9.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

1600 ankesa ndaj zyrtarëve policorë, shumica për përdorim të tepruar force

Numri i ankesave të qytetarëve ndaj sjelljeve të zyrtarëve policorë po shkon duke u shtuar. Përgjatë vitit 2020 Inspektorati i Policisë ka pranuar gjithsej 1600 ankesa.

Përdorimi i forcës nga punonjësit e policisë është ankesa më e shpeshtë që vjen nga ana e qytetarëve.

Kryeshefi i inspektoratit, Kushtrim Hodaj, thotë se ende nuk e dinë arsyen e rritjes së numrit së këtyre ankesave, por shton se mund të jetë edhe pasojë e vetëdijesimit të qytetarëve.

“Një numër i konsiderueshëm i këtyre ankesave janë për hetim penal e që lidhen kryesisht me keqtrajtim gjatë kryerjes së detyrës apo shkaktim i lëndimeve të lehta trupore. Një pjesë e tyre lidhen edhe me masat anti-Covid, të cilat kanë qenë publike dhe janë trajtuar nga ky institucion”, ka thënë Hodaj.

Numri i rekomandimeve për suspendim të zyrtarëve policorë gjatë 2020-s arriti në 88, dhe këtu përfshihen raste të ndryshme.

Inspektorati vitin e kaluar ka kryer shtatë inspektime brenda policisë rreth përdorimit të forcës ndaj qytetarëve. Sipas ligjit në fuqi, zyrtarët policorë të cilët përdorin forcë fizike, janë të obliguar që ta raportojnë atë në formularin për përdorim të forcës.

Inspektorati vë në pah se jo të gjitha rastet e kësaj natyre janë raportuar përmes formularit.

“Gjetjet e inspektimit kanë treguar se nga 32 raste sa ka regjistruar Departamenti i Hetimeve të IPK-së përgjatë periudhës 2018-2019 lidhur me rastet penale nën dyshimin për ‘keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare’, ‘lëndim i lehtë trupor’, apo ‘lëndim i rëndë trupor’, në disa prej tyre zyrtarët policorë nuk kanë plotësuar formularin për përdorimin e forcës”, thuhet në gjetjet e Inspektoratit.

Gjetjet tregojnë se nga 32 rastet e evidentuara në Departamentin e Hetimeve të IPK-së, që kishin të bëjnë me dyshime për vepra penale që lidhen me përdorim e forcës nga zyrtarët policorë: në 10 prej tyre është plotësuar formulari i përdorimit të forcës nga zyrtarët policorë, 4 raste, zyrtarët policorë kanë qenë të përfshirë në raste jashtë detyrës zyrtare, në 1 rast kanë qenë të përfshirë zyrtarë të tjerë policorë, në 4 raste policia ka pretenduar se nuk ka përdorur forcë, në 6 raste nuk është plotësuar formulari i përdorimit të forcës dhe për 7 raste ka qenë e pamundur të përcaktohet”, thuhet në raportin e IPK-së

Kryeshefi i këtij institucioni thotë se ka kërkuar të sqarohet më mirë termi ‘përdorim i forcës’.

“Kemi bërë 7 inspektime, 4 prej tyre kanë qenë të rregullta dhe 3 të jashtëzakonshme. Këtu hyn edhe mënyra e përdorimit të forcës nga policia. Është evidentuar që vendosja e prangave është njëra prej rasteve që ndoshta nuk ka raportim të duhur nga ana e punonjësve të PK, për shkak se shumicën e kohës nuk konsiderohet nga ta, përdorim i forcës. Por, sipas rregullave të PK, vendosja e prangave konsiderohet përdorim i forcës e cila duhet të raportohet”, ka thënë Hodaj.

“Sipas raportit të inspektimit, Komisioni për shqyrtimin e përdorimit të forcës ka shqyrtuar 552 lëndë për përdorim të forcës fizike dhe përdorim të armës së zjarrit, nga të cilat 529 lëndë kanë rezultuar se forca e përdorur ka qenë në pajtim me ligjin në fuqi, tre lëndë kanë rezultuar se forca e përdorur ka qenë në kundërshtim me ligjin kurse 20 lëndë janë kthyer për plotësim, sepse kanë qenë të pakompletuara”..

Në të gjitha rastet ky komision ka rekomanduar trajnim shtesë në fushën e përdorimit të forcës apo të armës nga zyrtarët policorë./KOHA/

Më Shumë

Lajmet e Fundit