Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka reaguar pas raportimit lidhur me vendimin e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë për refuzimin e aplikimit të zonjës Fahrije Hoti, themeluese e biznesit KB “Krusha” Sh.P.K për përkrahjen për blerjen e linjave të makinerive për përpunimin dhe konservimin e perimeve.
Latifi përmes një shkrimi në Facebook thotë se vendimi për refuzimin e aplikimit të saj për arsye teknike, si mungesa e dokumenteve plotësuese në lidhje me trajtimin e ujërave dhe përshkrimin teknologjik të procesit të prodhimit, është një shembull ku ngurtësia e zbatimit te kritereve procedurale, ka mposhtur vlerësimin real të ndikimit të një biznesi.
“Si kryetar i Komunës së Rahovecit, dëshiroj të shpreh mbështetjen e pakushtëzuar për zonjën Fahrije Hoti dhe për çdo biznes që kontribuon në zhvillimin ekonomik, punësimin, në përmirësimin e kushteve sociale dhe mbrojtjen e mjedisit në komunën tone”.
Tutje, Smajli i ka bërë thirrje publike te Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, që të rishqyrtojnë vendimin për refuzimin e këtij projekti.
“E pakuptimtë, përderisa znj. Hoti çmohet, ftohet nga shumë shtete e nga përfaqësuesit e tyre, vlerësohet për performancë e si grua e fortë, për prodhimet e tyre cilësore të kërkuara edhe në tregjet e jashtme, përfshirë edhe ShBA-të, në anën tjetër, refuzohesh nga ministria jonë e bujqësisë!
Si përfundim, do të angazhohem edhe personalisht për të mbështetur çdo përpjekje që ndihmon zhvillimin e mëtejshëm të KB “Krusha” e të subjekteve të ngjashme që na bëjnë krenarë brenda Kosovës dhe jashtë saj, si dhe të gjitha nismave që përfaqësojnë shpresën, janë dëshmuar e vlerësuar si rrëfime suksesi dhe rrisin mirëqenien në komunitetin tonë”, shkroi Latifi.
Marketing
Përjetoni pushime të paharruar dhe dasma magjike në Hotel “Albes Residence”