“Të diagnostikuarit me HIV përveç hallit për sëmundjen, vuajnë edhe nga paragjykimet se si të tjerët do ta presin lajmin për sëmundjen e tyre”, kështu thotë punëtorja sociale në Klinikën Infektive të QKUK-së.
Sipas saj një numër i madh i pacientëve kur e kuptojnë që vuajnë nga kjo sëmundje, mbyllen në vetvete nga frika se si të tjerët do t’i presin.
Në këtë klinikë janë më shumë se 20 pacientë të cilët marrinë terapitë për HIV/AIDS
E në të gjithë Kosovën sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, për rreth 30 vite deri më tani janë infektuar 100 persona janë prekur me virusin HIV/AIDS, në mesin e tyre ka edhe fëmijë.
E gjatë vitit të kaluar në Kosovë janë regjistruar dy raste me sëmundjen HIV/AIDS.
Zëdhënësi në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti ka thënë për Gazetën Fjala se mosha mesatare e të prekurve me HIV është nga 15 deri në 24 vjet.
“Ka pasur raste të moshave të ndryshme, si të grup-moshës 15-24 vjeçe ashtu edhe të grup moshës 45-54 vjeçe. Por, ka pasur edhe raste të prekurish fëmijë, të cilët infeksionin e kanë marrë nga prindërit e prekur me HIV/AIDS”, ka thënë Hoti.
Sipas tij nga 100 rastet e prekura me këtë sëmundje 41 persona kanë vdekur.
“41 kanë përfunduar me vdekje si pasojë e AIDS-it”, thotë Hoti.
Ai tregon se në aspektin gjinor, 69 për qind i takojnë gjinisë mashkullore, ndërsa 31 për qind gjinisë femërore.
Ndërkaq Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSh-së në Kosovë, është shprehur se bota është e përkushtuar për t’i dhënë fund epidemisë së AIDS-it dhe se deri në vitin 2030 kjo dukuri pritet të minimizohet.
“Tani më është bërë përparim i dukshëm. Synimi zhvillimor i mijëvjeçarit lidhur me frenimin dhe përmbysjen e HIV-it në nivel global është arritur. Në fund të vitit 2014 numri i vdekjeve të shkaktuara nga HIV-i është reduktuar në 42% nga 2 milionë sa ishte në 2004 në përreth 1.2 milionë në vitin 2014”, ka thënë ai në një raport të publikuar në dhjetor të vitit të kaluar.
.Mirëpo vetëdijësimi i shoqërisë kosovare për këtë sëmundje nuk vlerësohet të jetë në shkallën e duhur.
Sociologu, Enver Hasani shprehet se pacientët që bartin këtë virus paragjykohen nga shoqëria. Sipas tij këtë kompleks nuk e partin vetëm pacientët por edhe familjarët e tyre të cilët vazhdimisht i sigmatizon shoqëria.
“Momenti dhe impakti i parë kur këta persona marrin vesh diagnozën është shumë dramatik. Kanë ngarkesë të madhe emocionale. Nga njëra anë sepse se ka një sëmundje “vdekjeprurëse” dhe nga ana tjetër, është meraku se mos e marrin vesh të afërmit apo shoqëria”, ka thënë Hasani për Gazetën Fjala.
“Në pjesën më të madhe të rasteve këta persona kërkojnë mbështetje tek familja andaj si e tillë familja është një nga komponentët dhe aleatë për të asistuar të sëmurin për ta tejkaluar atë sfidë”, ka shtuar ai.
E ndëkohë Instituti i Shëndetit Publik në Kosovë, njofton se në të gjitha rastet kur dyshohet se personi është i infektuar me HIV duhet të bëjë këshillimin dhe testimin vullnetar sa më të hershëm, që mundëson diagnostikimin e HIV infeksionit e me këtë edhe ndërmarrjen e masave të trajtimit dhe parandalimit të përhapjes së mëtejme tek të tjerët.
Përfaqësuesit e këtij Instituti tregojnë se trajtimi bëhet nën kujdesin mjekësor dhe në institucionet e specializuara për trajtim.
Vitin e kaluar, 1.2 milion njerëz në të gjtthë botën kanë vdekur nga sëmundje të lidhura me AIDS-in. HIV-i mund të transmetohet nëpërmjet shkëmbimit të lëngjeve të ndryshme trupore nga individët e infektuar, të tilla si gjaku, qumështi i gjirit, sperma dhe sekrecionet vaginale./GazetaFjala/