12.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

Pretendime tinëzare

Në rubrikën Rivista e shtypit të këtij numri, në frëngjisht, gjenden disa lajme, informacione, pikëpamje e paragrafë lidhur me pozitën shqiptare. Disa ndër to Konica i komenton në mënyrën tij. Kështu ai e riboton këtë informacion: “La Discussione e Napolit e datës 21 qershor (1897) boton një artikull të zgjedhur të Kinigos me titull: Shqiptarët në Luftën Turko-Greke.

Në konkluzionin e tij thuhet: ‘Koha, në fund të fundit, do të na mësojë shumë gjëra, kurse unë shpresoj se rinia e zjarrtë italiane, që ka derdhur gjakun e saj fisnik në të gjitha luftërat për liri – nuk do të ngurrojë, kur të arrijë çasti, ofrojë krahun e saj të çeliktë për një kauzë shumë më të shenjtë se ajo e grekëve, dmth. për çështjen e shqiptarëve të shtypur – kundër robëruesve turq”.

Pastaj Konica seleksionon një lajm nga Le Temps të 24 qershorit (1897), shkruar nga korrespodenti i gazetës nga Mali i Zi. Në të shkruan: “Konflikti greko-turk u ka bërë të ditur shteteve ballkanike peripetitë e ndjekjes së një politike të përbashkët ndaj Perandorisë Osmane. Bullgaria dhe Serbia, në kauzën e Perandorisë, kanë zona të natyrshme të interesit të përcaktuar relativisht mirë. Mirëpo, me Malin e Zi puna është ndryshe. Ai nuk mund të pretendojë një politikë ‘kombëtare’ në Shqipëri si serbët në Vilajetin e Kosovës dhe bullgarët në Maqedoni. Para së gjithash, kjo është një taktikë e përmbajtjes që i imponohet princit Nikollë në Shqipëri, prandaj ai është i shqetësuar nga avancimi i vazhdueshëm i Austrisë në këto anë. Kjo fuqi, duke u mbështetur në elementin katolik, është e detyruar për shkak të rrjedhës së ngjarjeve të ndikojë edhe në elementët muslimane, prandaj kuptohet vet­vetiu se një acarim i marrëdhënieve me Portën e Lartë do të kishte si pasojë humbjen eventuale të çdo ndikimi në këtë anë”. Lidhur me këtë raport Konica jep këtë shkoqitje: “Korrespondenti i gazetës Temps nga Cetinje gënjen pa i bë syri tërr. Ai e di fort mirë se Mali i Zi synon diçka tjetër e jo një politikë ‘të përmatjes së thjeshtë’ në Shqipëri. Sidoqoftë, Mali Zi, çifligu i carit, ka nevojë t’i fshehë me llafe të bukura ngatërresat e veta të poshtëra në Shkodër e gjetkë”.

 

 

Situatën e lëvizjes shqiptare e regjistrojnë dhe e trajtojnë edhe disa gazeta të tjera evropiane. Mund të jetë me interes komenti që reprodukon Konica nga e përkohshmja e gjermane Fremdenblatt, e datës 27 qershor (1897): “Nga vështirësitë me të cilat duhet të ballafaqohet Porta e Lartë, – vlerësohet në koment, – është qëndrim i shqiptarëve. Ideja, e cila qe ngjallur para luftës në shpirtin e shqiptarëve, për ta bërë Shqipërinë një territor autonomi, ka hedhur rrënjë akoma më të thella qëkur Kreta e fitoi autonominë”.

Porta e Lartë, sipas këtij komenti, duhet të ndërmarrë diçka në favor të shqiptarëve, t’ua plotësojë kërkesat shqiptarëve me kujdes, nëse dëshiron t’ua ndalë hovin trazirave të pareshtura. Pastaj komenti përfundon me këto lajme: “Në Shqipërinë Veriore janë mbledhur disa mija shqiptarë, njëra palë duke kërkuar bashkimin e Thesalisë, e pala tjetër duke kërkuar formimin e një shteti autonom shqiptar: shqiptarët kanë vendosur të dërgojnë një dele­gacion në Jilldiz-Qoshkë. Në Epir (Shqipëria e Jugut) thuhet se ka edhe 4 000 shqiptarë që refuzojnë të çarmatosen e të kthehen në shtëpi”.

Marrë nga libri Me Konicën në Evropë, i autorit Abdullah Karjagdiu, ribotim nga shtëpia botuese “Koliqi”, Prishtinë, 2022

Më Shumë

Lajmet e Fundit