13.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Lamtumirë Seremb Gjergji!

Nga sot, në tokën e Kosovës, do të pushojë përjetësisht edhe një njeri i mirë. Ky vend, mbeti pa gazetarin dhe aktivistin, i cili shpesh u mundua, që ta bëjë edhe më të mirë.

Sot iu dha lamtumira e fundit, Seremb Gjergjit, një prej ish gazetarëve të parë të RTK-së, e më vonë edhe i mediumeve të tjera në Kosovë.

Krusheva e Vogël e Klinës, aty ku sot Serembi i mblodhi për të fundit herë, ata që i pati pranë, të tjerë që jeta i shpërndau dhe i shihte më rrallë, por edhe shumë prej tyre që nuk i njohu, por e deshën dhe respektuan, ia dhanë lamtumirën e përgjithmonshme.

“Profesionalist të pashoq”, e cilësoi Veton Rugova, mikun e tij, Serembin, me të cilin ndau punën e bukur e të vështirë, të profesionit të gazetarit, që nga ditët e para të angazhimeve në RTK.

“Ata që e kanë njohur, e dinë  pozitivitetin e këtij njeriu me vlera kombëtare”, tha Rugova.

“Bashkë me Serembin, ishim pesë gazetarët e parë që kemi themeluar RTK-në, deri në vitin 2004/2005”, rikujtoi Rugova, kohët e vjetra të kaluara me mikun që tashmë nuk jeton më.

“Më pas, Serembi vazhdoi punën në mediume të tjera, me të njëjtin përkushtim e profesionalizëm”.

E mediumi tjetër pas RTK-së,  të cilit Serembi i dha shumë nga profesionalizimi i tij, ishte KTV-ja.

Kolegja e tij nga ky televizion, Mimoza Koprani -Muçaj, risolli në vëmendje punën e dikurshme të përbashkët me kolegun tashmë të ndjerë.

“Punuam në një kohë kur nuk kishte shumë media”, tha ajo, “që thënë të drejtën nuk kishim nga të mësonim se si bëhet gazetaria”.

Por, në vitet e para të pasluftës, Koprani-Muçaj, tha se ishte koha kur solidariteti i madh mes kolegëve, e lehtësonte barrën e rëndë  të informimit të drejtë.

“Mësonim  e ndihmonim njeri -tjetrin, e Sremebi ishte pikërisht njëri nga njerëzit që kurrë nuk kursente të të ndihmonte, sidomos për gazetarët e rinj në profesion”, tha Koprani-Muçaj.

“Do ta mbaj mend si  njëri shumë entuziast për profesionin e tij, dhe i dashur  për të gjihë ata që  e kanë njohur”.

“Një profesionist fantastik”. Kështu e përshkroi Lekë Musolli, ish kolegun e shokun e tij, Seremb Gjergjin.

“Ai i hyri gazetarisë jo për  të fituar, por për t’i dhënë më shumë”, tha Musolli në këtë ceremoni varrimi.

“I dha shumë kombit tonë sepse ishte pjesë e te gjitha zhvillimeve që ndodhën në Kosovë, dhe u mundua për të mirën e këtij vendi”.

Megjithatë, Serembi nuk ishte vetëm për shokët e kolegët në Prishtinë. Ai ishte edhe për bashkëvendasit e tij.

“Sot i japim  lamtumirën e  fundit djalit të vetëm të dy prindërve, që sikurse i biri, edhe ata janë të dashur e shembullorë”, tha profesori Nue Shabani, bashkëvendas i Serembit të ndjerë.

“Kujtimet dhe respektin për Serembin, do t’i ruajmë  gjithmonë të freskëta në mendjet dhe zemrat tona”.

Përveç gazetarisë, Serem Gjergji do të kujtohet edhe si kandidat i pavarur për President të Kosovës. Në vitin 2011, ai shpalli publikisht kabdidaturën për krye të shtetit, me kusht që presidenti të zgjidhet direkt me vota të qytetarëve. Megjithatë, ndryshimet në Ligjin përkatës nuk u bënë dhe ai vazhdoi detyrat edhe më të mëdha e të rëndësishme në jetë, atë të qenit bir e vëlla i vetëm, bashkëshort e prind i dy fëmijëve.

Seremb Gjergji vdiq në moshën 47 vjeç,pas një sëmundjeje të shkurtër.

Sidoqoftë, ai gjithnonë do të kujtohet si gazetari:  “…Seremb Gjergji, RTK lajme!”

 

Më Shumë

Trepça bindëse ndaj Bashkimit

Klubi basketbollistik Trepça ka shijuar fitoren e 20-të radhazi, duke mposhtur këtë herë Bashkimin me rezultat 92:78 (37:23, 9:25, 23:13, 23:17). Mitrovicasit janë duke vazhduar...

Vdes në vendin e punës mërgimtari nga Malisheva

Nazmi Morina nga Lubizhda e Malishevës, ndërroi jetë një ditë më parë në vendin e tij të punës në Itali. Lajmi u bë i ditur...

Lajmet e Fundit