2.2 C
Prizren
E shtunë, 8 Shkurt, 2025

Përkujtohet shkrimtari dhe kritiku letrar Yrjet Berisha, në 10 vjetorin e ndarjes nga jeta

Kanë kaluar 10 vite nga koha kur shkrimtari dhe kritiku letrar, prof. dr. Yrjet Berisha u nda nga jeta. Në këtë përvjetor të vdekjes, ai u përkujtua përmes poezisë, në një aktivitet të organizuar për nder të veprës së tij.

Dekani i Fakultetit të Filologjisë në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, prof. dr. Xhafer Beqiraj tha se shkrimtari dhe kritiku letrar, prof. dr. Yrjet Berisha mbetet një nga figurat e shquara të letërsisë shqiptare. Sipas tij, karriera akademike e Yrjetit u zhvillua në mënyrë sistematike.

“Ai kontribuoi në fushën e letërsisë, të kritikës letrare dhe si pedagog në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren”, tha Beqiraj.

Sipas tij, Yrjeti ishte një mendimtar i thellë.

“Ai ia kushtoi një jetë përhapjes së dijes. Ishte pjesë e grupeve kërkimore e shkencore që i dhanë vlerë të shtuar shkencës dhe letërsisë shqiptare”.

“Në fushën e letërsisë prof. dr. Yrjet Berisha është një autor shumë dimensional. Vepra e tij përfshin poezi, prozë dhe dramë”, u shpreh Beqiraj.

Ndërkaq, gazetari dhe publicisti, Demir Reshiti tha se prof. dr. Yrjet Berisha është një personalitet i njohur i letrave shqipe.

“Jeta dhe vepra e tij do të mbesin përherë të gdhendura në kujtesën tonë kolektive”, tha Reshiti.

Sipas tij, tërë opusi i krijimtarisë së Yrjetit reflekton mbi jetën dhe atdheun e tij.

“Një tjetër aspekt i rëndësishëm i krijimtarisë së tij është puna si studiues dhe kritik letrar. Ai ka bërë hulumtime të thella dhe ka shkruar studime të rëndësishme, që kulmojnë me studimin Proza e Martin Camajt, studim ky që është botuar pas vdekjes së autorit dhe që përbën një kontribut të çmuar për letërsinë shqipe dhe teorinë estetike”, tha Reshiti.

Yrjet Berisha lindi më 1955 në Buçe të Sharrit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Prizren. Studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe i kreu në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku magjistroi dhe doktoroi. Ai shkroi prozë, poezi, eseistikë, dhe dramë. Ishte anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe bashkëpunëtor i jashtëm shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Ai ka botuar shumë punime shkencore, si dhe libra letrarë; “Anatomia e vetmisë” (poezi – 1994), “Vetë” (poezi – 1994), “Edhe rastësi” (poezi – 2000), “Ora” (dramë – 2000), si dhe romanin “Ulkiani”, më 2004. Poezitë e tij u botuan edhe në gjuhën kroate, suedeze, rumune, ruse etj. Takimi letrar përkujtimor u organizua nga Shoqata për Kulturë dhe Art “Fidani” në Prizren.

Shkrimtari dhe kritiku letrar, prof. dr. Yrjet Berisha u nda nga jeta në vitin 2015./PrizrenPress.com/

Mund të jetë një imazh i 8 persona dhe turmë


marketing

 

Më Shumë

Moti sot: Me diell dhe vranësira, temperaturat deri në 11 gradë Celsius

Mbi vendin tonë do të mbajë mot me vranësira dhe periudha me diell. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat minimale pritet të jenë nga 0...

Teatri “Bekim Fehmiu” publikon programin e shfaqjeve për muajin shkurt

Teatri “Bekim Fehmiu” në Prizren ka publikuar programin e shfaqjeve për muajin shkurt. Në këtë itinerar krahas shfaqjeve të realizuara nga teatri i qytetit, figurojnë...

Krijimi

Lajmet e Fundit