Superliga e Kosovës në basketboll po shkon drejt fundit dhe tashmë ka nisur seria finale.
Pas një super sezoni, Klubi Basketbollistik, “Bashkimi” dhe “Trepça”, kanë arritur të prekin finalen e madhe, me prizrenasit që po luftojnë për të rikthyer titullin kampion në qytetin historik pas shtatë vitesh, kurse mitrovicasit duan ta mbrojnë titullin e fituar sezonin e kaluar, shkruan Arbresh.info.
Seria finale nisi të dielën në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, ku Bashkimi triumfoi me rezultat 84-77.
Tashmë akti i dytë i finales bartet sot në Mitrovicë, ku me fillim nga ora 19:00 nis beteja e radhës finale.
Bashkimi i motivuar nga suksesi në sfidën e parë kërkon që të dyfishojë epërsinë dhe të afrohet edhe më shumë me titullin.
Në një intervistë për Arbresh.info, trajneri i Bashkimit, Sasa Jankovic foli rreth situatës në klub pas ndeshjes së parë si dhe synimin kryesor të prizrenasve.
“Dy ditët e fundit i kemi shfrytëzuar për rikuperim dhe analizë të ndeshjes së fundit. Atmosfera në skuadër është shumë e mirë dhe besoj se jemi të gatshëm për ndeshjen e radhës”, tha fillimisht Sasa.
Trepça dhe Bashkimi janë përballur këtë sezon plotë gjashtë herë duke marrë parasysh edhe ndeshjen e fundit në finale.
Të dy skuadrat kanë bilanc të njëjtë të fitoreve nga tri secila. Vlen të theksohet se të gjitha ndeshjen kanë qenë dramatike dhe fituesi shpeshherë ishte vendosur në minutat e fundit.
Trajneri Jankovic, tregoi përvojën nga ndeshjet e kaluara dhe tha se skuadra e tij është gati të reagojë në çfarëdo lloj situate që ndodhet para kundërshtarit.
“Është e vështirë të thuhet se çfarë ndryshimesh taktike mund të bëjë secila skuadër në këtë periudhë të shkurtër mes ndeshjeve. Kemi luajtur shumë ndeshje kundër njëri-tjetrit këtë sezon dhe të dy ekipet janë shumë mirë të përgatitura në atë aspekt. Nëse kundërshtari tenton të ndryshojë diçka, besoj se do të jemi të përgatitur dhe do të dimë si të reagojmë”, u shpreh Jankovic.
Që nga ardhja e trajnerit, Sasa Jankovic, Bashkimi ka krijuar një identitet si skuadër. Ndeshjet që kanë bërë kanë qenë jashtëzakonisht të forta, duke e rikthyer edhe publikun prizrenas që në secilën ndeshje mbush shkallët e palestrës në “Sezai Surroi”.
Skuadra prizrenase ka zënë vendin e parë në sezonin e rregullt, teksa trajneri tregoi çelësin e suksesit.
“Mendoj se kemi shpirt ekipi dhe një kimi shumë të mirë mes nesh. E shijojmë së bashku kur gjërat shkojnë mirë, por qëndrojmë të bashkuar edhe kur ka momente të vështira. Prandaj e konsideroj punën në ekip si armën tonë më të fortë”, potencoi ai.
Palestra “Minatori” është një arenë e zjarrtë ku shumica e skuadrave kosovare bien në këtë sallë, ndër to edhe Bashkimit. Dy herë që janë përballur në Mitrovicë, Trepça e ka mposhtur skuadrën prizrenase.
Mirëpo për trajnerin e Bashkimit asnjë skuadër nuk është e pathyeshme, duke ditur se më herët ata fituan edhe në “Karagaç”, një arenë mjaft e vështirë për t’u luajtur.
“Pa dyshim që loja do të zhvillohet në një atmosferë të zjarrtë, por këtë sezon kemi dëshmuar disa herë që dimë si të përballemi me presionin dhe të luajmë ndeshje të mira. Trepça luan shumë mirë në fushën e vet, por asnjë skuadër nuk është e pathyeshme. Çelësi do të jetë të kemi një fillim të mirë dhe të ruajmë fokusin maksimal gjatë gjithë ndeshjes”, deklaroi ai.
Apetitin për fitore ditën e sotme e rrit edhe më shumë fitorja e së dielës dhe këtë e thotë edhe vetë trajneri.
“Fitorja e së dielës na ka dhënë një motivim pozitiv, por që të nesërmen kemi kthyer faqen dhe jemi përqendruar në ndeshjen tjetër. Nuk vendosim presion mbi veten, vetëm përpiqemi të japim maksimumin dhe të tregojmë se çfarë jemi në gjendje të bëjmë”, vazhdoi Jankovic.
Gjithnjë finalet janë të papërshkueshme sidomos kjo e këtij viti duke marrë parasysh se mund të luhen shtatë ndeshje për herë të parë në histori të basketbollit kosovar.
Padyshim synimi i klubit prizrenas është titulli kampion dhe kështu beson edhe shef i shtabit teknik të portokallezinjve.
“Është e vështirë të parashikosh se çfarë do të ndodhë në këtë seri, dhe nuk është në stilin tim të mendoj shumë përpara. Çdo ndeshje është e ndryshme, dhe qëllimi ynë është të fokusohemi ditë pas dite në ndeshjen e radhës dhe të mbajmë besimin që do të jemi ne ata që në fund do të ngremë trofeun”, përfundoi ai.
Bashkimi synon të rikthehet në majat e basketbollit kosovar pas atij suksesi historik të vitit 2018 ku u shpall kampion për herë të parë dhe të vetme.
Skuadra ka bërë një super sezon duke prekur edhe finalen e Kupës së Kosovës, mirëpo aty u mposhtën pikërisht nga Trepça me rezultat 85-79.
Kampioni i Kosovës shpallet, skuadra që arrin katër fitore e para. Bashkimi në gjysmëfinale eliminoi Pejën me seri 3-1. Kujtojmë që prizrenasit e mbyllën sezonin e rregullt në pozitën e parë që gjë ua mundësoi edhe terrenin vendas në finale.