8.5 C
Prizren
E mërkurë, 7 Janar, 2026

“Veteranët e UÇK-së, themeluesit e shtetësisë së Kosovës” – mesazhi i kryetarit të Malishevës në Ditën e Veteranit

Në organizim të degës së Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL) të UÇK-së në Malishevë, sot u shënua 30 Dhjetori – Dita e Veteranit, një ngjarje e veçantë për nderimin e kontributit dhe sakrificës së luftëtarëve të UÇK-së, të cilët dhanë gjithçka për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës.

Tubimi i shënimit të kësaj dite u hap nga kryetari i OVL-së të Malishevës, Metush Kryeziu, i cili theksoi se, megjithëse shumë veteranë jetojnë në kushte të vështira, krenaria dhe sakrifica e tyre mbeten të pashlyeshme.

“Asnjë situatë nuk mund të mohojë kontributin tuaj të jashtëzakonshëm,” tha ai, duke vënë në pah se sakrifica e veteranëve është e pashlyeshme dhe do të kujtohet brez pas brezi.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, i drejtohej të pranishmëve me fjalë plot vlerësim.

“Secili prej jush jeni kapitull i shtetësisë dhe pavarësisë. Kjo vlerë është forca më e madhe për të ruajtur shtetësinë”, theksoi ai.

Kastrati shtoi se trashëgimia e veteranëve do të mbahet mend dhe do të kujtohet me krenari, duke e cilësuar atë si bazamentin e pashlyeshëm të shtetësisë së Kosovës.

Në fjalën e tij, ai ndau gjithashtu një moment personal, duke kujtuar periudhën kur ishte i burgosur gjatë luftës dhe shprehu mirënjohje të përhershme ndaj veteranëve të UÇK-së për sakrificën e tyre, që ndikoi edhe në lirimin e tij të parakohshëm nga burgu.

Në përfundim të ceremonisë, dega e OVL të UÇK-së në Malishevë ndau 130 mirënjohje për veteranët e luftës nga Komuna e Malishevës dhe për ata që kanë kontribuar në luftimet brenda territorit të kësaj komune, duke nderuar kështu kujtimin dhe respektin për luftën e lavdishme të UÇK-së dhe kontributin e jashtëzakonshëm të atyre që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës./PrizrenPress.com/

Më Shumë

Tentim vrasja në Prizren me dy të plagosur, publikohen pamje nga momenti i sulmit

Një incident i rëndë me armë zjarri ka ndodhur në rrugën “Ali Hadri” në Prizren, ku si pasojë kanë mbetur të plagosur dy persona. Sipas...

Gjendet pa shenja jete një burrë në Dragash, policia nis hetimet

Një burrë është gjetur pa shenja jete të martën në Restelicë të Dragashit. Sipas raportit 24 orësh të Policisë, rasti u iniciua si “Hetim i...

Lajmet e Fundit