Prokuroria Themelore në Prizren të hënën ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve, ku i pari dyshohet për veprat penale të fajdes, kanosjes dhe posedimit të paautorizuar të narkotikëve, derisa i dyti i dyshohet për veprën penale të kanosjes.
“Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve D.Sh., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprat penale “Fajdeja” nga neni 331 par.2 lidhur me par.1, “Kanosja” nga neni 181 par.2 si dhe “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 269 par.2 lidhur me par.1 dhe A.Sh., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181 par.4, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e kësaj prokurorie.
Tutje theksohet se sipas aktakuzës, “i pandehuri D.Sh., nga data 01.09.2022 e në vazhdimësi deri me datë 07.11.2024 në Prizren, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit F.K., në atë mënyrë që pasi i dëmtuari ishte në gjendje të rëndë financiare dhe i duheshin të holla për biznesin e tij që ishte në falimentim, duke njohur të pandehurin të cilin e kishte bashkëfshatar, i dëmtuari shkon tek i pandehuri me të cilin takohen në Prizren, nga i cili merr 3.000 € (tremijë euro), ku me rastin e dhënies së të hollave, i pandehuri e paralajmëron se për çdo vonesë duhet të paguajë nga 300 (treqind) euro kamata mujore”.
“I dëmtuari për 6 (gjashtë) muaj rresht vazhdon të paguaj nga 300 (treqind) euro kamata mujore, pastaj në muajin Mars të vitit 2023 i dëmtuari me qëllim të mbylljes së fajdesë sërish nga i pandehuri merr të holla në shumë prej 4.000 € (katër mijë euro), ku me rastin e dhënies së të hollave i pandehuri e paralajmëron se duhet të paguaj 700 € (shtatëqind) euro kamatë mujore, pastaj i pandehuri për shumën e të hollave në vlerë prej 7.000 € (shtatëmijë euro), kërkon kamatë mujore në shumë prej 1.500 € (njëmijë e pesëqind) euro, të cilën shumë i dëmtuari i jep me datë 07.11.2024, me ç’rast i pandehuri me paratë e marra arrestohet në flagrancë, me ç’rast i dëmtuari përveç borxhit bazë tek i pandehuri ka paguar kamatë në vlerë prej 18.000 (tetëmbëdhjetë mijë) euro, me të cilat veprime të dëmtuarit i shkakton dëm material në vlerën e lartcekur. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Fajdeja” sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.
Po ashtu, nënvizohet se “i pandehuri D.Sh., me qëllim të frikësimit ose shkaktimit të ankthit, seriozisht e kanos të dëmtuarin F.K., me fjalë se do ta privoj nga jeta, në atë mënyrë që përmes rrjetit social “Facebook”, i shkruan mesazhe me përmbajtje kërcënuese, me të cilat veprime tek i dëmtuari ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tij dhe familjen”. “Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Kanosja” sipas KPRK-së”.
Prokuroria ka bërë të ditur se “i pandehuri D.Sh., pasi arrestohet nga ana e policisë për veprën penale “Fajdeja”, pas kontrollit trupor, të njëjtit i është gjetur një mbështjellje me foli alumini të materies së bimës së tharë të llojit marihuanë dhe 1 (një) filtër i cigares e cila dyshohej të jetë substancë narkotike e llojit marihuanë, të cilat janë sekuestruar nga ana e policisë, dhe pas testimit të kësaj substance, ka rezultuar të jetë pozitiv me përmbajtje të marihuanës, në peshë prej 1.2 gram”. “Me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” sipas KPRK-së”.
Në aktin e akuzës së Prokurorisë së Themelore të Prizrenit thuhet se “i pandehuri A.Sh., me datë 06.12.2024, në Prizren, me qëllim të frikësimit, shkaktimit të ankthit, seriozisht i kanos me fjalë se do t’i privojë nga jeta ose do t’i rrëmbejë të dëmtuarit F.K., dhe F.K., – i cili ishte viktimë e ndjeshme për shkak të moshës së mitur, në atë mënyrë që i pandehuri duke qenë në dijeni se i dëmtuari F.K., është viktimë e veprës penale të fajdesë, në të cilën rast i pandehur është djali i axhës së tij – D.Sh., ashtu që i pandehuri A.Sh., në mënyrë që të ndikojë tek i dëmtuari F.K., që i njëjti të tërheq deklaratën e tij në prokurori, përmes aplikacionit “ËhatsApp”, mes tjerash i shkruan të dëmtuarit F.K.,(të miturit) mesazhe me përmbajtje kërcënuese, me të cilat veprime tek i dëmtuari ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tij dhe familjen”. “Me këto veprime, i pandehuri A.Sh., ka kryer veprën penale “Kanosja” sipas KPRK-së”.
Në të njëjtën kohë konform dispozitave të nenit 235 të Kodit të Procedurës Penale, Prokurori i rastit ka propozuar që si mjete të kryerjes dhe dobi pasurore, të pandehurit D.Sh., t’i konfiskohen sendet të cilat i kanë mundësuar kryerjen e veprës penale dhe të cilat janë dobi pasurore e fituar me vepër penale, për të cilat është lëshuar Urdhër Ndalues Përfundimtar nga Gjykata, duke përfshirë një automjet, telefona dhe të holla, raporton Telegrafi.
“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit”, përfundon njoftimi i Prokurorisë Themelore të Prizrenit.