Sot ka ndërruar jetë Afrim Malsori nga Krusha e Madhe, një veteran i shquar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në luftën për liri, duke qenë bashkëluftëtar i Xhelal Hajdës – “Toni” dhe Selajdin Mullabazi – “Mici” në Zonën e Pashtrikut, dhe kishte lidhje të afërta edhe me Zonën e Dukagjinit dhe komandantin Ramush Haradinaj.
Shtëpia e tij nuk ishte thjesht një strehë gjatë luftës – ajo u shndërrua në një bazë të vërtetë të UÇK-së. Brenda saj u pritën dhe u përcollën qindra ushtarë, u morën vendime të rëndësishme dhe u ruajt gjallë shpresa për lirinë e Kosovës.
Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka shprehur ngushëllimet e tij për humbjen e Afrim Malsorit.
“Me dhembje të thellë humbja e bashkëluftëtarit tim, Afrim Malsori, një djalë i fort i Krushës së Madhe!
Shtëpia e tij nuk ishte vetëm një vatër familjare, por një bazë e pathyeshme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku frekuentonin krerët dhe themeluesit e saj, duke marrë vendime të rëndësishme për luftën dhe lirinë e vendit.
Ishte një shok i mirë, i afërt, i pandalshëm dhe i dëshmuar në tërë angazhimin e tij, deri në frymën e fundit.
Pas betejës së korrikut 1998 në Rahovec, pikërisht në këtë shtëpi, Komandant Xhelal Hajda-Toni nisi riorganizimin e Shtabit të Retijës, një nga momentet më të rëndësishme për vazhdimin e luftës çlirimtare dhe të rezistencës sonë.
Afrimi ishte zemra e asaj shtëpie, gjithmonë gati për shokët dhe për lirinë.
Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe të gjithë bashkëluftëtarëve! Lavdi jetës dhe veprës së tij!” – thuhet në telegram.
Bëmat dhe përkushtimi i Afrim Malsorit janë dëshmi e një trimi që nuk kurseu asgjë për atdheun. Sot, emri i tij qëndron me nder në faqet e historisë sonë çlirimtare.
Marketing
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren
https://prizrenpress.com/hapesira-me-qira-ne-objektet-e-reja-te-renelual-tahiri-ne-prizren/