Në 52 shkolla të komunës së Prizrenit ka filluar ngrohja për zhvillimin normal të mësimit. Sipas drejtoreshës së Arsimit, së pari janë furnizuar shkollat e thella malore e më pas edhe ato në zonat urbane. Për këtë vit, për ngrohjen e 52 shkollave dhe dy çerdheve publike u blenë 2030 metra kub dru dhe 1520 tonë pelet.
Shkolla e mesme e ulët në Lubinjë të Epërme të Prizrenit ka kohë që ka filluar me ngrohjen e klasave për shkak të lartësisë mbidetare ku është e vendosur.
“Vij në mëngjes çdo ditë pune në ora 6 e ndez ngrohjen sezoni i ngrohjes ka filluar me 15 tetor. Çdo vit na sjellin drurë 120 metër katror dhe varësisht temperaturave na mbesin dhe dru. Ne ndezim nga tetori, nëntori, dhjetor janar shkurt, mars, madje ndonjëherë dhe tërë prillin”, tha për RTK, Vesel Kasi, punëtor teknik i shkollës.
Edhe në shkollën e fshatit Mushnikovë, ngrohja e klasave ka kohë që ka filluar. Nxënësit dhe mësimdhënësit thonë se kanë kushte të mjaftueshme për zhvillimin e orëve të mësimit.
“Kushtet i kemi fenomenale shkolla jonë është e pajisur plotësisht duke filluar prej nxemjes qendrore kemi kabinete të ndryshme kemi sallën e sportit d.m.th. kemi kushte optimale për mësim. Këtë vitë sikurse që me pyet shkolla jonë është buzë lumit dhe është në mal dhe na nxemjën e kemi e kemi nga fillimi tetorit. Kalldaja ndizet dikund rreth orës 05;00 dhe kur të vijmë ne këtu është nxehtë dhe shkolla është e nxehte dhe është gati për mësim”, tha Muhamed Bajrami, mësimdhënës.
“Në Mushnikov nuk e kemi një datë të caktuar që fillojmë me ngrohje qëndrore për shkak që gjendemi në një lartësi mbi detare te shkolla që jemi dikund 950 metra dhe na nuk e kemi data kur përdorim d.m.th. na kemi filluar veç në Shtator me i dhez stufat. Sa i përket peletit jemi të furnizuar mjaftë sepse e kemi bo kërkesën për 30 ton po mvaret nga sezona e dhe dimrit çfarë temperatura a janë të ulta apo mvaret pra varet prej sezonës dmth nuk është e caktuar se sa do të hargjojmë brenda viti”, tha Sedat Bajrami, drejtor i shkollës së Mushnikovës.
Sipas drejtoreshës së DKA-së në Prizren, Luljeta Veseli Gutaj, lënda djegëse është shpërndarë në 52 shkolla amë dhe dy paralele, si dhe në dy çerdhe publike. Janë blerë 2030 metër kub dru dhe 1520 tonë pelet me kontratë, ku 98% është shpërndarë.
Marketing
Përjetoni pushime të paharruar dhe dasma magjike në Hotel “Albes Residence”