17.1 C
Prizren
E hënë, 9 Qershor, 2025

Zbulohen rrjetet e kontrabandës me emigrantë në Vërmicë: Dhunë, kërcënime dhe milionat që qarkullojnë

Është transmetuar hulumtimi i cili shfaq prova filmike për rrjetet e rrezikshme të kontrabandës me emigrantë në Vërmicë.

Në këtë pjesë kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë ekzistojnë rrugë ilegale, të cilat shfrytëzohen për kontrabandë.

Mirëpo, kjo zonë më së shumti përdoret nga refugjatët nga Siria dhe vende të tjera që ballafaqohen me kriza, si pikëkalim për në shtetet e tjera të Evropës.

Marketing

Hulumtimi i “Kallxo Përnime” sjell prova dhe dëshmi se si grupet e krimit të organizuar, për një kohë të gjatë, kanë kontrolluar këtë zonë, duke kërcënuar me armë refugjatët nga Siria, Afganistani dhe vende të tjera, dhe i kanë detyruar ata të paguajnë “haraç” për të kaluar këto rrugë.

Personat që janë pjesë e këtyre grupeve të krimit të organizuar nuk janë nga Kosova, por nga Siria, dhe janë pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikimit të migrantëve, siç tregon autori i këtij hulumtimi, Kreshnik Gashi.

Të dhënat e autoriteteve ligjore tregojnë se këto grupe fitojnë miliona euro nga këto organizime kriminale.

Filmime të shumta tregojnë se si pjesëtarët e këtij rrjeti ushtronin dhunë fizike dhe kërcënim me armë të gjata ndaj refugjatëve që nuk pranonin të paguanin për kalimin e pikës kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë në Vërmicë.

.

 

Refuzimi i refugjatëve për t’u nënshtruar këtyre grupeve përfundoi edhe me vrasjen e një refugjati në vitin 2022 – rast që po hetohet nga Prokuroria e Prizrenit.

Lidhur me këtë ka folur edhe Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, i cili shpjegon këto kontrabandime që po bëhen me emigrantë në pikën kufitare në Vërmicë.

“Në të kaluarën kemi pasur raste ku janë kontrabanduar migrantë. Statistikat flasin që në vitin 2022 kemi pasur rastet më të mëdha, ku kemi pasur 38 persona si të dyshuar për kontrabandim të emigrantëve, për çka edhe kemi nisur hetimet”, deklaron Kryeziu.

Për të kuptuar edhe më mirë se si po arrijnë të funksionojnë këto grupe dhe çfarë po bën Policia e Kosovës në parandalimin dhe shkatërrimin e tyre, është deklaruar Blerim Rama, major në Policinë e Kosovës.

“Kontrabandën me emigrantë e kanë kryer shtetas sirianë dhe praktikat tregojnë se këto grupe kanë funksionuar duke ardhur dhe duke u vendosur në Kosovë si emigrantë. Më pas kanë arritur të depërtojnë në territorin e Kosovës dhe shumë shpejt kanë mësuar mënyrën se si reagojmë ne, duke arritur të kalojnë emigrantët nëpër territorin e Kosovës”, tha Rama.

Rrjetet e rrezikshme të krimit të organizuar arrijnë të qarkullojnë mijëra refugjatë në territorin e Serbisë dhe Kosovës përmes rrugëve ilegale të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Lidhur me këto rrugë ilegale që po hapen dhe kontrollohen nga grupe kriminale, gazetari i BIRN-it, Sasha Dragoljo, kishte realizuar një hulumtim për pikën kufitare në Suboticë.

“Me rëndësishmja që duhet të thuhet është se trafikimi i refugjatëve është një biznes shumë fitimprurës në Ballkan. Sipas disa vlerësimeve, vetëm gjatë rrugës së Ballkanit kontrabandistik qarkullojnë mbi 50 milionë euro në vit”, tregon Sasha Dragoljo.

Tutje ai tregon se Serbia është vendi kryesor tranzit për refugjatët për shkak të pozitës gjeografike. Ndërsa afganët dhe iranianët janë grupet më të mëdha, sipas Sashës, që po përdorin rrugët ilegale drejt Ballkanit.

“Këto grupe janë shumë të njohura për kontrabandistët dhe grupet kriminale dhe ato përdoren absolutisht edhe për qëllime të tjera”, deklaron ai.

Ndërkohë, zona kufitare në Vërmicë tashmë është nën monitorimin e dronëve të Policisë së Kosovës dhe njëkohësisht Policia e Kosovës vazhdon të patrullojë këto pjesë për të pamundësuar funksionimin e këtyre grupeve kriminale

Më Shumë

Lela fotografohet veç në bikini, ekspozon gjoksin ‘bombastik’

Ish-banorja e Big Borther Vip Kosova, Lela Seferi po vazhdon të jetë shumë aktive në rrjetet sociale. Ajo vazhdimisht publikon imazhe të ndryshme nga përditshmëria...

AP për ndeshjen Shqipëri–Serbi: Përballje që s’është veç për tri pikë

Agjencia amerikane e lajmeve, Associated Press, i ka kushtuar një artikull të gjatë ndeshjes Shqipëri – Serbi, e cila do të luhet nesër, e...

Lajmet e Fundit