poeti të pazakontë, këtij tragjiku, nuk mund të shuhej pa një testament. Ai nuk kishte as prona as para për të lënë. Gjithçka kishte, ishte poezia dhe plaga e hekakqejes ku ai u përpëlit për gjithë jetën. Po. Kishte edhe një galeri emrash të atyre pak njerëzve që e vlerësuan dhe e ndihmuan, ndaj të cilëve u detyrohej një mirënjohje. Është kalvari i mundimeve dhe flaka e krijimit, më e shtrenjta dhe më e shenjta gjë që pati. Duhej një altar për t’ia besuar atë që dot nuk mund t’i merrte në varr me vete. Në atë varr ku prehet i qetë që prej 17 shkurtit të vitit 2006, tash 10 vite të shkuara. Ai mund ta linte testamentin e tij kudo kafeve të Tiranës, apo nëpër gjerbje ndejesh me miq. Por ai, ndoshta më shumë se ai, fati, zgjodhi pikërisht Kukësin, i cili do të ishte jo vetëm si një ndalesë e udhëpërshkimit Prishtinë-Tiranë, por edhe një rrëfimtore. Zgjodhi, gjithashtu, një shërbestar të së hyjshmes, tek i cili la dorëzanë gjithë ç’kishte. Ai ishte, zemërbardhi e zëngrohti, i palodhuri, shkrimtari dhe qëmtuesi Petrit Palushi, mikpritësi dhe caku i kungimit, pragu i amës dhe amaneteve. Epja para ikjes pa kthim. Dy ditë të atij nëntori të vitit 2005 do të ishin koha bisedore e gjithçkasë që kishte për të thënë dhe për të lënë këso jete si testament. Gjithçka që kishte për të dëshmuar ai ia la Petrit Palushit dhe asaj nevoje për të mos ikur tinëzisht, pa i thënë çfarë ai kishte. Dhe Palushi e gdhendi këtë rrëfim në librin “Frederik Rreshpja, që s’e kuptuam kurrë”. Një shpirti të dlirë ai i kushtoi një qiell, një qiell ku shkrihet fati i Fredit njeri, i Fredit poet. Kishte dhe të tjera gjëra, të cilat mbetën jashtë këtij testamenti, të cilat Petrit Palushi kërkon t’i ndajë me ne në këtë ndërmendje në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta të Frederik Rreshpes, si një kujtesë që rreket të mbushë boshin që la kjo ikje.

– Gjatë bisedës së Frederik Rreshpes për Fredin, a kishte diçka që ju nuk e përfshitë qëllimisht në libër. Nëse po, duhet të kishit motivim bindës se pse duhet të mbetej jashtë kësaj rrëfimtoreje?

– Njeriu dhe poeti Rreshpja qe i jashtëzakonshëm, sa real dhe surreal në bisedat e 11-12 nëntorit të 2005-s në Kukës. E ndjeja se, pa e kuptuar as ai vetë po linte Testamentin e vet. Një Testament që vinte frymëmarrje-frymëmarrje. Testament jetësor dhe letrar, mu aty ku Rreshpja mori goditjet: në jetë dhe letërsi. Ndoshta Testamenti më i çuditshëm në botë. Dhe unë e kapa kodin e atij Testamenti. Ai rrëfeu ferrin dhe përtejferrin. Unë përcolla tek lexuesi vetëm pjesën që kish të bënte me ferrin e jetës së Rreshpes. Aty e ndala. Nuk doja që lexuesi të besonte se poeti imazhist shqiptar, poeti shqiptar më europiani padyshim, poeti i një ndjeshmërie të lartë, një Esenin tejet modern me lirikën e vet kishte shkuar ende pa vdekë edhe në përtejferr, në përtejekzistencë. Bash për këtë, ajo pjesë rrëfimi qe dramatike, tepër tronditëse. Kjo pjesë e përtejferrit s’ka të bëjë me surrealen, por realen e jetës së njeriut dhe poetit Rreshpja. Ai e preku ferrin, përtejferrin (ajo që në Veri thuhet Me e kallëzue veç në Natën e Vorrit), por në gjallje të vet, që s’ndodh asnjëherë ose tepër rrallë, ai preku edhe Parajsën. Kjo ishte poezia e vet. Rreshpja tha: “Kam ditur të jetoj. Unë di edhe të vdes. Të paktën, poezinë time e lashë për të tjerët. Do bindeni edhe për këtë gjë”. Bohemi Rreshpja dhe mistiku njëkohësisht, u kujdes deri në imtësi, edhe për mbiemrin e vet të shkruhej si duhet, edhe të përmendte miqtë e afërt që i kishin ndejtur pranë. D.m.th., me një mirënjohje të njerëzishme të paskaj.

– Pyetja që nuk ia bëtë dot Fredit, për të cilën ju ka mbetur peng?

– Jo. Biseda rrodhi n’atë shtjellë sa m’u duk se ai rrëfeu shumëçka ose, më saktë, rrëfeu atë që duhej. Nuk kish shumë nevojë për pyetje n’atë bisedë natyrale, ku asgjë s’qe e tepërt, por dhe ku s’mungonte asgjë. Ai qe plot dëshirë me rrëfye, me u shprazë krejt, me kallëzu për tragjiken e jetës së vet, për ato gjëra që e pa t’arsyeshme, ndërsa n’anën tjetër, unë kisha dëshirë me e dëgju pa kurrfarë mërzitje, isha tepër i vëmendshëm n’ato që thoshte dhe me e regjistru që, herdokur ai rrëfim i butë dhe i vrazhdë të mos mbetej i msheltë vetëm në tavolinë dhe të bëhej publik. Nuk mund të veproja ndryshe. Do t’isha i pasinqertë me Rreshpen, por dhe jokorrekt me kulturën shqiptarë, së cilës do t’i humbte një prej dëshmive më tronditëse.

– Pse mendoni “Frederik Rreshpja, që s’e kuptuam kurrë”?

Kjo ka të bëjë me mosvëmendjen e shoqërisë shqiptare ndaj tij, me shpërfilljen, harresën e qëllimtë. Sidomos të shoqërisë letrare. Për shkak të xhelozisë a të shumëçka tjetër. Atë s’e kuptuam në lirinë e tij, në përpjekjen me qenë i lirë në jetë dhe letërsi. Vdekja e tij qe një vdekje e paralajmëruar, e përshpejtuar. Shoqëria jonë e nxitoi vdekjen e poetit me mosvëmendjen dhe indiferencën e saj të njohur, e pranojmë ose jo, ose nuk duam ta pranojmë. Dihej sëmundja dhe e papasmja e tij, por s’u kujtua kush që ai të kurohej. Letrarët e panumërt të Tiranës le të dilnin në protestë “Për shëndetin e Fredit”, mu para Parlamentit. Ajo do t’ish protesta më e veçantë në Europë. Pra, mungoi ndjeshmëria. Ai u shpërfill edhe në ditën kur po shkonte në bujtinzën e fundme. Aty, vetëm miqtë e shokët. Përsëri, pra, përfaqësuesit e lartë të shtetit (të kulturës, natyrisht), larg dhe ftohtësisht e pandjeshmërisht ndaj asaj ceremonie të njeriut që s’qe vdekjetar i zakonshëm. Kanë kaluar 10 vjet prej vdekjes së tij dhe vepra e tij letrare e plotë ende s’është botuar. Do t’ish në nderin, por dhe detyrimin njëkohësisht të Ministrisë së Kulturës (jo vetëm të kësaj aktuales) të nxirrte fondin për botimin e kësaj vepre, të njërit prej poetëve më të shquar të këtij vendi, në mos më i shquari. Le të linte anash tre-katër botime të librave tullumbace! Kaq do mjaftonte. D.m.th., asnjëherë s’pati kohë të përshtatshme për të, por vetëm kohë anti-Rreshpe. Ai vdiq i pikëlluar në varfëri të plotë, edhe i sëmurë gjithashtu. Më thoshte: “Në Shqipëri, varfëria është vdekje”. Veç kësaj, hipokrizia ndaj tij qe e dukshme. E lavdëronin poezinë e tij nëpër tavolina, por s’e potencuan publikisht. Më tepër se cinizëm a keqdashje.

– Kishte diçka për të cilën folët me poetin ato dy ditë nëntori, diçka që ai e ndau me ju, por pa dëshirën ta dinte kush tjetër?

Natyrisht. Se n’atë bisedë u krijua një klimë e përshtatshme që ai të shprehej. Ka edhe gjëra të tjera tepër tronditëse që s’janë përfshi në libër. Në një rast na tha: “Këto gjëra po u them vetëm juve. Mbajeni për vete”. E kish fjalën që unë dhe vëllai im, Fatmiri, i pranishëm në bisedë, të mos i nxirrnim e t’i bënim publike. Kjo pjesë e pashplueme për lexuesin, më ka mbetë thellësisht në tru. Asnjëherë s’kam qenë ndërdyshtas t’i bëj publike, sepse biseda ka rregullat e veta, aq më tepër kur kërkohej që ato gjëra të ruheshin si të fshehta. Në tekstin e plotë që kam hedhë në kompjuter, pikërisht për pjesën ku Rreshpja kish thënë: “Mbajeni për vete”, e kam ngjyrosë me ngjyrë të verdhë. Nuk besoj se më thyhet mendja në këtë pikë. Sepse, ka raste kur disa të fshehta duhet të ruhen. Ndërsa, pjesa ende e pashplueshme që ka të bëjë me rrëfimin përtej ferrit, tash e ndiej se në ribotimin e librit duhet botuar.

– Gjatë bisedës me Rreshpen, në “In memoriam” ceket tek-tuk jeta e tij, por duke mos qenë ngulmëtare të bisedës. Folët si ju thye ai shpirt për të mos iu ngjitur kurrë. Dashuria e tij e parë tragjike, një djalë fryt i kësaj dashurie fatkeqe, të cilin e kërkoi kaq shumë dhe kurrë nuk e gjeti?

– Kjo gjë që thoni ju, u përmend disa herë në bisedë. Është në atë pjesën e pashplueme të bisedës, që rri ende grijas. Kam botuar shumë pak. Më thoshte: “Pa familje, pa nënën time, pa shoqni, pa gjithçka… Vetëm me poezi…”. Nëse futemi te pjesa ende e pashplueshme, tani për tani mund të përcjell shënimin: “Një djalë më iku. Ndoshta ma morën retë e zeza. Ah, sikur Zoti të më kish dhënë edhe një vajzë! Do i vija emrin më të bukur të botës. Do e rrisja me dashuri si dashuria e Fredit, do e shihja në dritë të syve e ajo do kënaqej me mua. Por s’do të shkruaja poezi për të se e kisha para syve të mi. Se unë krijoj imazhet në poezi për gjërat që më mungojnë. E pyeta atë natë se ç’emër do t’i vinte vajzës. Jo, më tha. Se atë tani e kam vetëm si imazh. Imazhet nuk marrin emra. Ndërsa pakëz më vonë, u kthye prapë aty. Po thoshte fjalë si shkujdesshëm. Kur mbaroi, bëra renditjen e tyre. Aty për aty kish krijuar një poezi të veshur me mjegull e dritë njëkohësisht, sikurse pak kohë më parë krijoi poezinë “Palca e vdekjes”. Të nesërmen më përmendi emrin e vajzës. Atëherë, kisha në mendje emër tjetër, tha. Tani e ndryshova…”

– “Si s’u kënaqa një herë në jetë! Si nuk munda të përkëdhel fëmijë një herë! Pse Zoti pati nge të merret vetëm me mua!” Kësisoj shtërzeu shpirti i tij në Prishtinë pas takimit me studentin e panjohur. Mendoni se ai jetoi tragjikisht apo tragjike ishte jeta e tij?

– Rreshpja natyrisht që e donte jetën, anipse në çdo hap pati mure. Nuk donte ta jetonte atë tragjikisht, por fati i trishtë, rrethanat ia diktuan një gjë të tillë. Qe i dëshpëruar tek s’shkonte. Thoshte: “Tani Fredi është i vetëm… Tani as Zoti s’ia jep dorën…”. Prandaj jeta e tij qe tragjike. Edhe pse e tillë, ai gjeti një segment, një fije drite dhe u kap fort pas asaj që të hapte një shteg plot me dritë: poezinë e vet. Kjo ndodhte sepse “Asgjë s’qe e rastësishme në poezinë e tij” (Xh. Bajraj). Shijen e trishtë të jetës e kish hedhë prapa krahëve, ndërsa tek poezia gjente qetësi, ngushëllohej, në një farë forme lazdrohej me të. Më thoshte: “Unë duhet t’ia jepja Nobelin poeteshës polake Shimborska, se ajo ka shkruar vargun: Këtu asgjë nuk ka ndryshuar. Kurse unë kam shkruar: “O ajër i mbrëmjes mbështillmë, erdhi ora të vdes përsëri.”.

-Studenti që e takoi në kafe, nxënësit që i dhanë lëmoshë duke kujtuar se ishte një lypës dhe inxhinierja që e përcolli me makinë për në hotel, duket se ishin pengjet e tij dhe amaneti juaj. Prej atëherë e sot keni dijeni mbi identitetin e këtyre personazheve enigmatik që u ngulitën kaq fort në shpirtin e drobitur të lirikut?

– Qe e pamundshme t’i gjeja dhe t’i takoja, anipse Rreshpja e kishte fort merak. Donte të shlyente njëfarë borxhi ndaj tyre. Por qe krejt e pamundshme. Megjithatë, ai sikur e zgjidhi vetë me fjalët e tij: “Kërkoi ata njerëz. Njerëzit e mirë kanë emra. Të këqijtë zhyten në mjegull e s’dallohen”. Në mendjen e tij mbetën si imazh qytetarët e Prishtinës, por edhe vetë Prishtina si “Vend i poezisë së bukur”. Sa herë shkoj në Prishtinë, më duket se i shoh ata njerëz që i ofruan ngrohtësi Rreshpes, por më shqiten prej syve të mi, se nuk mburren e nuk bërtasin kurrsesi se cilët ishin, si të thonë në heshtje se ata bënë vetëm detyrën. Ka të bëjë me magjinë e njerëzve të thjeshtë, etikën dhe modestinë e tyre. Mirësia zakonisht flet në heshtje, edhe modestia gjithashtu.

– Gjatë trajtimit të materialit të bisedës me poetin shkodran, a keni menduar ndonjëherë se ai foli kaq shumë për vdekjen sa dukej se ai nuk dialogonte me kënd, por thjeshtë monologonte?

– Gjatë bisedës, natyrisht Rreshpja dialogonte me mua, por kishte raste që ai sikur i rrëfehej vetvetes. Mbështillej në botën e vet sa reale aq edhe surreale. Ai thoshte: “Fredi…” dhe kështu, sikur kallëzonte jetën e tjetërkujt që e njihte mirë dhe jo për veten e vet. Fjala vdekje s’mund të shmangej. Ai thoshte: “Fredi i mban me vete vdekjen dhe kapelen”. Dukej se qe familjarizuar me vdekjen, që mund t’i vinte në çdo kohë, siç erdhi përfundimisht si tre muaj më vonë, më 17 shkurt të 2006-s.

Në anën tjetër, Shkodra e ngjizi Rreshpen me poezinë e vet të ndritshme brenda shpirtit të saj kulturor, intelektual dhe ia dha Shqipërisë sikur t’i thoshte: “Rreshpja s’i përket vetëm Shkodrës, por krejt Shqipërisë”. Por Shqipëria nuk veproi si duhet me Rreshpen, madje veproi me cinizëm, njëjtë si me Kutelin, Poradecin e plot të tjerë. Nuk arriti t’i dëshmonte Europës se poeti i shkëlqyer i Shqipërisë, i përkiste edhe asaj, d.m.th., Europës. Megjithatë, edhe në këtë mosdashje, në këtë errësi kulture, Rreshpja shkëlqen me poezinë e vet. Në libër e kam cilësuar “Napoleoni i butë i lirikës shqiptare”. Poezia e tij s’është vetëm e sotshme, por është mirëfilli poezi që shpërfill kohët, kornizat dhe herdokur do i shfaqet Europës me cilësinë e poetëve që i duhen edhe asaj.

– Me Frederikun për Fredin folët kaq gjatë, u përmendën kaq emra. U kujtuat për episode dhe autorë të ndryshëm. I’u dedikuat një seri mirënjohjesh për gjithçka bënë për të. E vetmja që mbeti në qendër të akuzave ishte qeveria që e kishte braktisur. Në këtë shpirt të paqtë e të butë, nuk mendoni se kishte diçka e ashpër dhe të egër që kishte nevojë të shpërthente. Nuk tregoi dikë me gisht?

– Rreshpja qe paqësor, i butë, jashtëzakonisht i butë. Nuk anatemonte kënd. Dukej se shumë pakënaqësi donte t’i merrte me vete. Mbasi përmendi miqtë që i qëndronin pranë, ai tha: “Vetëm shteti s’e do Fredin… Vetëm shteti…”. Natyrisht, kjo frazë e tij qe alarmuese, protestuese në formën më të veçantë. Më së pari, gishti tregues shkonte mu aty ku jondjeshmëria qe më e madhe, shpërfillëse. Pa dyshim që shtetin e bëjnë njerëzit, administrata, institucionet gjegjëse, veçanërisht ato të kulturës.

– Keni ndonjë ide për t’iu rikthyer Frederikut, me ndonjë dramë, monografi apo roman, ndoshta për të thënë çfarë nuk u tha në librin “Frederik Rreshpja, që s’e kuptuam kurrë”?

-Jo. Absolutisht jo. Këtu fiksioni shpërfillet ndjeshëm, sepse Rreshpja rrëfeu mrekullisht dhe pangjashëm dramën e vet. Çdo vepër tjetër e zhanrit fiction (roman, p.sh), për Rreshpen do t’ish e zbehtë. Rreshpja, vetë e gdhendi personazhin Rreshpja n’atë rrëfim dhe në poezitë e veta të mëhershme. Nëse, ndonjë regjisor i talentuar tregohet i vëmendshëm tek rrëfimi i mbramë testament i Rreshpes, atëherë mund t’i përcillej shikuesit një dramë e përkryer. Unë kam besim se rrëfimi i mbramë i Rreshpes do shihet si i tillë. Sepse ai rrëfim dhe krejt poezitë e Rreshpes janë provokuese.

Intervistoi: Albert Vataj

Më Shumë

Policia shqipton mbi 1 mijë e 600 gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1669 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore...

Habit këngëtari: Alienët më kërkojnë të bëhem lajmëtari i tyre!

Robbie Williams mendon se alienët po përpiqen të dërgojnë mesazhe përmes tij sepse ai është i famshëm. Këngëtari 50-vjeçar beson se alienët duan që...

Lajmet e Fundit