“Sa i përket korrupsionit dhe shkallës, me të cilën janë të zhytur zyrtarët politikë, kjo gjë varet vetëm nga posti udhëheqës. D.m.th. aty ku u është krijuar mundësia më e vogël, zyrtarët e Kosovës e kanë shfrytëzuar, duke krijuar mirëqenie të madhe dhe duke siguruar kapital milionësh, gjë që Prokuroria e EULEX-it nuk është dashur t’i lejojë kaq gjatë të qeverisin Kosovën”, shprehet analisti Shefqet Dibrani
Tash e 16 vjet me radhë Kosova po nëpërkëmbët nga politikanët që ia duan të keqen këtij vendi dhe në vend që të prodhojë stabilitet, siguri e zhvillim, po prodhon dhe njeh vetëm kriza të njëpasnjëshme, politikanë të korruptuar. Duket se faji për gjithë këtë dështim i ka klasa e dështuar politike, e cila e ka kapur shtetin dhe çdo por të jetës.
Njohësi i mirë i çështjeve të politikës, Shefqet Dibrani, thotë se fajtorët për dështimet e shumta të shtetit janë gjithfarësh.
“Natyrisht këta që janë zvarritur nga posti në post, qoftë në nivel shtetëror apo partiak, janë përgjegjësit kryesor. Derisa në LDK ka pasur ndryshime rrënjësore, sidomos pas vdekjes së dr. Rugovës, në PDK elementet udhëheqës janë konstant. Ato pak mospajtime brenda PDK-së, ngjasojnë me përpjekjet e fraksioneve brenda LDK-së për të gjallë të Dr. Rugovës. Kjo analogji na sjell tek konstatimi se përgjegjës kryesor të krizës në Kosovë janë strukturat e PDK-së të njohura e përfolura si SHIK, ndërsa brenda LDK-së kryesisht është instaluar mendësia përjashtuese dhe përçarëse e cila si protagonist të saj e ka dr. Bujar Bukoshit”, thotë ai për “Kosova Sot”.
Frika nga Gjykata Speciale
Dibrani tutje shton se si SHIK-u, ashtu edhe Bujar Bukoshi, janë dy elemente që e kanë shkatërruar Kosovën.
“Nëse në PDK kanë vepruar strukturat e SHIK-ut të cilat kanë bërë kërdinë nëpër Kosovë, strukturat e Bujar Bukoshit kanë bërë të njëjtën kërdi, por veprimtaria e tyre është fokusuar brenda LDK-së, ndryshime këto që lidhen drejtpërdrejt me kohën e udhëheqjes së dr. Fatmir Sejdiut, përmes të cilit u futen pa vështirësi në radhët e LDK-së, ku kjo parti komplet përfundoi në duart e Bujar Bukoshit. Fillimisht dr. Bujar Bukoshi do të rehabilitohet në Familjen Rugova dhe më pas përmes mekanizmave të tij do të arrin ta futi brenda LDK-së z. Isa Mustafa. Sot z. Isa Mustafa ia ka ndryshuar tërësisht konceptin dhe vizionin politikës paqësore, shtetndërtuese dhe unifikuese filozofisë së dr. Ibrahim Rugovës, koncept ky që kishte investuar për vitet të tëra, prandaj krimi politik dhe ekonomik tashmë po e bënë të veten edhe brenda kësaj partie, në të cilën më nuk funksion asnjë nga postulatet e konceptit të dr. Rugovës”, mendon ai.
Dibrani mendon se nuk mund të krijohet stabilitet politikë, as 16 vjet pas luftës për shkak se kemi një kryeministër që nuk përfillë askënd.
“Si mund të prodhojë stabilitet politik një kryeministër mbi të cilin rëndojnë një bagazh veprash, disa prej të cilave flitet se janë të proceduara edhe tek prokurori i shtetit dhe ai në EULEX.
Por, nëse gjërat i shikojmë me një sy kritik, tek partnerin qeverisës PDK-ja gjendja është shumë më e rënduar, veçmas nga frika se Gjykata Speciale do të merret me disa sish. Por, do të jetë e dhembshme dhe me pasoja nëse kjo mund të ndodhë me Presidentin e ardhshëm të Kosovës”, thotë ai.
Brezi i politikanëve që nuk e kanë dert përgjegjësinë!
Fajin që Kosova është në këtë krizë të thellë politike duhet kërkuar te politikanët uzurpatorë që kanë kapur shtetin, mendon Dibrani, i cili shton se kjo kastë politike nuk ka lënë ligj dhe statut partiak pa e shkelur dhe e kanë uzurpuar edhe postin e Presidentit, atë të kryekuvendarit dhe postin e kryeministrit. /Kosova Sot/