3.8 C
Prizren
E shtunë, 16 Nëntor, 2024

Asnjë “peshk i madh” në burg, drejtësia po dështon

Analistët politikë dhe njohësit e fushës së sundimit të ligjit vazhdojnë ta vlerësojnë me notë të dobët punën e prokurorisë, edhe asaj të Shtetit edhe Specialen, pasi që, sipas tyre, prokuroria fillimisht dhe më pastaj edhe policia nuk i hetojnë fare rastet e mijëra të inkriminuarve në institucionet e Kosovës, duke filluar nga niveli komunal e deri tek ai qendror. Analistët e gazetës pyesin pse Prokuroria Speciale në Kosovë nuk ka arritur të zërë as edhe “një peshk të madh” nga krimi i organizuar, të cilët si në nivelin lokal, po ashtu edhe në atë qendror sipas tyre po kërkojnë dhe po marrin haraç për shërbimet, që në një shtet me sundim të ligjit dhe ekonomi të lirë të tregut rregullohen me ligje e Kushtetutë. Po ashtu, ata pyesin se pse në Kosovë nuk ka shanse që pa paguar haraçin të marrësh as leje ndërtimore, e as përgjigje apo vendime administrative nga administrata, si në pushtetin lokal po ashtu edhe në atë qendror, edhe pse ligjet shumë qartë i obligojnë për këtë. Është gjykim i analistëve se deri më sot nuk kemi asnjë të akuzuar dhe të dënuar të nivelit të lartë politik, apo zyrtar të lartë në administratën komunale dhe atë qendrore e as të mafio-oligarkëve që veprojnë dhe janë pjesë e “nëntokës dhe krimit të organizuar” që funksionon para hundëve e syve të prokurorëve të Prokurorisë Speciale, ndërkaq që ata nuk i hetojnë as ‘ex officio’ dhe as pas kallëzimeve penale nga qytetarët, duke u dalë në mbrojtje dhe duke bërë avokatinë e tyre dhe nuk ngritin fare aktakuza kundër tyre. Sipas vlerësimit të njohësve të kësaj fushe, Prokuroria nuk ka guxim të sjellë para drejtësisë mafio-oligarkët që mbi 9 vite po mbajnë monopol kriminal duke shkelur Kushtetutën dhe të gjitha ligjet në fuqi, prandaj me të drejtë shtrojnë pyetjen se deri kur kështu shteti do të paguajë dhe do t’ua rrisë pagat prokurorëve nga buxheti i shtetit, ndërsa ata nuk duan ta bëjnë punën e tyre të detyrueshme me ligj e Kushtetutë!Prokuroria e Shtetit dhe ajo Speciale nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e dërguara me shkrim nga gazetari rreth këtyre konstatimeve të analistëve dhe njohësve të fushës.

 

Sipas analistit politik Florim Zeqa, është shqetësues fakti kur dihet se me qindra e mijëra raste të krimeve të rënda në institucionet e shtetit nuk hetohen fare nga Prokuroria e Shtetit dhe policia hetimore, për shkak të lidhjeve të fuqishme me politikën dhe nëntokën kriminale. “Si pasojë e bashkërendimit të veprimeve në mes tyre, Prokuroria Speciale deri më sot nuk ka arritur të zërë asnjërin nga “peshqit e mëdhenj” të krimit të organizuar në vend, të cilët si në nivelin lokal, po ashtu edhe në atë qendror po kërkojnë dhe po vazhdojnë të marrin haraç për shërbimet, që në një shtet me sundim normal të ligjit janë të paimagjinueshme. Për fat të keq, në Kosovën e pas 17 shkurtit 2008 akoma po vazhdon trendi i haraçit dhe mitë-marrjes nga grupet e nëntokës kriminale”, u shpreh ai. “Bizneset dhe kompanitë, të cilat nuk janë të lidhura me pushtetarët, nuk kanë asnjë shans që pa paguar haraçin të marrin leje ndërtimore, e as përgjigje apo vendime administrative nga administrata e korruptuar dhe burokratizuar, si në pushtetin lokal po ashtu edhe në atë qendror, edhe pse ligjet shumë qartë i obligojnë për kryerjen e shërbimeve njësoj për të gjithë qytetarët. Edhe përkundër kësaj situate paradoksale, deri më sot nuk kemi asnjë të akuzuar dhe të dënuar të nivelit të lartë politik, apo zyrtar të lartë në administratën komunale dhe atë qendrore e as të mafiooligarkëve që veprojnë dhe janë pjesë e ” nëntokës dhe krimit të organizuar” që funksionojnë të “pavërejtur” para hundëve e syve të prokurorëve të Prokurorisë Speciale”, vijoi më tutje Zeqa.”Për më keq se kaq, prokurorët nuk e kanë guximin të hetojnë qoftë një rast të vetëm, as si “ex officio”, pas kallëzimeve penale nga qytetarët,…përkundrazi u dalin në mbrojtje duke e bërë avokatinë e tyre! Kësisoj, prokuroria nuk e ka guximin t’i sjellë para drejtësisë mafio-oligarkët që mbi 9 vjet mbajnë monopol të paligjshëm dhe kriminal, duke shkelur Kushtetutën dhe të gjitha ligjet në fuqi”, potencoi ai për “Kosova Sot”.

 

Eksperti i kësaj fushe, ish-kreu i AKK-së, Hasan Preteni, thotë se derisa institucionet e sundimit të ligjit formohen me vendime politike, nuk ka shpresë që ato të jenë në funksion të detyrës dhe obligimeve kushtetuese dhe të pavarura në veprime.”Prokuroria Speciale është prokurori politike e formuar me një vendim. Nëse do të ishte qëllimi i mirë, atëherë do të formohej edhe Gjykata Speciale, prandaj shtrohet pyetja së ku përfundojnë aktakuzat e Prokurorisë Speciale. E përgjigjja dihet…në gjykatat ekzistuese. Prandaj, shtrohet me të drejtë pyetja pse të kemi më shumë organe hetuese se organe gjykuese? Sigurisht sepse politika dëshironte të krijohet bindja se janë të përkushtuar në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, u shpreh ai.”Krimi duhet dënuar! Prokurorët e Speciales nuk janë prokurorë të veçantë, ata janë transferuar nga prokuroritë e rregullta vetëm për të marrë një pagë më të mirë. E njëjta ndodh edhe me policë hetues dhe zyrtarë të tjerë, nga një strukturë në strukturën tjetër. Kjo prokurori (sipas raportimit të tyre) gjatë vitit të kaluar i ka ngritur vetëm 8 aktakuza! Shtrohet pyetja tani si nuk po turpërohen!!! Po sa nga këto raste do të përfundojnë tani me aktgjykim dënues?, është pyetja tjetër. Përgjigjja dhe pritja nga ana ime janë asnjë-zero! Tani politika ua rriti edhe pagat. Sa më shumë që marrin ata do të punojnë edhe me pak, i shërbejnë vetëm politikës”, tha Preteni për “Kosova Sot”.

Perandori kriminale me mbështetje të pushtetit

Analisti Nexhmedin Spahiu fajëson edhe një pjesë të madhe të medieve, sipas tij të korruptuara, që nuk po e sensibilizojnë sa duhet në opinionin publik, për ta trajtuar çështjen e mospunës së institucioneve të drejtësisë dhe derisa nuk ka një hapësirë të tillë mediale, edhe drejtësia do të vazhdojë të mbetet jofunksionale dhe e përgjumur, ose e kapur edhe më fort nga politika.”Derisa mediet nuk bëjnë presion publik mbi prokuroritë me emër e mbiemër për neglizhencën e tyre, kjo situatë do të vazhdojë kështu. Ka raste ku prokurori tërheq padinë e me pas familjarët e tij punësohen në institucionin që i akuzuari drejton. Nëse mediet do t’i bënin publike këto gjëra, atëherë edhe prokurorët do të punonin më mirë”, theksoi Spahiu për “Kosova Sot”. Sipas analistit dhe njohësit të kësaj fushe, Hidajet Ahmeti, lidhja e strukturuar, e organizuar, por edhe e sofistikuar në mes të pushtetit gjyqësor, legjislativ dhe ekzekutiv, ka krijuar një gjendje anarkie në nivelin qendror dhe lokal. Ai thotë se kjo lidhje kriminale e jashtë mandatit kushtetues e ligjor po ngulfat jetën institucionale, politike, sociale e ekonomike.”Kanceri krim e korrupsion po i infekton institucionet publike dhe po stagnon anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë, por njëkohësisht po varfëron jetën e qytetarëve të lodhur nga kjo gjendje e rënd socio-ekonomike”, u shpreh ai.”Pushtetet lokale përmes rrugëve antiligjore po ndërtojnë perandori kriminale falë keqpërdorimit të mekanizmave të pushtetit. Në njërën anë punësimet në baza politike, nepotike e punësime me marrëveshje të veçanta për aktivistët politikë, kurse në anën tjetër përmes tenderomonisë korruptive dhe” shitje” të disa shërbime të jashtëligjshme, është fjala për leje ndërtimore, të cilat janë jashtë planit rregullativ urban dhe jashtë planit zhvillimor urban”, vijoi më tej Ahmeti.”Përmes rrugëve antiligjore e duke e keqpërdorur pushtetin lokal, kryetaret aktual po vazhdojnë të “qeverisin” për t’ia zgjatur vetes kolltukun e pasuruar, e në anën tjetër për të rehatuar militantë partiakë e kurdisur tenderë për operatorë ekonomikë, të cilët kanë financuar dhe financojnë subjektet e tyre politike”, tha Hidajet Ahmeti për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)

Më Shumë

Buzë honit

Enver Sulaj Mëngjesi i vjeshtës buzëqeshjen e braktisur ka ngrirë. Asnjë hon s`e zë zhgënjimin. Asnjë pipëtimë sa për të flladitur gjethet e ftoit që u shkrumbua deri në...

Trepça fiton dramën në Suharekë

Skuadra e Trepçës mposhti Yllin me vetëm tri pikë diferencë, duke e përmbyllur ndeshjen me rezultat 66:69. "Xhebrailat" arritën të marrin avantazhin në çerekun e...

Lajmet e Fundit