Shkruan: Milazim Krasniqi
Kur disa po çuditen pse nuk ka protesta, pse nuk ka pakënaqësi, po më çudisin. Moti ua kam sqaruar, po nuk e kanë kuptuar. JA PSE NUK KA!
1. Një numër i madh familjesh varen nga remitancat e familjarëve të tyre nga diaspora. Janë mbi një miliard euro në duart/xhepat e tyre, pa u varë ata direkt nga shteti. Ata harxhojnë paratë që nuk i fitojnë me punën e vet dhe ndihen rehat. Nuk kanë nevojë për subvencione e grante, ngase tokat i lënë batall, motin e shkojnë në vetura, në kafehane, në syneti, dasma e në të pame. “Zgate, Zot”, thonë me vete.
2. Një numër i madh biznesesh e njerëzish varen nga informaliteti. Janë poashtu mbi një miliard euro, e pakta, që gjenerohen nga informaliteti. Këta tipa fërkojnë duart për aq sa vazhdon kollapsi i shtetit, që të mund të vazhdojnë kontrabandën dhe krimin e organizuar. “Zgate, Zot”, thonë :edhe ata.
3. Punonjësit në institucione shtetërore e publike janë rehat me politikat joefikase të institutucioneve, ngase marrin rroga të mira, për një punë që e bëjnë shkel e shko. Disa prej tyre i rrisin të ardhurat edhe me korrupsion, realisht pa u trazuar nga institucionet shtetërore. Edhe këta, pra, ndihen rehat me këtë lloj qeverisjeje dhe me këtë lloj shteti. “Zgate, Zot”, thonë edhe ata.
4. Disa të tjerë që zhvillojnë biznese legale, por duke qenë afërt me qeveritarët, fitojnë tenderë dhe favore të shumta. Edhe këta ndihen komod e nuk kanë pse të protestojnë, sespe në atë rast do të protestonin kundër interesave të veta. ‘Zgate, Zot”, thonë edhe ata.
5. Shumë nga të rinjtë e të rejat e diplomuar në universitetet publike provinciale dhe në kolegje/këpurdhat e shumta private, e dinë si i kanë marrë diplomat dhe nuk kanë as guxim as fytyrë që të organizohen e të protestojnë kundër gjendjes së keqe në shoqëri. Dosjet e favoreve, ose edhe të falsifikimeve të provimeve e të diplomave, e mbajnë peng pakënaqësinë e tyre. Ata më parë arratisen nga vendi, se sa që guxojnë të protestojnë. Edhe ashtu, brenda këtyre pesë viteve, mbi 200.000 tashmë kanë ikur. “Ik b.thë se t’lashë”, thonë ata.
6. Elitat intelektuale, aq sa janë, kanë kalkulimet e veta: shumë prej tyre kanë problem me biografitë dhe prandaj e mbajnë gojën mbyllur. Jo pak të tjerë janë të afërt me partitë politike dhe zhvatin favore për veten dhe për farefisin e tyre, në të katër anët. Kundër kujt duhet të protestojnë këta menderintelektualë?! “Mos ha m.t”, sikur i thonë thonë vetes dhe e mbajnë gojën mbyllët.
7. Një grumbull jo i vogël qytetarësh nuk e përjetojnë fare Kosovën si shtet të vetin. Demek, e konsiderojnë vetëm si një “e keqe e domosdoshme”, në procesin e bashkimit kombëtar. Rrjedhimisht, nga këta vjen jo pak destruksion politik, rrënim i imazhit të shtetit dhe konflikte politike e sociale. “Bane Zot llugë,” luten ata.
8. Një pjesë e shoqërisë civile mirret me tema që financohen nga të huajt, si fjala vjen, braktisja e fesë islame, problemi i ekstremizmit, minoritetet, problemet e grupeve LGBT, mbrojtja e qenve. Këto kontigjente të shoqërisë civile nuk kanë interes të ndryshojnë gjërat, sepse në atë rast mund t’u ndryshojnë statusi dhe t’u thahet kaqepi edhe atyre. “Zgate Zot”, thonë edhe ata.
9. Shumë nga mediet bëjnë zhurmë, por më shumë duke ngritur disa axhenda për hesapet e veta, se sa për ta mbrojtur interesin e publikut. Në fakt, vetë mediet janë viktima të mungesës së rregullimeve adekuate të tregut, të konkurencës dhe të transparencës. Prandaj, për të mbijetuar, sillen ngjashëm me akterët politikë, luftojnë për ‘tallin” e vet si të munden. “Ma m.t nuk bëhet”, është slogani më adekuat në këtë rast.
Kush po mbetet i pakënaqur? Mbetet fukaraja. Fukaraja, që është i pafuqishëm dhe i pambrojtur. Për fukaranë janë hapur rrugët e arratisjes, ashtu që problemi po shkon drejt “zgjidhjes.” Prandaj nuk ka kush reagon, nuk ka kush bën ndryshime. Natyrisht, në të gjitha grupet që u numëruan, ka idealistë, njerëz të ndershëm, atdhetarë të devotshëm. Por, në të gjitha grupet, ata janë pakicë. Prandaj nuk arrijnë të bëjnë masën kritike për të ndryshuar gjendjen. Kjo pakicë zatën bënë gjithë këtë zhurmë, në të gjitha grupet. Zhurma u mirrret si e mirëqenë, bile shikohet me simpati, por injorohet nga shumica, e cila pa bërë aspak zhurmë, ia imponon vullnetin e saj kësaj shoqërie të deprimuar dhe këtij shteti të pakonsoliduar, duke i mbajtur, me planifikim, në gjendje dialize. “S’ka ymyt”, filozofojnë brekëgrisurit, të zhytur në borxhe e kredi deri në fyt.
Kanë të drejtë, fatkeqësisht.
Marketing
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren
Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren