-1 C
Prizren
E martë, 24 Dhjetor, 2024

Rasti “Burdushi”, eksperti thotë se dy bizneset në emër të të akuzuarit nuk kanë pasur kapital themeltar

Eksperti Ramdan Ferizi, në seancën e së mërkurës në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, deklaroi se dy bizneset në emër të të akuzuarit Hysri Peqani, i njohur si “Burdushi”, nuk kanë pasur kapital themeltar.

Këtë deklarim, dëshmitari Ferizi e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Lutfi Shala, në rastin ku Hysri Peqani, i njohur si “Burdushi”, po akuzohet për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, shpëlarje parash dhe armëmbajtje pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“As te biznesi i parë dhe as te biznesi i dytë, nuk ka patur asni cent kapital themeltar”, deklaroi eksperti Ferizi.

Eksperti tha se lidhur me atë nëse bizneset ishin në emër të të akuzuarit Peqani, ishte bazuar në llogaritë bankare, shkresat e lëndës dhe se data e hapjes së atyre bizneseve ishin në ekspertizë.

Ndër të tjera, eksperti Ferizi deklaroi se për hapjen e bizneseve të të akuzuarit Peqani ishte bazuar në të dhënat zyrtare të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) dhe të dhënave zyrtare të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), të cilat i ishin dorëzuar Prokurorisë Themelore në Prizren.

Sipas ekspertit Ferizi, certifikatat e regjistrimit të bizneseve ishin në shkresat e lëndës dhe sipas të dhënave të ARBK-së biznesi ordinanca “Burdushi” ishte regjistruar më 15 qershor 2005 dhe aktiviteti primar i atij biznesi ka qenë kodi 8690 dhe aktivitetet e tjera të shëndetit të njeriut.

Ndër të tjera, eksperti Ferizi deklaroi se në shkresat e lëndës nuk ka asnjë fakt apo provë që i akuzuari Peqani ka biznese tjera të regjistruara në ARBK, përveç ordinanca “Burdushi” dhe “N.P.H Urimi” dhe i njëjti ka qenë person i autorizuar, pronar- aksionar.

Tutje, ai tha se bizneset e lartcekura janë inkorporuar me një numër fiskal dhe se veprimtaria kryesore primare e atyre bizneseve ishte e njëjtë, por sipas të njëjtit biznesi “N.P.H Urimi”  kishte edhe aktivitete tjera sekondare.

Lidhur me prejardhjen e pasurisë, se a është fituar me trashëgimi apo ishte blerë dhe në cilën periudhë kohore ishte blerë kjo pasuri, eksperti Ferizi deklaroi se të gjitha këto përgjigje mund të gjenden nga faqja 13 deri tek faqja e 28 e ekspertizës.

Rreth asaj nëse pasuria e fituar e propozuar për konfiskim mbulohej me të hyrat e krijuara nga biznesi, eksperti deklaroi se i njëjti nuk e kishte mendimin e njëjtë me raportin e Departamentit të Hetimeve Tatimore (DHTI).

Të hyrat e konsideruara nga DHTI, pra të hyrat nga ditarët të cilët janë gjetur dhe të hyrat e “Money Gram” të udhëhequra në një fletore, eksperti tha se nuk i konsideronte si të hyra për shkak se sipas standardeve të kontabilitetit në Kosovë (SKK) që janë në fuqi që nga viti 2002 përkatësisht sipas standardit numër gjashtë, ky lloj i të hyrave nuk pranohet.

Eksperti Ferizi deklaroi se të hyrat e vetme që ai i kishte pranuar, ishin vetëm të hyrat të cilat sipas raportit të DHTI-së janë realizuar nga i akuzuari Peqani si të hyra nga dy kontrata të qirasë dhe shuma totale ishte rreth 228 mijë e 956 euro.

Në anën tjetër, eksperti Ferizi deklaroi se nga 2004 deri më 2018 vlera totale e të hyrave, blerjeve, mjeteve të pranuara nga “Money Gram”, “Western Union” e të tjera ishte 2 milionë e 388 mijë e 715 euro e 34 centë, pas një përmirësimi të bërë te një automjet.

Në fund, eksperti Ferizi deklaroi se nëse për këto pika të cilat i kishte specifikuar në ekspertizë nuk kanë qenë në shkresat e lëndës apo ndonjë shkresë shtesë dhe nëse ato materialisht e ndryshojnë gjendjen, ai është i gatshëm të bëjë ndryshimin e ekspertizës.

Paraprakisht, duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Kujtim Krasniqi, eksperti Ferizi deklaroi se pranimet “Money Gram” i ka nxjerrë nga raporti final hetues i ATK-së, ndërsa pranimet nga “Western Union” i kishte marrë nga shkresat e lëndës  dhe të njëjtat i kishte vërtetuar në selinë qendrore të “Western Union”.

Eksperti shtoi se te shuma e të hyrave nga “Money Gram” sipas një fletore të udhëhequr nga i akuzuari Peqani, nuk ishte specifikuar ndonjë të hyrë në emër të familjarëve të tij dhe i njëjti tha se ia kishte falur besimin raportit të departamentit të DHTI-së.

Tutje, i theksoi se edhe po të kishte vizituar zyrat e “Money Gram” ai prap do t’ia falte besimin raportit final të DHTI-së për shkak se i njëjti ishte hartuar nga një organ shtetëror.

Kurse, prokurorja speciale Merita Bina-Rugova deklaroi që nuk kishte propozime për plotësimin e provave materiale dhe se nuk kishte vërejtje në ekspertizën dhe deklarimin e ekspertit Ferizi.

Në anën tjetër, gjykatësi Shala tha se gjykata ka pranuar disa prova materiale nga ana e mbrojtësit të të akuzuarit Peqani, avokatit Feim Alaj dhe një parashtresë ku të njëjtit kanë kundërshtuar me shkrim ekspertizën e ekspertit Ferizi.

Për provat materiale, avokati Alaj deklaroi se kishin tetë prova dhe se duke e analizuar në detaje ekspertizën e ekspertit Ferizi, kishin gjetur se disa prova të përfshira në ekspertizë nuk kishin qenë të administruara, por kishin qenë të administruara në këtë proces.

Tutje, avokati Alaj tha se relevanca e këtyre provave ishte me rëndësi që në fund të merret një aktgjykim meritor për të mbrojturin e tij, duke shtuar se i njëjti i propozon gjykatës që të administrohen këto prova.

Lidhur me kundërshtimin e ekspertizës së ekspertit Ferizi, avokati Alaj i propozoi gjykatës që ta marrë në tërësi kundërshtimin e tyre.

Për shkak se prokurorja speciale Bina- Rugova kërkoi nga gjykata afat shtesë që të deklarohet për provat e propozuara nga mbrojtja për shkak se të njëjtat i kishte pranuar para seancës dhe nuk kishte pasur mundësi që t’i lexonte të njëjtat, seanca u ndërpre.

Seanca e radhës për këtë çështje penale u caktua më 11 nëntor 2022.

Sipas aktakuzës, prej kohës së pavërtetuar e së paku nga koha e regjistrimit të biznesit privat ordinanca “Burdushi”, me aktivitetin primar, aktivitetet e tjera të shëndetit të njeriut, më 15 qershor 2005 e deri më 26 korrik 2019, në Prizren, i akuzuari Hysri Peqani-Burdushi, ka mjekuar persona të ndryshëm anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore.

Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, e ka bërë ndonëse nuk kishte kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse.

Prokuroria po pretendon se Peqani e kishte bërë një gjë të tillë me qëllim të përfitimit të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme.

Në aktakuzë thuhet se i njëjti, të dëmtuarve iu ka kryer trajtime të improvizuara, të kota duke i vënë në lajthim dhe duke i nxitur që për këtë t’i paguajnë shuma të ndryshme të parave nga 20 euro deri në më shumë se 3 mijë euro, ashtu që kjo vepër penale e vazhduar ka rezultuar me dobi pasurore të kundërligjshme prej rreth 1 milion euro.

Për këto, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” nga neni 262, paragrafi 1 i KPRK-së lidhur me veprën penale mashtrimi në vazhdimësi nga neni 335, paragrafi 5 të Kodit Penal.

Prokuroria Speciale e ngarkon të akuzuarin Peqani edhe me veprën penale të “Armëmbajtjes pa leje”, pasi që sipas aktakuzës, gjatë kontrollit të policisë në shtëpinë e tij në Prizren, janë gjetur armë, pistoletë e tipit “Girsan” si dhe pushkë gjuetie të tipit “Super Campion”.

Prokuroria pretendon se “Burdushi”, me qëllim të fshehjes së pasurisë së fituar përmes aktiviteteve kriminale, duke filluar nga viti 2006, paratë e tilla i ka futur në sistem bankar me arsyetimin se kështu i paguan këstet e kredive e më pas e ka kryer fshehjen e tyre përmes transferove bankare , ashtu që në fund i ka integruar duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme.

Për këto veprime ai akuzohet për veprën penale të “Shpëlarjes së parave” nga neni 302 të KPRK-së lidhur me nenin 32, paragrafi 1 dhe 2, nënparagrafi 2.1 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Glauk Konjufca bëhet baba për herën e tretë

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka njoftuar se sot është bërë baba për herë të tretë. Ai ka bërë të ditur se është...

Çerdhja e re në lagjen “Ortakoll”, hapësirë moderne për fëmijët e Prizrenit

Komuna e Prizrenit ka përfunduar rikualifikimin e ambienteve të pashfrytëzuara në lagjen "Ortakoll", për të krijuar kushte për ndërtimin e një çerdheje moderne për...

Lajmet e Fundit