4.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Gjykimi për shpërthimin në Zhur, i akuzuari vendos të mbrohet në heshtje pas udhëzimit nga mbrojtësi i tij

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të martën, i akuzuari Iran Badalli, është mbrojtur në heshtje pas udhëzimit nga mbrojtësi i tij, avokat Valdrin Gashi.

Avokat Gashi ka thënë se shumica e pyetjeve të parashtruara sot dhe në seancën e kaluar ndaj të mbrojturit të tij, janë bërë në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale (KPP), raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Pas konsultës që e pata tani me të mbrojturin tim dhe pasi që konsiderojmë që shumica e pyetjeve në seancën e kaluar por edhe në seancën e sotme po parashtrohen në mënyrë kundërligjore në kundërshtim me KPP-së, që nga ky moment e udhëzoj që të shfrytëzoj të drejtën e tij kushtetuese dhe ligjore që i njëjti të mbrohet në heshtje”, ka thënë avokati Gashi.

Ai ka shtuar se, arsyeja nuk qëndron nga frika e pyetjeve që mund të bëhen, ngase i mbrojturi tij që nga fillimi ka qenë i gatshëm të deklarohet, por sipas tij, po tentohet që të ulet imazhi i të njëjtit, andaj shfrytëzimin e kësaj të drejte ligjore po e shohin si të domosdoshme.

Paraprakisht, i akuzuari Badalli ka vazhduar dhënien e mbrojtjes së tij, e i njëjti është përgjigjur në pyetjet e parashtruara të përfaqësuesit të dëmtuarit Artur Mrasori, avokat Besnik Berisha.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Berisha, i akuzuari Badalli ka pohuar se nuk ka asnjë relacion të keq me Valbon Qollakun, ndërsa ka mohuar se e ka marrë eksplozivin nga Qollaku.

Në pyetjen e avokatit Berisha se përse Qollaku po thotë të pavërteta për juve pasi që nuk keni pasur kurrfarë konflikti më parë, Badalli ka thënë se të njëjtin e kanë udhëzuar se si të deklarohet.

“Sepse Valbon Qollaku po thotë, se e ka mësu tjetër kush me thanë që unë e kam marrë eksplozivin prej tij, se Valbon Qollaku njëherë u deklaru që e ka pru ai eksplozivin te kerri, seancën e dytë ai deklaroi që e kam marrë unë prej podrumit eksplozivin” ka thënë Badalli.

Tutje, i njëjti ka thënë se Qollaku dhe i akuzuari Gashi kanë biseduar për këtë lidhje të eksplozivit.

Në pyetjen tjetër të avokatit Berisha se nga kush kishte dëgjuar duke i thënë Qollakut të deklarohet se ia kanë dhënë eksplozivin atij, Badalli ka deklaruar se ka pas informata që kanë pas takime me Qollakun, Esat Gutaj, ish-avokati tij Nexhat Elshani dhe se ata e kanë mësuar se si të deklarohet.

Badalli ka thënë se në Qendrën e Paraburgimit në Pejë, në prezencë të hetuesisë, avokati Elshani i kishte treguar se Qollakut i kanë thënë që të akuzojnë vetëm atë.

“Në Pejë, hetuesia u kanë prezent aty kur më kanë marrë në pyetje, ka qenë prezent edhe avokati im Nexhat Elshani dhe se ai më ka thënë Valbon Qollakut i kanë thënë se me deklaru veç ty me të akuzu” ka thënë i akuzuari Badalli.

I akuzuari Badalli ka thënë nuk i ka lexuar përmbajtjet e deklaratave që ka dhënë në polici dhe prokurori.

Avokati Berisha ka pyetur  të akuzuarin Badalli se a i ka pyetur avokatët mbrojtës të tij për letrat që ka deklaruar në prokurori.

Këtë pyetje, e ka kundërshtuar mbrojtësit i të akuzuarit Badalli, avokati Gashi me arsyetimin se në seancën e kaluar dhe në seancën e sotme, shumica e pyetjeve po parashtrohen në mënyrë direket e jo në mënyrë të tërthortë siç e parasheh KPP-ja.

Gashi ka shtuar se i mbrojturi i tij deklaruar se nuk qëndron pranë deklaratave të dhëna më parë, se është i vetëdijshëm për deklarimet që ka bërë dhe ka kërkuar që pyetja e avokatit Berisha të refuzohet.

Lidhur me këtë, ka reaguar avokati Berisha duke thënë se pretendimet e mbrojtjes nuk qëndrojnë dhe ka shtuar se i akuzuari ka mohuar se i ka parë apo lexuar 5 deklaratat e mëhershme.

Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi ka thënë se pyetjet e parashtruar nga avokati Berisha janë bërë konform nenit 330 të KPP-së dhe se për të njëjtat i është referuar deklarimeve të dhëna në shqyrtim gjyqësor.

Ndryshe, në këtë seancë mbrojtjen e tij ka filluar të jap edhe i akuzuari Gashi, mirëpo i njëjti ka deklaruar se nuk po ndjehet mirë dhe se nuk është në gjendje të deklarohet.

Gjykatësja Skenderi ka kërkuar nga ekipi i emergjencës që të akuzuarit Gashi t’i bëhet kontroll mjekësor, e pas kësaj të njëjtit kanë deklaruar se i akuzuari Gashi nuk është në gjendje të deklarohet për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore.

Në këto rrethana, seanca e sotme është ndërprerë, kurse seanca e radhës për këtë rast është caktuar të mbahet më 12 prill 2023.

Ndryshe, prezent në këtë seancë nuk ishte përfaqësuesi i të dëmtuarës Merita Qunaj, avokat Blerim Mazreku për të cilin gjykatësja Skenderi tha se i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën e tij nuk e ka arsyetuar.

Sipas aktakuzës, dy të pandehurit Iran Badalli dhe Arben Gashi, në fillim të muajit janar 2020, në Prizren janë furnizuar me mjet eksplodues nga i akuzuari Valbon Çollaku, e pastaj të njëjtin e kanë fshehur në krevatin e fëmijëve ne dhomën e katit të II të shtëpisë të të akuzuarit Iran Badalli në fshatin Zhur, Komuna e Prizrenit dhe pas një kontrolli të autorizuar të kësaj shtëpie nga Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, më 28 janar 2020, rreth orës 20:00, në kontakt me këtë mjet, i njëjti ka eksploduar, ku ka gjetur vdekjen zyrtari policor S.Th, kurse policët tjerë të Njësitit gjegjës – të dëmtuarit Artur Mrasori, Jetmir Hasanaj dhe Arsim Byrtyqi si dhe fëmija S.B., kanë pësuar lëndime të rënda trupore.

Me këto veprime, sipas prokurorisë, të akuzuarit kanë kryer në bashkëkryerje veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356, paragrafi 5, 4 dhe 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, në dispozitivit II të aktakuzës, thuhet se në vend dhe kohë të njëjtë të përshkruar përafërsisht si në pikën I të dispozitivit të aktakuzës, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, përveç eksplozivit të lartcekur të shpërthyer, kanë pasur të fshehur edhe eksplozivin e mbetur TNT me peshë prej 809.1 gr dhe një detonator mekanik, në të cilin ishte i vendosur një fitil ngadalndezës në gjatësi 63 cm.

Me këtë, të akuzuarit në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi 

Më Shumë

Kurti: Një ditë pas votimit në favor të Kosovës në KiE, Serbia hakmerret kundër civilëve

Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur hakmarrje të Serbisë ndaj votimit në favor të anëtarësimit të Kosovës në KiE, ndalimin e mbi 300 qytetarëve...

Tre ndeshje interesante luhen sot në Superligë, sytë te Ballkani dhe Drita

Tre ndeshje interesante do të zhvillohen sot, në kuadër të xhiros së 29-të në Superligën e Kosovës në futboll. Sfida kryesore e ditës së shtune...

Lajmet e Fundit