Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se uragani i fitorës së madhe po vjen, andaj LDK-në e cilësoi si partinë fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit, raporton Ekonomia Online.
Në tubimin elektoral në Dragash, kandidati për kryeministër nga LDK-ja ka premtuar investime në turizëm.
“Kur gjërat shkojnë mbrapshtë, kur eksperimentet përfundojnë, e kur qytetarët kosovarë kërkojnë seriozitet, punë e shtet, ata kanë një adresë dhe një adresë të vetme, kanë një drejtim dhe një drejtim të vetëm, kanë një shtëpi dhe një shtëpi të vetme, kanë Lidhjen Demokratike të Kosovës, shpresën e parë dhe të fundit të Republikës së Kosovës. Si lëvizja më e madhe historike shqiptare, e kemi për detyrë, e kemi për obligim, e kemi për mision indentitar, të shtrojmë jo vetëm dorën e përbashkimit me njerëzit e Kosovës, me ata të harruarit e të lënë në mëshirën e fateve ditore, por të shtrojmë Rrugën e Re përpara, për vet Republikën e Kosovës, shtetin që e bëmë ne. Sepse, kjo rrugë s’bëhet pa ne, këtë rrugë na takon ta bëjmë ne. Si bartës të së djathtës, si bartës politik të lëvizjes për liri, për demokraci e për pavarësi, neve, Lidhjes Demokratike të Kosovës, na takon ta bëjmë rrugën e zhvillimit, rrugën e konsolidimit shtetar e rrugën e integrimit euroatlantik”, tha Abdixhiku.
Kreu i LDK-së pati premtime edhe për bujqit e Dragashit, ndërsa nuk i harroi as qeverinë Kurti.
“Është koha të zgjedhni për ata bujq, që nuk kanë motra e vëllezër në Ministri për t’i marrë grantet nga 100 mijë. Për keqpërdoruesit e pushtetit kam vetëm një mesazh! Ndryshimi po vjen! Do t’i ktheni paratë cent më cent! Do të ndiqeni penalisht për secilin veprim korruptiv; nga buka e bujqve tek mafia energjetike, nga rezervat shtetërore tek kontratat njëburimore! Ndryshimi po vjen! Për ata që mashtrojnë e keqpërdorojnë nuk ka shpëtim. Është koha të zgjidhni për të gjithë punëtorët e Kosovës, që në kushtet më të rënda të punës, në pagat më të ulëta të mundshme, rrezikojnë jetë. Dhe prapë janë në punë, më punëtorë, më të zellshëm, më këmbëngulës, se secili punëtor në Evropë. Është koha të zgjedhni për mësuesit, mjekët, punëtorët e shërbyesin që marrin lëmoshë dhe s’ka kush t’i dëgjojë. Është koha të zgjedhni për veten”.
“Po do t’i mbulojmë shpenzimet e kontratës kolektive dhe do t’i mbulojmë shpenzimet nga fatkeqësitë natyrore. Këto pasuri përrallore që i keni do të bëhen atraksione turistike. Qeveria e ardhshme do të imvestojë në rrugë që ta shoh e gjithë bota se sa e bukur është Kosova”, tha Abdixhiku, teksa pati premtime edhe në nivel nacional.
“Koeficienti 150, që në javën e parë të qeverisë së re, për shërbyesit civil, është zotimi ynë i parë – është vendimi ynë i parë. Një javë, 150. Aty ku s’kanë bërë punë në rrugë për katër vjet, ne kemi projekt infrastrukturore që transformojnë këtë shtet. Aty ku shtrenjtimi i energjisë elektrike s’ka fund, ne kemi plan për Central me Gaz, për stabilitet furnizimi, për një ekonomi të sigurt me partnerë. Rruga e Re, ka 120 projekte, ka 5 miliardë euro investime, ka 5 miliardë euro buxhet, ka 5% rritje ekonomike”, u shpreh Abdixhiku.
Marketing