Sot më 3 maj janë bërë 30 vjet nga rënia në Malësi të Re të heroit kombëtar, Besim Ndreca.
Patrioti mbetet një nga figurat më të ndritura të popullit, i cili i tha stop torturimit që serbët ia bënin shqiptarëve, gjatë viteve të 90’ta.
I lindur në tetot të vitit 1956 në fshatin Maqitevë të komunës së Suharekës, heroi u vu në shërbim të Njësit Gueril më 30 dhjetor 1991 në Lëvizjen Guerile “Shqipet e Lirisë”.
Zanafilla e përndjekjes së tij, nisi kur në stacion të autobusëve në Suharekë, kishin shkuar policia serbe për ta arrestuar, por Besimi kishte arritur t’i çarmatosë dhe plani për ta dorëzuar Ndrecën në stacion të policisë, u kthye bumerang për serbët, pasi ishte pikërisht atdhetari i Malsisë së Re, ai i cili i kishte kapur ata dhe i kishte dorëzuar te eprori i tyre.
Madje thuhet se përgjigja e Ndrecës ishte: “Lidhi këlyshët”, fjali kjo pas të cilës serbët do të mobilizoheshin për ta arrestuar në ditët vijuese, për ta kapur të gjallë.
Besim Ndreca nuk u dorëzua asnjëherë. Ai luftoi me ta deri kur i pushoi zemra, nga plumbat që e kishin goditur.
Para se të vdiste në luftë me serbët, ai arriti të shkojë edhe në shtëpi, ku u përshëndet me familjen e tij, të cilëve u tregoi se obligimin e tij kombëtar, tashmë e kishte kryer dhe hakun atdheut ia kishte paguar.
Vepra e dëshmorit suharekas, u shndërrua në motiv për ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që vite më vonë nisën luftën ndaj Serbisë.
Për veprën e Besim Ndrecës u shkrua dhe u këndua ndër vite e dekada.
Ndërkaq, në nderim veprës së lavdishme të tij, njëri nga sheshet e qytetit të Suharekës është emëruar me emrin e Besim Ndrecës, ku edhe qëndron shtatorja e tij.